Ministrit Ahmetaj i rihapet dosja “HERMES”, me 50 milionë dollarë të vjedhur nga “Albtelekom”

1512
Sigal

“Albtelekom” i shiti firmës “Hermes” 8.5 milionë minuta kohë/bisede, me çmim 0.5 lekë/minuta, nga 4 lekë/minuta tarifa ligjore

Shtetasi shqiptar, me profesion biznesmen (tregtar) në fushën e telefonisë fikse rurale, i quajtur Arben Ahmetaj, i cili 14 vite më parë futi në veprim firmën e tij mafioze me emrin “Hermes” dhe që 11 vjet më parë, u bë objekt hetimi prej një komisioni të posaçëm parlamentar dhe iu “qep” dosja me fakte skandaloze konkrete e iu çua në Prokurori, sot e që prej 17 muajsh është Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në pushtetin “Rilindja”. Ministri Arben Ahmetaj, njihet si zyrtari “përbindësh” që zhvati të ardhurat e “Telekom”, nëpërmjet futjes në veprim të firmës tregtare të blerje-shitjes abuzuese të impulseve të ish-shoqërisë shtetërore “TELEKOM”, që tronditi opinionin shqiptar në vitet 2002-2004, kur Ahmetaj ishte krye-këshilltar i ish-Kryeministrit Fatos Nano për ekonominë e financat (sektori telefonisë). Në atë kohë, dosja skandaloze “HERMES”, u mbyll nga kupola e Prokurorisë me urdhër të ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili akuzohej si “komando” i këtij skandali të realizuar nga Arben Ahmetaj, nëpërmjet firmës së tij “HERMES”. Kjo lojë e ministrit Ahmetaj, i lënë i paprekur nga drejtësia dhe Parlamenti, që siç e hapi ashtu e mbylli komisionin hetimor fals, vazhdoi me zhvatjet në “TELEKOM”, deri ditën e shitjes për “1 copë bukë” tek kompania turke “Çalik”. Tashmë, kjo dosje, sipas burimeve që ka gazeta “Telegraf” është rihapur përsëri, në kuadër të presionit ndërkombëtar për të pastruar politikën e shtetin nga individët e kriminalizuar dhe çuarjen e tyre përpara drejtësisë si shenjë e parë e ndëshkimit të krimit të politikanëve e shtetarëve të lartë. Sipas burimeve, ministri Ahmetaj është thirrur dy herë deri tani për dosjen e “vulosur” me emrin HERMES”, që në fakt është biznesi i tij, që i ka përlarë shtetit miliona dollarë të dukshëm e të padukshëm dhe që vazhdon të zhvasë ende, duke presionuar kompanitë telekomunikative private dhe entet shtetërorë, që kryejnë shërbime telefonie, interneti etj..

“HERMES”, vjedhje 50 milionë USD me… kontratë ilegale e anti-ligjore 

 Dje, na ka ardhur një “ekstrakt” i dosjes “HERMES”, që dëshmon krimin financiar të bërë prej ministrit Arben Ahmetaj me të ardhurat dhe shërbimet e “Albtelekom”, kur kjo shoqëri ishte pronë shtetërore. Dhe gjithçka është bërë me firmë e me vulë të shtetit, me marrëveshje biznesi mes kompanive “HERMES” dhe “TELEKOM”. Ministri Arben Ahmetaj, pronari “de facto” i kompanisë “HERMES”, ka lidhur një marrëveshje interkonjeksioni me “Albtelekom”, me Nr. 4356 Prot., datë 04. 09. 2000, mbështetur në licencën e lëshuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit, me objekt shfrytëzimin e një sistemi të telefonisë të zonave rurale, fillimisht në territorin e komunave Maminas, Gjipalaj, Xhafzotaj, Rrashbull dhe Katundi i Ri, të rrethit të Durrësit dhe në komunat Synej, Luz i Vogel, Gosë e Kryevidh të rrethit Kavajë. Ende pa u futur në zbatim kjo marrëveshje, ministri Arben Ahmetaj me fuqinë që i jepte pushteti pranë ish-kreut të pushtetit Fatos Nano, organizoi dhe realizoi ndryshime të tjera për shtim fitimesh financiare nga biznesi i telefonisë, duke bërë në marrëveshje një (shtojca nr.1) me Nr. 4308/1 Prot., datë 20. 07. 2001, “Për shërbimin e Telekomunikacionit në Rrjetin Rural”, ndërmjet kompanisë “Hermes” dhe “Albtelekom” me këto ndryshime:

1. Pika 4.3 e Marrëveshjes: “Në lidhje me bisedimet telefonike kombëtare, secila palë do të vërë në dispozicion të palës tjetër faturat me shumat në ngarkim gjatë periudhës faturuese dymujore”.

  1.  Në shtojcën 1, pika 5.1, bëhet ky ndryshim: “faturimi për trafikun e kryer, për çdo tremujor kalendarik, do të bëhet sipas tarifave respektive kombëtare dhe ndërkombëtare”. Pra, periudha e rakordimit dhe faturimit nga dymujore bëhet 3 mujore, veprim ky i pajustifikuar.

3. Pika 5.4 ishte, “Për trafikun ndërkombëtar, në rast se Albtelekomi nuk e përmbush kërkesën e “Hermes”-it, për kapacitete shtesë dhe kapaciteti i interkonjeksionit, që shfrytëzohet është më shumë se 85 %, “Hermes” ka të drejtë të përdorë lidhjet e veta ndërkombëtare, duke i dhënë “Albtelekom”-it një tarifë deri në 0.5 lekë/minutë”.

4. Në shtojcën 1, në piken 1.3, bëhet ndryshimi: “Për trafikun e gjeneruar nga një zonë rurale në një tjetër zonë rurale, apo nga operatori rural tek operatorët “mobile” dhe anasjelltas, marrëdhëniet rregullohen midis palëve, ndërsa “Albtelekom” realizon tranzitimin e trafikut, i cili ia faturon “Hermes” me tarifën 0.5 lekë/minutë për këtë tranzitim”. Pra, në marrëveshjen e parë, kjo tarifë (0.5 lekë/minutë) ka qenë përcaktuar vetëm për trafikun ndërkombëtar, ndërsa në shtojcë është shtuar edhe për trafikun kombëtar, veprim i cili ka favorizuar haptazi interesat e operatorit, duke dëmtuar rëndë interesat financiare të “Albtelekom”.

  1.  Pika 3.9, ishte kështu: “Tarifat e Interkonjeksionit të përmendura në paragrafët e mësipërm, do të mbeten të pandryshuara për 4 vite, nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshje interkonjeksioni, por u ndryshua kështu me shtojcën Nr. 1 në pikën 4.3: “Tarifat e vendosura, qoftë për trafikun kombëtar ashtu dhe për trafikun ndërkombëtar, do të jenë subjekt ndryshimi sa herë që “Albtelecom” do të kryejë ndryshime në tarifat përkatëse të tij”.

 Ja përfitimet e firmës “HERMES” nga ndryshimet ilegale në kontratë

 1. Sipas dosjes hetimore që ka rihapur Prokuroria për firmën “Hermes” të ministrit Arben Ahmetaj, nga kontrolli i dokumentacionit për marrëdhëniet e interkonjeksionit, për periudhën kohore 1 Korrik 2001- 30 shtator 2003 është zbuluar se “Albtelekom” nuk i ka faturuar Operatorit “Hermes sh.p.k” vlerën 319 milionë e 846 mijë e 149 lekë, ndërkohë që “HERMES” i kishte gëlltitur dhe i kishte shitur impulset telefonike, duke e kaluar “me letra” këtë mos faturim, si “humbje teknike” për “Albetelekom” dhe si pasuri e falur për ministrin Ahmetaj.

2. Sipas dosjes që ka rihapur këto ditë Prokuroria për aferën e ministrit Ahmetaj me pasurinë shtetërore të “Albtelekom”, rezulton se për trafikun tranzit të realizuar në favor të “Hermes” nga “Albtelekom” sasia e impulseve është 8 milionë 598 mijë e 104 minuta biseda/impulse me çmim shitje për Hermes” me 0.5 lekë/minutë, ndërkohë që sipas Vendimit Nr. 9, datë 25. 02. 2002 të Këshillit Mbikëqyrës, kjo shitje duhej bërë me tarifë shtetërore ligjore 4 lekë/minuta. Bëni llogarinë matematikore dhe do të shikoni se sa gjigande është vjedhja e bërë në favor të firmës “Hermes”, të ministrit Ahmetaj. Vetëm nga ulja e çmimit të shitjes, “Albetekom” ka humbur 300 milionë e 93 mijë e 363 lekë, të cilat janë kthyer në pasuri për firmën “Hermes”.

  1.  Sipas dosjes që ka rihapur Prokuroria, firma e ministrit Ahmetaj e koduar “Hermes”, akuzohet me fakte dokumentare për përfitim të paligjshëm me pasojë vjedhje të financave shtetërore në miliona dollarë, nëpërmjet shërbimeve me blerje me tarifa abuzive të mbështetura edhe nga drejtuesit e “Albtelekom”. Ja çfarë thonë “letrat e zeza” të dosjes kriminale “Hermes”, që Prokuroria e ka nxjerr këto ditë sërish mbi tavolinë për ta çuar përpara drejtësisë:

4. Sipas dosjes hetimore, provohet vjedhja me abuzim tarifash telefonie fikse në trafikun tranzit të impulsive me përcaktim “lekë/minutë”, realizuar në drejtim firmës së shtetasit Arben Ahmetaj të quajtur “Hermes”, realizuar prej “Albtelekom” në sasinë 668 mijë e 142 minuta, me vlerë financiare 334 mijë e 071 lekë (tarifë e shitjes 0,5 lekë/minutë), me diferencë nga tarifa e miratuar shtetërore e përfituar jashtë ligjit prej “Hermes” me ulje 3.5 lekë për minutë (Tarifa sipas vendimit nr. 9, datë 25.02.2002 të Këshillit Mbikëqyrës është 4 lekë/minuta), për rrjedhojë “Hermes” rezulton përfitues i paligjshëm në 3 milionë e 384 mijë e 970 lekë, pa llogaritur vlerën e operatorit mobil AMC në sasinë 591 mijë minuta, me vlerë 23 milionë, 936 mijë e 593 lekë, vlerë e cila i është faturuar “Albtelekom”-it nga AMC si dhe vlera e Operatorit “Vodafon” në sasinë 76 mijë e 822 minuta, me vlerë 3 milionë, 109 mijë e 755 lekë, me vlerë totale përfituar nga “Hermes” në 27 milionë, 046 mijë e 348 lekë, vlerë e cila është trajtuar fiktivisht, si “shpenzime të “Albtelekom” për nevoja rikonstruksioni mjedisesh, sponsorizime këngëtarësh, teatrosh e reklama”.

5. Sipas dosjes që ka Prokuroria, në periudhën janar-dhjetor 2002, për trafikun tranzit të realizuar në drejtim të “Hermes” nga “Albtelekom”, firma “Hermes” është furnizuar me sasinë 3 milionë e 77 mijë e 721 minuta kohë bisede telefonie fikse, me vlere 1 milion, e 38 mijë e 860 lekë (me tarifë 0.5 lekë/minutë, nga 4 lekë e detyrueshme si tarifë e përcaktuar nga shteti). Shitja me çmim të ulur, në kundërshtim me ligjin, për llogari të firmës “Hermes” si përfituese është në vlerën 10 milionë 772 mijë e 023 lekë.

6. Dosja hetimore që ka rihapur Prokuroria, fakton edhe vjedhjen që firma “Hermes” ka bërë në muajt janar-shtator 2003, nëpërmjet çmimit abuziv të blerje-shitjes së impulsive prej “Albtelekom” me 0.5 lekë/minutë, nga 4 lekë/minutë e ligjëruar. Sipas dosjes, “Hermes” në këtë periudhë kohore, është furnizuar me 4 milionë, 852 mijë e 241 minuta/bisedë, me vlerë 2 milionë, 426 mijë e 120 lekë (blerë me tarifën 0.5 lekë/minutë), duke rezultuar me një përfitim të vjedhur në vlerën 16 milionë, 982 mijë e 843 lekë.

10 pyetjet për ministrin Ahmetaj, që nuk morën përgjigje

Në kuadër të dekriminalizimit të politikës dhe shtetit, “Telegraf” risjell në vëmendjen e opinionit publik një dosje të pluhurosur deri më sot nga drejtësia shqiptare. Porse, duke mbajtur parasysh se medalja ka dy anë, gazeta, në funksion të transparencës, por edhe paanshëmrisë (objektivitetit), nëpërmjet një shkrese zyrtare, i dërgon ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj një pyetësor, lidhur me materialin (dosjen e plotë) që gazeta ka në dispozicion në lidhje me veprimtarinë ekonomike (bizneset) e z. Ministër. Porse, z. Ahmetaj preferoi të heshtë.

Ja pyetjet, drejtuar ministrit të Ekonomisë z. Arben Ahmetaj:

 1. Z.Ahmetaj! A keni lidhje me firmën “Hermes” dhe a jeni të gatshëm të dëshmoni nëse dosja “HERMES” do të rihapet në kuadrin e kërkesës ndërkombëtare për DEKRIMINALIZIMIN e Kuvendit?

2. A ka përfituar firma ‘HERMES” nga aktiviteti i saj, në dëm të Albtelekomit, duke patur çmime preferenciale për çdo minutë kohë/bisede?

3. A mendoni se marrëveshja me Nr.4356, Prot. Dt.04.09.2000, mbështetur në licencën e lëshuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit me objekt shfrytëzimin e sistemit të zonave rurale, ka rënduar interesat kombëtare duke i shkaktuar shtetit një dëm prej afërsisht 50 milionë eurosh, e konvertuar në fitim nga “HERMES”?

4. Po shtojca Nr.1 e marrëveshjes me Nr. Portokolli 4308/1, dt. 20.07.2001 “Për shërbimin e Telekomunikacionit në Rrjetin Rural“, ndërmjet kompanisë “Hermes” dhe “Albtelekom” me ndryshimet në 5 pikat e saj, a mendoni se ka favorizuar kompaninë “Hermes” dhe ka ndëshkuar taksapaguesit dhe kompaninë shtetërore?

5. A mendoni se dhënia prej 0.5 lekë për minutë shtetit, fillimisht për trafikun ndërkombëtar dhe më vonë shtesa djallëzore “edhe për trafikun kombëtar” ka dëmtuar rëndë interesat financiare të “Albtelekomit”?

6. Mos pagesa e “HERMESIT” e vlerës prej 319 milionë e 846 mijë e 149 lekë të cilat “Hermesi” i kishte gllabëruar dhe shitur, janë llogaritur dhe justifikuar si “Humbje Teknike”?

7. Sasia e impulseve prej 8 milionë e 598 mijë e 104 minuta bisede/impulse është bërë me çmim 0.5 lekë, ndërkohë që vendimi Nr.9, datë.25.02. 2002 i Këshillit Mbikëqyrës e kishte përcaktuar me 4 lekë/minuti?

8. A keni një listë apo ndonjë faturë që vërteton pagesën e qirave për mjediset dhe pajisjet e ALBTELEKOM?

9. A keni qëndruar në një hotel jashtë Shqipërisë me ndonjë nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar të viti 2004, të dosjes “HERMES”?

10. A keni debatuar apo diskutuar me politikanë të majtë, kur këta të fundit kanë shfaqur opinionin e tyre në media: Ç’është ky “HERMESI “-i?

Nesër do të lexoni:

  1. A ka paguar qira “Hermes” për mjediset dhe pajisjet e “Albtelekom”
  2. Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar, 2004 për dosjen “Hermes” dhe lidhjet e tyre me Ahmetaj
  3. Cili është politikani i majtë që ka komentuar skandalin “Hermes” në media