Ministria e Financave rishikon buxhetin, ul shpenzimet

752
Ministria e Financave në një deklaratë për mediat sqaron se rishikimi i buxhetit ka për qëllim që të ulë shpenzimet buxhetore dhe jo të ulë buxhetin real të institucioneve.
“Objektivi kryesor i Aktit Normativ është akomodimi i diferencës së parashikuar në të ardhurat e buxhetit të shtetit, me kosto minimale në buxhetin e institucioneve buxhetore. Gjithashtu edhe akomodimi i ndryshimeve në buxhetin vendor, si rezultat i fillimit të efekteve të reformës së re administrativo-teritoriale. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë vlerësuar të jenë rreth 16.3 miliardë lekë më pak se parashikimi i fillimit të vitit. E rëndësishme është të theksojmë se ndryshimi i Aktit Normativ nuk ka ndryshuar totalin e deficitit të vitit 2015, duke ruajtur të njëjtin nivel të miratuar në fillim të vitit, në marrëveshje edhe me FMN-në” MF-ja sqaron se, “Shpenzimet e përgjithshme buxhetore, deri në fund të vitit 2015, parashikohet të jenë 456.4 miliardë lekë, pra 3.92 % më pak se plani fillestar i parashikuar në ligjin e 2015. Edhe pse shpenzimet buxhetore propozohen me ulje, ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me faktin se buxheti real i institucioneve nuk preket, por ndërhyrja është bërë në ato zëra, ku janë evidentuar kursime, ose ku shpenzimet, ashtu siç janë parashikuar, do të rezultonin me mosrealizime në fund të vitit” “Shpenzimet kapitale në këtë Akt Normativ mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, çka tregon se ekonomia është e sigurt në marrjen e stimujve të vet nga buxheti i vitit 2015. Në këtë zë janë miratuar disa rialokime, përkatësisht nga projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) tek ato me financim të brendshëm. Kjo si pasojë e ecurisë të ngadaltë të zbatimit të projekteve me financim të huaj për vitin 2015, kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm, drejt atyre me ecuri më të lartë. Si rezultat, investimet me financim të brendshëm për ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore rriten me rreth 5 miliardë lekë, por duhet pasur parasysh që kjo vlerë është akoma më e lartë po t’i shtojmë dhe fondet transfertë, që do të përdoren për financim investimesh, të tilla si: projekti i ndërtimit të stadiumit të ri “Loro Boriçi”, Shkodër me 1.5 miliardë lekë, fondi për zhvillimin e rajoneve me 500 milionë lekë, etj. “Shpenzimet Operative & Mirëmbajtje propozohet të rialokohen brenda grupeve ose midis grupeve të ndryshme nga një artikull në një tjetër, gjithnjë brenda limiteve. Nëpërmjet këtyre rialokimeve, janë bërë rregullime të ndryshme, të cilat lehtësojnë funksionimin dhe arritjen e objektivave të caktuara të ministrive dhe institucioneve të ndryshme buxhetore. Njëkohësisht, specifikisht për këtë vit është akomoduar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, programi “Zhvillimi i Sportit”, fondi prej 1.5 miliardë lekë në zërin “Transfertë për federatat”, i cili do të shërbejë për financimin e stadiumit të ri “Loro Boriçi” në Shkodër. Shpenzimet për pagesën e interesave të borxhit publik (të brendshëm dhe të huaj) propozohet të ulen me rreth 8.3 miliardë lekë. Kjo, kryesisht, si rrjedhojë e ecurisë së favorshme gjatë periudhës janar-qershor 2015 të ankandeve të letrave me vlerë të Qeverisë, si edhe si rrjedhojë e stabilitetit të kursit të këmbimit për të njëjtën periudhë. Shpenzimet për fondet speciale ulen me 400 milionë lekë, nga të cilat 800 milionë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe 200 milionë lekë në skemën e sigurimeve shëndetësore, kryesisht nga kursimet që rezultojnë në këto zëra për periudhën 6-mujore. Brenda këtij zëri shtohen 600 milionë lekë në skemën e kompensimit të ish-pronarëve, rezultat kjo i rritjes së të ardhurave nga procesi i legalizimit, për të njëjtën shumë. Fondi për zhvillimin e rajoneve rritet me 0.4 miliardë lekë, vlerësuar si një mekanizëm efektiv për realizimin e investimeve publike në nivel rajonal. Zëri “shpenzime personeli” (fondi i veçantë i pagave) ulet me 960 milionë lekë”,- thuhet në deklaratë.
“Si pasojë e parashikimit të mosrealizimit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore për 1 miliardë lekë, po me këtë shumë ulen edhe shpenzimet e pushtetit vendor. Në zërin “shpenzime të tjera” ulen 200 milionë lekë nga pagesa e papunësisë dhe i shtohen 200 milionë lekë ndihmës ekonomike dhe paaftësisë.Huadhënia për energjinë reduktohet me 2 miliardë lekë, si rezultat i disbursimit me të ngadaltë se parashikimi i kredisë për këtë sektor. Fondet rezerve/të kontigjencës ulen me rreth 548 milionë lekë. Vlen për t’u theksuar se shpenzimet për sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia nuk pësojnë ulje. Përkundrazi, rezultojnë me një rritje të qënësishme (Arsimi +1.3 miliardë lekë, Shëndetësia + 340 milionë lekë (duke përfshirë rritjen e nivelit të kontributeve), Bujqësia + 98 milionë lekë)”,- sqaron MF.
Sigal