Ministria e Financave: Ndërprerje e përkohshme e Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë

700
Ministria e Financave njofton se Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ) nuk do të jetë funksional nga data 19 – 28 shkurt 2016. Arsyeja e mos funksionimit të sistemit gjatë kësaj periudhe kohe është finalizimi i projektit të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës qendrore të sistemit SIFQ, nëpërmjet të cilit do të zëvendësohet e përmirësohet tërësisht e gjithë infrastruktura hardware e këtij sistemi. 
Kjo ndërprerje nuk do të mundësojë përkohësisht kryerjen nëpërmjet këtij sistemi të transaksioneve të zbatimit të buxhetit të njësive shpenzuese dhe arkëtuese të qeverisjes së përgjithshme. Por kjo nuk do të thotë që do të ndërpriten të gjitha veprimet e arkëtim pagesave publike.
Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim, i cili iu është vënë në dispozicion të gjitha njësive shpenzuese, në të cilin inkurajohen institucionet buxhetore të kryejnë ekzekutimin e të gjitha pagesave të muajit shkurt përpara datës 19 shkurt 2016. 
Ministria e Financave do të vijojë të kryejë transferta direkte qendrore nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, pagesa për Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Fondin Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), si dhe pagesat e shërbimit të borxhit. Ministria e Financave ka marre të gjitha masat për të kryer pagesa qendrore manuale edhe për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje oksigjen, gjak, ushqim, etj).
Ndërprerja e funksionimit të SIFQ është e domosdoshme për shkak të zëvendësimit të infrastrukturës ekzistuese me infrastrukturë të re më të përparuar, si domosdoshmëri për garantimin e mirëfunksionimit të sistemit SIFQ. Ky është investimi i parë i bërë në këtë drejtim që nga instalimi dhe funksionimi live i këtij sistemi. Investimi është kryer me fondet e buxhetit.
Ministria e Financave dëshiron të sigurojë të gjithë të interesuarit se janë marrë të gjitha masat që mos funksionimi i sistemit SIFQ gjatë periudhës 19 – 28 shkurt 2016 mos të ketë ndikim në kryerjen e shërbimeve tek institucionet buxhetore, tatimpaguesit dhe qytetarët. 
Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve të këtij sistemi për vështirësitë e përkohshme, ju falënderojmë për bashkëpunimin.
Sigal