Ministria, bashkive: Ja sa të ardhura duhet të parashikoni nga taksat

Ministria e Financave ka udhëzuar njësitë e pushtetit vendor që në planifikimin e projektbuxhetit 2018 dhe në programin afatmesëm 2018-2020 të reflektojnë ndryshimet që solli ligji “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. Ky ligj rrit pjesën që pushteti vendor përfiton nga disa taksa të veçanta. “Parashikimi i të ardhurave dhe taksat e tarifat vendore do të mbështetet në legjislacionin aktual në lidhje me taksat dhe tarifat vendore, si dhe në ligjin nr 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. Sipas përcaktimit të ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore, duke filluar nga viti 2018 njësitë vendore përfitojnë 25% e të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura si dhe 2 % të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2018 do të jetë afërsisht 5 % më e madhe se transferta e pakushtëzuar e buxhetit të vitit 2017”, thuhet në udhëzimin që është firmosur pak kohë më parë nga ministrja Helga Vukaj.

Udhëzimi plotësues shërben për të orientuar bashkitë në mënyrën sesi do të procedojnë për planifikimin financiar në buxhet dhe në programe afatmesme. Të gjitha këto njësi duhet që brenda datës 15 shtator të dërgojnë në Ministrinë e Financave dokumentin e programit buxhetor afatmesëm të rishikuar të miratuar nga këshilli i njësisë së bashku me një informacion mbi rekomandimet e dhëna nga Ministria e Financave gjatë fazës së parë. Për të kaluar në hallkën finale të miratimit që ka si afat datës 20 tetor njësitë dhe Financat zhvillojnë edhe një seri konsultimesh të tjera. Planifikimi në programe afatmesëm është cilësuar shpesh si një problem madhor i njësive vendore të cilat janë cilësuar si spontane në parashikime ndërkohë që synohej që përmes reformës territoriale por edhe asistencës nga projekte të ndryshme kjo të korrigjohej.