Ministri Ahmetaj në Çeki, takohet me homologun Jan Mladek

660
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi sot Kryeministrin Rama në vizitën e tij zyrtare në Çeki. Gjatë paradites Ministri zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin për Tregtinë dhe Industrinë, Jan Mladek, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunime të mëtejshme në shumë fusha. Një nga‎ sektorët kryesorë që për Ministrin Mladek paraqet interes për kompanitë çeke është projekti i gazifikimit dhe hidrocentralet. Ministri Ahmetaj theksoi se Shqipëria ka bërë një hap tejet të rëndësishëm sa i përket gazifikimit, me fillimin e punimeve të gazsjellësit TAP dhe ndërlidhjen e tij potenciale me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, IAP. Këto do të ishin, për Ahmetaj, mundësi shumë të mira për kompanitë çeke që të afrohen në tregun shqiptar. Ministri prezantoi iniciativat ligjore që qeveria shqiptare ka ndërmarrë‎ me impakt të drejtpërdrejtë në klimën e biznesit dhe investimeve, si ligji për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat, ligji për turizmin, ligji për zonat ekonomike apo ai për investimet strategjike. 

 Ahmetaj përmendi turizmin si një nga sektorët e rëndësishëm ku qeveria është fokusuar, për zhvillimin e sektorit, garantimin e incentivave ‎fiskale dhe proceduriale qe ofron ligji, por edhe paketa që po përgatitet. Ministri Mladek tha se Shqipëria është një destinacion turistik optimal ‎për turistët Çekë të cilët preferojnë turizmin malor dhe aventurën. Ministri Ahmetaj tha se ka një rritje të konsiderueshme në numrin e vizitorëve që kanë ardhur në Shqipëri në 6 mujorin e parë 2015 dhe në numrin e vizitorëve çekë në veçanti. Për Ministrin çek të Tregtisë dhe Industrisë, Çekia ka humbur një pjesë të mirë të tregut të saj tradicional jashtë Bashkimit Europian. Vende si Siria, Tunizia, Ukraina etj. kanë dhënë impaktin e tyre në rënien e volumit tregtar, i cili sot mbulohet mbi 80 % nga vendet e BE. Po kështu, Azerbajxhani që është partneri strategjik i Çekisë, është eksportues i naftës bruto, gjë e cila nuk i përgjigjet nevojës për diversifikimin e burimeve. Në këtë pikëpamje, Shqipëria përfaqëson një potencial real për bashkëpunim. Në përfundim të takimit, Ministri Ahmetaj ftoi palën çeke për organizimin e sesionit të bashkëpunimit ekonomik në 2016, për të vijuar me avancimin e projekteve dhe nismave të detajuara dhe konkrete qe u dakordësuan në sesionin e mbajtur në Qershor në Pragë. 

 Ndërkohë, pas takimit që u zhvillua mes Delegacionit shqiptar dhe atij Çek u firmosën 5 marrëveshje për bashkëpunim në sektorë të ndryshëm, ndër të cilat edhe Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit, mes MZHETTS dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal, e cila është ‎njëkohësisht ministria përgjegjëse për turizmin. Marrëveshja ofron mundësinë për shkëmbime të dhënash statistikore për turizmin, bashkëpunim në fushën e promovimit, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta mes agjencive turistike dhe shkëmbime ekspertësh të turizmit mes dy vendeve. Palët ranë dakord për krijimin e një Komiteti të Përbashkët Pune për zbatimin e kësaj marrëveshje, që do të propozojë dhe një program konkret pune për 10 vitet e ardhshme‎, sipas fushave dhe prioriteteve konkrete me interes të të dy palëve.
Sigal