Mimoza Lloji & Shefki Jaupi*/ Niveli i menaxhimit publik dhe KLSH

928
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit presupozon nivelin më të lartë të ushtrimit të  tij në një republikë parlamentare, siç është vendi ynë sot. Ai jo vetëm duhet të zbulojë shkeljet e ndryshme të administratës shtetërore në veprimet ekonomike e financiare, që kryhen në periudha të ndryshme kohore, por dhe duhet të japë zgjidhjet e duhura për të ardhmen, duke përmirësuar vazhdimisht kuadrin ligjor, për administrimin sa më të mirë të vlerave financiare, në të gjitha nivelet, ku shtrihet fusha e veprimit të tij. Në qendër të vëmendjes së punës sonë ka qenë e mbetet siguria e nivelit të menaxhimit, si dhe transparenca me publikun. Nga auditimi i kryer në DPM për periudhën 01.01.2011- 30.06.2013, arritëm në përfundimin se aktiviteti i Këshillit të Metrologjisë për periudhën e audituar ka qenë inekzistent, duke sjellë si pasojë shkelje të rënda të ligjshmërisë. Ky Këshill, nuk është mbledhur rregullisht, sipas përcaktimit në pikën 9, të Urdhrit nr. 517, datë 07.07.2008 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Metrologjisë”, i ndryshuar, pra puna e tij ka qenë jo efektive, duke mos kryer misionin, për të cilin është ngritur. Shkelja e ligjeve dhe e udhëzimeve që burojnë prej tyre, ka dëmtuar ecurinë normale të veprimtarisë së këtij institucioni. Përsa u përket transaksioneve financiare nëpërmjet Degës së Thesarit, bankës në lekë e valutë, si dhe veprimet e arkës në lekë dhe valutë, veprimet e kryera me arkë dhe bankë janë të rregullta dhe të shoqëruara me dokumentacionin justifikues. Veprimet e kryera me thesar janë kryer në zbatim të udhëzimeve të dala nga Ministria e Financave për fondet e buxhetit, sipas viteve dhe çdo muaj është bërë rakordimi i tyre me Degën e Thesarit, Tiranë. Ndërsa kryerja e shërbimit për siguracionin e automjeteve për vitin 2012 dhe 2013, është bërë në kundërshtim me Udhëzimit nr 2, datë 18.02.2008, “Për procedurën e prokurimit me vlera të vogla” (i ndryshuar). Nga komisioni nuk është bërë i saktë testimi i tregut duke favorizuar të njëjtën shoqëri, për kryerjen e këtij shërbimi. Kemi dy pamje të ndryshme, që plotësojnë treguesin e marrëdhënies më ligjin. Atëherë kur ligji njihet si duhet dhe kërkohet zbatimi korrekt i tij, shkeljet mungojnë, ndërsa, kur marrëdhënia më ligjin krijohet në mungesën e respektit për të, shkeljet bëhen pjesë e zakonshme e veprimtarisë së përditshme në institucione e ndërmarrje të ndryshme ekonomike. Le të vazhdojmë plotësimin e tablosë për logjikën e mësipërme. Për rekrutimin e punonjësve nuk janë zbatuar kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe kjo përbën një shkelje, që mund të shmangej, por që ka funksionuar si e tillë për shkak të voluntarizmit dhe aferave të dyshimta të përzgjedhjes së punonjësve, për t’u rekrutuar në vendet vakante gjatë kohës së provës e më tej. Gjithashtu, nuk janë miratuar kriteret për punësimin e punonjësve, sipas vendeve të punës, të përcaktuara në rregulloren e brendshme Kreu II, “Detyrat e Drejtorit të Përgjithshëm”, pika 13. Lëvizjet e shpeshta të punonjësve në kundërshtim me Kodin e Punës, për “zgjidhje të kontratës se punës, pa shkaqe të arsyeshme”, kanë penalizuar institucionin, duke i shkaktuar atij një dëm të konsiderueshëm financiar, si pasojë e veprimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”(i  ndryshuar), nga ish drejtuesit e DPM, për punonjësit e larguar nga detyra, të cilët me vendim gjyqësor kanë fituar të drejtën e pagesës, për periudha të ndryshme kohore. Në dokumentimin e të ardhurave të realizuara nga shërbimet për të tretët, DPM nuk ka realizuar të ardhurat për vitin 2011, nuk ka siguruar nga qendrat rajonale listat e subjekteve të reja, të rakorduar me drejtoritë rajonale tatimore (DRT) dhe,për rrjedhojë, subjektet e hapura rishtazi nuk janë pasqyruar në regjistrin kryesor të DPM-së sipas llojit të mjeteve matëse, ligjërisht të kontrolluara, tregtimi apo përdorimi i të cilave i nënshtrohet shërbimeve të sistemit meteorologjik, nuk ka planifikuar çdo tre mujor kontrolle periodike të përbashkëta me DRT-të ndaj subjekteve mbi zbatimin nga ana tyre të legjislacionit fiskal dhe meteorologjik në fuqi. Në shkelje të ligjit është dhe mungesa e database-ve me të dhënat e subjekteve, të cilat i nënshtrohen ligjit “Për Metrologjinë”. Mungesa në planet vjetore e një grafiku periodik për verifikimin, kontrollin apo marketimin e mjeteve matëse, ligjërisht të kontrolluara ka sjellë përsëri anomali të ndjeshme në zbatimin e ligjit dhe në mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj. Në lidhje me planifikimin e të ardhurave konstatohet se mungesa e grafikut periodik për shërbim kalibrim/certifikimin e instrumenteve matës ligjërisht të kontrolluara, ka sjellë si pasojë mos planifikimin e saktë të të ardhurave kundrejt realizimit të tyre. Nuk është zbatuar grafiku i certifikimit të mjeteve matëse në përdorim të meteorologëve të autorizuar, kërkesë e përcaktuar në nenin 30, të ligjit nr. 9875, datë 14.02.2008”Për metrologjinë” Lëvizjet e shpeshta të meteorologëve, kanë ndikuar në mos realizimin e planit për të ardhurat, si dhe mosvënia në funksionim të plotë e laboratorëve specifikë, për mjetet matëse, për arsyen e mos përfundimit në afat të ndërtesës së re të DPM. Mund të ishin shmangur, me një punë më të kujdesshme shkeljet e ligjshmërisë në fushën e mbajtjes së kontabilitetit dhe në fushën e prokurimeve, lidhjes së kontratave dhe zbatimit të tyre. Mbështetur në dokumentacionin e vënë në dispozicion, kontrolli i ushtruar vuri re se operatori ekonomik “…”, nuk ka plotësuar kërkesat e autoritetit kontraktor për pagesat e detyrimeve fiskale në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, kontributet të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat personale. Operatori ekonomik nuk ka paraqitur të plotë bilancin e vitit 2009, në përputhje me formatin e përcaktuar, pasi mungojnë pasqyrat (bilanci kontabël për vitin ushtrimor deri më 31.12.2009). Ligjet ekonomike janë të pamëshirshme dhe atyre janë të detyruar t’u nënshtrohen të gjithë, prandaj është fare e pa motivuar, që Drejtori i Përgjithshëm në kundërshtim me kreun VI,  neni 48 të ligjit nr. 9875, datë 14.02.2008 “Për metrologjinë”(i ndryshuar), nuk i ka raportuar Ministrit të METE, mbi veprimtarinë e inspektimit meteorologjik, raportim, në të cilin duhet të paraqiteshin masat e propozuara për përmirësimin e veprimtarive meteorologjike në të ardhmen. Kjo mangësi e pa shpjegueshme është shfaqur edhe te inspektorët meteorologë, në kundërshtim me kreun VI, neni 50, pika 2 të ligjit nr. 9875, datë 14.02.2008 “Për metrologjinë”(i ndryshuar), pasi ata nuk kanë hartuar programin e inspektimit, për çdo objekt, në të cilin të përcaktohen objekti, subjekti, metoda, periudha, afati, inspektori meteorolog dhe dokumentimi i rezultateve të inspektimeve, fusha e inspektimit. Sollëm në vëmendje të lexuesit në këtë shkrim disa probleme të shkeljes së ligjshmërisë në njërin prej objekteve të shumta të kontrollit tonë, por raste të ngjashme kemi vërejtur edhe në institucione të tjera, të cilat patjetër janë bërë shqetësimi ynë, jo vetëm për t’i konstatuar, por edhe për t’i ndëshkuar me mjetet që na jep ligji, deri në kallëzimin penal në prokurori për përgjegjësit e tyre, kur shkeljet kanë qenë të përmasave të mëdha. Është më se e kuptueshme, që kur Kontrolli i Lartë i Shtetit e kryen si duhet veprimtarinë e tij, edhe rezultatet do të jenë pozitive, duke bërë që shkalla e zbatimit të ligjshmërisë të vijë duke u rritur vazhdimisht. Prandaj dhe titulli i këtij shkrimi i parashihte rezultatet e punës sonë në përcjelljen e frymës së fortë të ligjit në punën e vetë këtij institucioni kushtetues, e cila rrezaton më pas gjithandej, duke u bërë jo vetëm djepi, por dhe fryma e respektimit të detyrimeve ligjore në punën e përditshme të çdo shtetari e punonjësi të administratës publike.

Kryeaudituese ne KLSH

Auditues i Lartë në KLSH