Çmimet e apartamenteve, BSH: Po rriten

Koha më e mirë për të blerë një apartament mund të ketë përfunduar. Banka e Shqipërisë deklaroi se pas pesë vitesh rënie, çmimet e banesave në kryeqytetet kanë filluar të rriten sërish.

Sipas Bankës, vitin e kaluar apartamentet në Tiranë u shtrenjtuan me 4.6 përqind krahasuar me një vit më parë, duke ju rikthyer tendencës rritëse për herë të parë që nga viti 2010. 

Aktualisht çmimet e banesave në kryeqytet variojnë nga 400 euro për metër katrorë në periferi deri në 2500, ose edhe 3 mijë euro për metër katrorë në lagjet elitare afër qendrës. 

Të dhënat tregojnë se vitet e fundit çmimet e apartamenteve kanë ndjekur zhvillimet e ekonomisë. Pas vitit 2009, kërkesa për apartamente ra në mënyrë të ndjeshme veçanërisht në Tiranë, por edhe në pjesë të tjera të territorit të vendit. Kjo bëri që çmimet e apartamenteve të hyjnë në një periudhe 5-vjeçare rënieje duke i dhënë fund rritjes dyshifrore të çmimeve që kishin shënuar para krizës.

Por sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa për apartamente duket se është rigjallëruar, e mbështetur nga forcimi i rritjes ekonomike dhe ai i të ardhurave familjare, çka ka rikthyer trendin rritës të çmimeve për banesat, ndonëse me ritme më të ulëta.