Mete: Nuk ndryshuam taksat e qarkullimit që vendosi “Berisha”

711
Sigal

TIRANE – “Opozita nuk mund të akuzojë qeverinë për taksat e qarkullimit dhe të karbonit për aq kohë sa ka qenë ajo vetë që i ka miratuar”. Kështu është shprehur Zv/ministri i Ekonomisë Ervin Mete sa i takon reagimeve që opozita ka bërë në lidhje me çmimin e naftës dhe taksave që paguajnë sot shqiptarët. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, taksat mbi naftën janë të njëjtat me ato të vendosura nga Qeveria Berisha.

“Sot kemi në fakt një çmim të ulur me 20%, kemi një naftë që kontrollohet më mirë në shitje qoftë në cilësi, qoftë në sasi. Pra vetëm nga kuponat tatimorë ne kemi 30% më tepër faturime seç ka pasur më parë. Rezulton se ato që thotë PD shpesh dalin të pavërteta. Qëndrimi i tyre në vazhdimësi është i pandershëm deri në papërgjegjshmëri, sepse nuk mbajnë përgjegjësi për situatën ku e sollën vendin. Qasja që ne kemi zgjedhur është që këto taksa do të reflektohen tek nafta dhe në fakt është një rrugë që e zgjodhi PD. Ata e vendosën taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, të cilat vazhdojnë të jenë aty”, është shprehur zv.ministri i Ekonomisë Ervin Mete.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur nga deputetë demokratë është propozuar heqja e taksës së qarkullimit.