Meta: Rritja ekonomike në 2015, 3.1% Ndërhyrje në energjetikë dhe turizëm

779
Sigal

TIRANE– Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaron se me reformën e nisur në sistemin energjetik në vend, stimujt në bujqësi, dhe me ndërhyrjet infrastrukturore në turizëm, qeveria do të arrije të ketë në vitin 2015 një rritje ekonomike më të larteë se 3 % , siç edhe deklaroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama kur prezantoi projektbuxhetin 2015. Duke folur në auditorin e mbushur me studentë të Universitetit të Tiranës, Meta ishte optimist për ketë rritje kur e cilësoi draftin e projektbuxhetit të miratuar një ditë më parë në Kuvend, si pozitiv për t’i ardhur në ndihmë qytetarit.
 
“Do të ishte mirë që të kishim bërë një mbështetje në këtë paketë edhe për sektorin e turizmit, i cili ndodhet në situatë të vështirë, por nuk mund të rriskonim më shumë, pasi jo pak lehtësira janë bërë për t’i dhënë prioritet për këtë vit bujqësisë, peshkimit, dhe stimulimit të industrisë përpunuese të kromit, naftës, etj. Trendi i rritjes së bujqësisë dhe i rritjes së eksporteve shqiptare është mjaft pozitiv, sidomos në fruta-perime. Jam i bindur se kjo politikë që po ndiqet do t’i japë rritje pozitive edhe sektorit të peshkimit e të blegtorisë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me sektorin e energjisë. Në sajë të reformave që janë ndërmarrë synohet t’i jepet fund keqadministrimit të sektorit të energjisë”, tha Meta.
 
Meta tha se ndërhyrjet e bëra nga qeveria janë të duhurat, kur iu referua gropës financiare që do të nevojitej të parashikohej në buxhet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit.
 
“Ekonomia jonë po shkonte drejt greminës, dhe rritja ishte shumë e kufizuar. Ishim drejt një borxhi të pakontrolluar. Buxheti i ri garanton rritje ekonomike. Për herë të parë kemi parë ulje të borxhit. Synohet një rritje më e madhe ekonomike në të ardhmen që të jetë më e lartë, mbi 4%”, tha Meta.
 
Kryetari i kuvendit Ilir Meta tha se sektori i Bujqësisë por dhe ai i turizmit janë prioritet në këtë projektbuxhet, ndërsa ka preferuar ta mbyllë me një batutë duke iu referuar kryeministrit Rama për investimet në infrastrukturë.
 
“Dhe Rama nuk është i kënaqur me ketë buxhet, pasi dhe ai do të donte më shumë investime”, tha Meta.