Më shumë se gjysma e ankimimeve për tenderët bëhen për policinë private

492
Sigal

Shërbimi i ofruar nga policia private në institucionet publike vijon të ketë problematika të mëdha, për sa i përket kryerjes së detyrave. Faktikisht ky shërbim i ofruar ka pasur ankesat më të mëdha që janë raportuar tek Komisioni i Prokurimit Publik gjatë vitit të kaluar. Në raportin vjetor të 2018-s, KPP raporton se numri i ankesave për këtë lloj procedure është rritur në raport me 2017-n, duke e vënë në vështirësi institucionin për shkak të volumit të lartë të punës. E gjithë kjo situatë ndodh në kushtet kur si nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik, ashtu edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, janë hartuar herë pas here udhëzime për mënyrën se si duhet të zhvillohen këto procedura për të shmangur kaosin që përfundon me ankesa. Duke iu referuar shifrave zyrtare të KPP rezulton se nga 1158 ankesa në total të bëra, të paktën 614 i përkasin shërbimit të sigurisë fizike. “Gjatë 2018-s, vijon që numrin më të madh të ankesave ta zënë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe shoqërim të vlerave monetare me 614 ankesa nga 1145 në total ose 53.6%, duke shënuar një rritje të vogël krahasuar me 50% që ka qenë pesha e këtyre ankesave në vitin 2017, por që gjithsesi është një volum i madh ankesash në raport me numrin total” thuhet në raportin e KPP.

Institucionet, ndaj të cilave ka më shumë ankesa

Komisioni i Prokurimit Publik ka bërë një renditje edhe të institucioneve ndaj të cilave ka pasur më shumë ankimime lidhur me sigurinë fizike. Sipas KPP-së, lista kryesohet nga:

  • Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me të paktën 58 ankesa,
  • Posta Shqiptare, me të paktën 34 e
  • Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me 12.

Arsyeja kryesore a ankimeve, kundërshtimi i kritereve të kontraktorëve

KPP gjithashtu ka bërë publike edhe arsyet e ankimimit ku rezulton, se kryesorja ka të bëjë me kundërshtimin e kritereve të përcaktuara nga kontraktorët. “Lidhur me kategorizimin e ankimeve sipas fazës së procesit për të cilin është paraqitur ankimi, rezulton se nga totali i ankesave të shqyrtuara:

  1. 225 ankesa ose 19.43 % e ankesave në total, janë paraqitur për kundërshtimin e kritereve të vendosura nga autoritetetet kontraktore në dokumentet e procedurave përkatëse,
  2. 916 ankesa ose 79.1% e ankesave në total, janë paraqitur lidhur me vendimet e autoriteteve kontraktore në fazën e vlerësimit të ofertave,
  3. 17 ankesa ose 1.47% e ankesave në total janë paraqitur lidhur me anulimin e shortit në procedurat për shërbimin dhe ruajtjen e sigurisë, anulimin e procedurës, korrigjim gabimesh” vlerëson raporti.