Mbyllje dyqanesh e papunësi, efektet e TVSH në biznesin e vogël

325
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, analizon pasojat zinxhir, nëse nuk do të rriten çmimet. Financat: Lista e sipërmarrjeve që do të mbeten jashtë skemës
Eksperti i ekonomisë dhe ish-ministri Zef Preçi u shpreh se biznesi i vogël do të ndjejë pasojat e vendosjes së Tatimit të mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa kërkoi transparencë më të madhe nga qeveria për këtë nisëm. Në një reagim pas takimit të ministrit të Financave me përfaqësues të biznesit të vogël, Preçi nënvizon edhe efektet negative zinxhir që mund të ketë përfshirja në këtë moment në skemën e TVSH-së. “Dëgjoj këto deklarime të ndryshme, edhe nga zyrtarë të lartë të qeverisë se përfshirja e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së nuk do të rrisë çmimet e shitjes me pakicë te konsumatori, dmth biznesi i vogël do të detyrohet të pakësojë të ardhurat e veta. Një numër pyetjesh të natyrshme lindin me këtë rast: Cili do të paguajë atë pjesë të TVSH-së të papaguar deri më sot, e cila në rastin më të mirë ka qenë evazion për biznesin e madh dhe e ardhur/fitim për biznesin e vogël? Dmth nga do të dalë kjo pjesë për të rritur të ardhurat tatimore të shtetit?”, shprehet eksperti. Sipas tij, në vështrimin aritmetik të problemit, do të ndodhë pak a shumë si me “ristrukturimin e çmimit të energjisë elektrike” që asnjëherë nuk u quajt me emrin e vërtetë: rritje e çmimit për konsumatorin final, biznesin dhe familjaret. “Futja e TVSH-së në biznesin e vogël do ta “ristrukturojë” tregun, pra do të mbyllë një numër të papërcaktuar biznesesh të vogla që nuk mund të vazhdojnë të mbijetojnë në treg për shkak të rritjes së kostos së të bërit biznes për ta dhe klientët e tyre do t’i drejtojë drejt supermarketeve, qendrave të biznesit, etj. Në këtë mënyrë edhe një pjesë e bizneseve të vogla do të shndërrohen nga të vetëpunësuar në punëkërkues, duke rritur “ushtrinë rezervë të papunësisë”, por edhe një numër pronarësh të dyqaneve të vogla në katet e para të hyrjeve të pallateve, etj., do të humbasin të ardhurat nga qiratë, etj”, nënvizon Zef Preçi. Ai shtron edhe disa pyetje lidhur me masën që qeveria pritet ta vërë në zbatim nga janari i vitit të ardhshëm. “A është ky interesi më i madh publik në ditët e sotme? Sa rriten të ardhurat buxhetore me këtë rast? Po kufiri i biznesit të vogël sa do të rritet? Cilat veprimtari biznesi do të vazhdojnë të mbeten jashtë regjimit të TVSH-së? Po te evazioni fiskal i biznesit të madh sa do të ngushtohet? Sa është shuma e pritshme e shtimit të të ardhurave buxhetore për këtë shkak? Në fund, përse qeveria nuk publikon draftim e ndryshimit të pritshëm?”, nënvizon Zef Preçi. Sipas tij, “të gjithë këto pyetje e pikëpyetje mbeten pa përgjigje, ndërsa “udhëheqësit” japin… lajmet”.

Bizneset që do të mbeten jashtë skemës së TVSH-së
Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me biznesin e vogël, është shprehur se futja e biznesit të vogël në skemën e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve, pasi ato i përcakton tregu, ndërkohë që ky proces do të strukturojë kontrollin ndaj bizneseve të mëdha me qëllim evitimin e evazionit fiskal. “Qëllimi nuk është të vendosim një procedurë, por të mos lejojmë biznesin e madh që të mos raportojë të ardhurat. Nuk do të ketë rritje çmimesh, nuk ndikon TVSH-ja, por ato i vendos tregu. Në konkurrencën e drejtë, çmimet reflektojnë të gjitha kostot qoftë ato administrative apo edhe ato fiskale. Ngarkesa që vjen nga TVSH do të jetë minimale. Çmimet kanë ndjekur rritjen dhe uljen e tyre normale me inflacion 1.5 deri në 2 për qind. Jemi përpara një procedure që ka ndodhur historikisht”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave ka folur edhe për fazën e tretë të aksionit anti-informalitet, ku është shprehur se logjika për të shtrirë TVSH është një logjikë anti-informaliteti. “Kemi shpallur fazën e tretë të informalitetit. Logjika e parë për të shtrirë TVSH është logjikë anti-informaliteti. Ju kërkoni shërbime të thjeshta dhe të shpejta nga qeveria, buxheti i shtetit duhet të marrë atë që i takon buxhetit të shtetit. Po ulim informalitetin, pasi ai përbën pabarazi dhe padrejtësi. Kjo është arsyeja pse kemi këtë instrument procedurial, nuk është taksë e re, nuk ndikon në çmim dhe nuk ngarkon sipërmarrjen e vogël”, tha ai. Ministri foli edhe një herë për shmangien e dokumenteve të shumta për biznesin, si dhe përmendi kategoritë që do të dalin nga skema e TVSH-së. “Do të shmangen një numër i madh dokumentesh, nuk do të paraqiten 6 tipologji dokumentesh në zyrat e administratës tatimore, gjë që ua bën më të lehtë procedurat sipërmarrjes. Nga TVSH do të përjashtohen zejtarët, berberët, taksistët, ambulantët përfshirë edhe ata në tregjet e bashkive. 60-65 mijë subjekte do të mbetet jashtë skemës së detyrueshme të deklarimit të TVSH. Shtrirja e TVSH është një ndihmë që i japim ekonomisë tonë për të kontrolluar biznesin e madh”, tha Ahmetaj. Ai deklaroi para bizneseve se tatimi mbi fitimin do të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm.