Mbetje s’ka, por Shqipëria e treta në Evropë për inceneratorë

646
Sigal

OBSH: Përdorimi i inceneratorëve për djegien e mbetjeve kancerogjene për trupin e njeriut

Shqipëria, e treta në Evropë për përdorimin e inceneratorëve, pavarësisht se nuk riciklon dhe ka pak mbetje

Shqipëria gjeneroi 436 kg mbetje për frymë për vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, duke u renditur mes vendeve që kanë një nivel të ulët të mbetjeve për frymë (në vend të 24 nga 38 shtete të raportuara). Në të kundërt, Eurostat e rendit Shqipërinë të tretën në listën e atyre pak vendeve evropiane që përdorin metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave. Në vend të parë është Gjermania, që ka përpunuara 27 kg/frymë, e ndjekur nga Sllovenia me 18 kg dhe e treta është Shqipëria me 7 kg për frymë. Në total janë vetëm 9 shtete që e kanë përdorur metodën e incenerimit për përpunimin e plehrave në 2017-n, sipas raportimit të Eurostat. Ky proces mbulon djegien e mbeturinave ku qëllimi kryesor i djegies është trajtimi termik i mbeturinave në mënyrë që të zvogëlohet vëllimi dhe rrezikshmëria e mbeturinave dhe të merret një produkt inerte. Përfitimi i energjisë përmes incenerimit apo landfillet janë opsionet më pak të preferueshme për mbetjet.

Organizata Botërore e Shëndetit: Djegia e mbetjeve, efekte toksike mbi njeriun

Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se gjatë djegies çlirohet dioksina që kanë një sërë efektesh toksikë në trupin e njeriut dhe klasifikohen si kancerogjene. Ato mund të japin efekt edhe tek pjesa hormonale dhe imune në trup. Niveli i përpunimit të plehrave përmes metodës së incenerimit në Shqipëri pritet të rritet më tej, pasi aktualisht në funksion është vetëm inceneratori i Elbasanit dhe në projekt janë dhe dy të tjerë në Fier dhe Tiranë, të cilat pritet ta çojnë kapacitetin përpunues në 130 kg për frymë në vit (shënim i Monitor, shiko nënndarjen: “Pak mbetje, shumë kapacitet për inceneratorë”) Ndërsa po nxiton me inceneratorët, Shqipëria ka bërë shumë pak për riciklimin, duke u renditur ndër të fundit në Evropë. Ajo riciklon vetëm 76 kg/frymë në vit, që është sa gjysma e mesatares evropiane prej 144 kg. përfrymë sipas INSTAT dhe në rënie në krahasim me disa vite më parë, kur psh në 2014-n riciklimi arrinte deri në 96 kg/frymë. Shqipëria renditet ndërkohë edhe ndër 10 vendet e para në Evropë lidhur me mbetjet e depozituara në landfille me 351 kg/frymë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat, nga 481 kg që është niveli më i lartë nga Malta.

Projektet e inceneratorëve në Shqipëri

Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan, me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh është tashmë funksional. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë. Inceneratori i Trajtimi i mbetjeve Fier ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 ton/ditë. Ky projekt ka nisur së fundmi ndërtimit, pasi u vonua për për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të fshatit Verri, të cilët nuk pranonin ndërtimin afër zonës së tyre, teksa i tremben ndotjes së ajrit dhe produkteve bujqësore. Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve Tirane, me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë. Projekti nuk ka filluar ende nga ndërtimi. Nëse të tre inceneratorët do të viheshin në punë, kosto totale në buxhet do të arrinte në rreth 40 miliardë lekë dhe kapaciteti total mesatar i përpunimit në rreth 1000 ton në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit.