Manjola Lleshi & Manjola Naço/ Roli i shoqërisë civile në sfidat e institucioneve supreme të auditimit

444

Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-Kontrolli i Lartë i Shtetit është SAI i Shqipërisë), si një pjesë e rëndësishme e sistemit të kontrollit, me kapacitetet profesionale dhe me praktikat e mjetet e duhura të kontrollit, shërbejnë për të ndihmuar forcimin e llogaridhënies, por në të njëjtën kohë ndikojnë në mirëqeverisjen e vendit. Nisur nga roli shumë i rëndësishëm në menaxhimin e financave publike dhe administrimin e pasurive shtetërore aktiviteti i këtyre institucioneve përcaktohet dhe garantohet kryesisht në kushtetutat e vendeve. Vitet e fundit kërkesat ndaj institucioneve supreme të auditimit janë zgjeruar duke synuar drejt vlerësimeve mbi performancën e punës së institucioneve qeveritare dhe funksioneve specifike të tyre. Pra mund të themi se vlerësimi i tre ‘e-ve’, ekonomicitetin, efiçiencën dhe efektivitetin, është udhërrëfyesi i misioneve të SAI-ve nën një kuadër modern. Nën këtë kontekst, institucionet supreme të auditimit, janë në kushtet e vlerësimit të një modeli të balancuar midis asaj që kërkon (njohin, pranojnë) publiku i gjerë dhe ligjvënësit nga auditimet (ligjshmëri dhe përputhshmëri), dhe tendencës drejt asaj që është e ardhmja e një institucioni modern, që auditimi të shkojë përtej modeleve klasike duke tentuar në vlerësimin e performancës së qeverisë si dhe vlerën e shtuar të transaksioneve qeveritare. Por ky rrugëtim i synuar përballet me sfida serioze sidomos kur duhet të kontrollojnë shpenzimet dhe vlerësojnë performancën e qeverisë. Kështu përmendim sfidat institucionale, të cilat janë të ngjashme me ato të institucioneve të tjera sidomos në vendet në zhvillim si kufizime në nivelin e fondeve në dispozicion, kufizime (limite) në burime njerëzore dhe si rrjedhojë e kufizimeve apo limitim të kapacitete profesionale sidomos në fusha specifike apo sfidat teknike, të cilat kanë të bëjnë me vështirësi në përditësimin dhe ndjekjen në kohë reale të zhvillimeve të teknologjisë së informacionit në procesin e auditimit. Nuk mund të lihen mënjanë sfidat politike të cilat kanë dy anë të kundërta nisur nga fakti se këto institucione të rëndësishme duhet të ruajnë pavarësinë e tyre por nga ana tjetër duhet të imponojnë zbatimin e rekomandimeve dhënë ekzekutivit. Aspekti tjetër i sfidës politike është se ato (SAI-et) nuk kanë autoritet të mjaftueshëm për të siguruar që auditimin, konstatimet dhe rekomandimet merren parasysh në procesin e menaxhimit të fondeve publike. Ka raste kur me misionet e tyre të auditimit, Institucionet Supreme, shtrihen në kohë dhe tentojnë të japin rekomandime të mira për të korrigjuar situata të caktuara apo funksione, por që injorohen apo nuk zbatohen plotësisht nga ekzekutivi. Së fundi, përmendim sfidën e komunikimit që ka të bëjë me përmirësimin e komunikimit me organizatat e shoqërisë civile, median dhe publikun por edhe legjislativin.
Duke qenë se tre sfidat e para janë përgjithësisht sfida që kërkojnë vullnet jo vetëm nga ana e SAI-ve por edhe nga qeveria dhe politika pra kanë si bazë një marrëdhënie shumë dimensionale, sfida më e manaxhueshme nga vetë këto institucione është sfida e komunikimit e cila ndikohet nga përqasja e drejtimit të lartë ndaj këtij aspekti.
Përgjithësisht komunikimi midis institucioneve supreme të auditimit dhe shoqërisë civile është pak i zhvilluar. Shkaku kryesor për këtë nivel të ulët komunikimi shikohet gjuha e vështire e auditimit, e konsideruar shumë teknike dhe tepër e vështirë. Ekspertët e kësaj fushe theksojnë se është stili i të shkruarit që mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjimin e interesit ndaj problemit që ngrihet. Nga ana tjetër, kërkesat gjithnjë në rritje për informacion shpjegues, të qartë, gjithëpërfshirës, por dhe propagandistik, si edhe kapacitetet jo gjithmonë në nivelin e këtyre kërkesave sjellin nevojën e një marrëdhënieje apo një mekanizmi pjesëmarrjeje të shoqërisë civile në proceset e auditimit.
Shoqëria civile shikohet nga SAI-t, si një mjet i rëndësishëm në adresimin dhe rritjen e vëmendjes institucionale ndaj rekomandimeve dhe në të njëjtë kohë ndaj çdo mungese vullneti për zbatimin e tyre. Në shumë vende shoqëria civile përdor gjetjet e auditimit për të ushtruar presion ndaj qeverive për të vepruar dhe të ndërmarrë masa korrigjuese. Ana tjetër e medaljes është se janë organizatat e ndryshme është shoqëria civile me rrjetet dhe ekspertizën e duhur që bëjnë të mundur denoncimin e rasteve të mundshme të korrupsionit apo abuzimit me fondet publike dhe raportimin tek Institucionet Supreme të Auditimit. Eksperiencat botërore tregojnë se organizatat dhe shoqëria civile mund të ndihmojnë jo vetëm në identifikimin e rasteve korruptive, apo zbulimin e tyre por në disa aspekte edhe në proceset e auditimit, veçanërisht në auditimet e performancës, një mënyrë auditimi sfiduese për këto Institucione në vendet në zhvillim.
Institucionet Supreme të Auditimit përditë dhe më shumë po tregojnë një frymë bashkëpunimi me shoqërinë civile. Duke lënë mënjanë skepticizmin e një numri zyrtarësh nga fusha e auditimit publik lidhur me bashkëpunimin me qytetarët ose grupimeve të ndryshme nga shoqëria civile apo dhe vështirësitë që paraqet një bashkëpunim i tillë, eksperienca ka treguar se një mjedis shoqëror i mirinformuar për gjetjet të auditimeve, efektet e tyre mbi financat publike dhe zhvillimet ekonomike të vendit si dhe një prezantim i qartë i thjeshtë dhe i kuptueshëm i rekomandimeve vlerësohet si një faktor shumë të favorshëm për SAI-et në realizimin e objektivave dhe kapërcimin e sfidave me të cilat përballet. Është fakt i pamohueshëm që organizatat dhe shoqëria civile mund të rritin ndjeshëm nivelin e mirinformimit të qytetarëve në fushën e menaxhimit të financave publike por dhe në mënyrë të shpejtë e në kohë reale.
Duke vlerësuar drejtë rolin që ka komunikimi në rritjen e vëmendjes ndaj problematikave të ndryshme lidhur me miradministrimin e fondeve publike por dhe bazuar tek eksperiencat më të mira nga vendeve me traditë të konsoliduar në fushën e auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përcaktuar këtë sfidë si një nga shtyllat e strategjisë së institucionit për periudhën 2013-2017. Nga ana tjetër duke përkrahur moton e INTOSAIT që “eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve”, aktiviteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk është fokusuar vetëm tek realizimi i auditimeve cilësore, por ka synuar një bashkëpunim të ngushtë me organizata profesionale dhe shoqërinë civile jo vetëm për të marrë sa më shumë nga ekspertiza e tyre por edhe duke kërkuar që nëpërmjet urave të komunikimit të arrihet të përcillet drejt ajo çfarë gjykohet se i shërben një mirëqeverisjeje. Kontrolli i Lartë i Shtetit në kuadrin e një vizioni dhe misioni të ri ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me OJF nga shoqëria civile, misioni i të cilave është rritja e transparencës dhe lufta kundër korrupsionit përkatësisht me Alternativën Civile, Qendrën për Transparencë dhe Informim të lirë, Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Transparency International, Lëvizjen Europiane dhe së fundi me Open Data Albania.
Të gjitha këto marrëveshje dhe përpjekje drejt një hapje të synuar për një institucion me konture europiane, kanë si qëllim lehtësimin e komunikimit me qytetarët dhe përdorimin e këtij komunikimi për tu përballur me sfidat e forcimit të pavarësisë por dhe futjes së rekomandimeve në rrugën e zbatimit. Nga ana tjetër në mënyrë që të rritet transparenca e punës dhe gjetjeve tona është bërë e mundur që përmbledhja e gjetjeve të raporteve të auditimit, rekomandimet bazuar në këto gjetje si dhe plani vjetor të auditimeve, të jetë informacion i disponueshëm në faqen zyrtare. Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, e gjitha kjo shikohet si një dimension kritik për të vlerësuar performancën dhe kontributet reale të tij në përgjegjshmërinë dhe efektivitetin e qeverisjes.