Malaj: Shqiptarët duhet të mësojnë, paraja s’rritet në pemë

1352
Monedha virtuale bitcoin ka mbërritur dhe në Tiranë. Fjala është për një valutë që ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryesh transaksione si me paranë e vërtetë. Në studion e “Ekopolitikë” të Aurora Sulçes, Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi” e sheh si një risk real sa kohë që investohet në një gjë që nuk është e kontrolluar dhe licencuar. Duke iu referuar piramidave financiare të vitit 1997, ai tha se në të gjithë konsulencat që kishte me të huajt për të shpëtuar Shqipërinë nga skemat piramidale që të mos ngjalleshin më, i është thënë: “Shqiptarët duhet të mësojnë që paratë nuk rriten në pemë”. “Lidhur me investimet financiare duhet shumë kujdes sepse tregjet financiare ndryshe nga të tjerat janë të rregulluara. Duke krijuar këtë lloj mundësie u japim oportunitete në rritje depozituesve, investitorëve shqiptarë por dhe biznesit të bëjë një investim financiar. Fakti që investohet në një gjë që nuk është e kontrolluar dhe licencuar rrit në maksimum riskun që investimi të jetë jo i suksesshëm”, tha Malaj. Sipas tij, përgjegjësia jonë është të mbrojmë aktivitetet e ligjshme. “Nëse një shqiptar do të marrë risk, atëherë unë nuk do t’i shtoja më shumë se dy këshilla lidhur me bitcoin: Një gjë që nuk e njeh loz aq pak sa humbja nuk të shkatërron dhe e dyta një lojë që nuk di ta lozësh mos u fut në atë lojë se bie viktimë. Në gjithë konsulencën që bëmë për të shpëtuar Shqipërinë nga skemat piramidale që të mos ngjalleshin më është thënë: Shqiptarët duhet të mësojnë që paratë nuk rriten në pemë. Që monedha të jetë e fortë duhet të ketë një të ardhur”, tha ish-ministri i Financave.
Sigal