Maksi Fejzulla: Të drejtosh një biznes është art, por dhe përkushtim

1282
Para disa kohësh në Londër, në pavijonin e nderit të “Qendrës së Iniciativave të Suksesshme të Biznesit Europian “më tërhoqi vëmendjen një firmë shqiptare “Korsel”, e cila ishte ekspozuar në një kënd të veçantë, ku ndodheshin sipërmarrjet më të suksesshme europiane me vlerësime maksimale. Pikërisht këtu, në këtë podium nderi ndodhej firma “Korsel” e shoqëruar me disa foto nga ceremonia zyrtare dhe presidentin e saj. E kisha vendosur prej disa kohësh që presidentit të saj, Maksi Fejzulla ta intervistoja dhe të sillja për lexuesin e “Telegraf” këtë eksperiencë të vyer të këtij njeriu sa të thjeshtë, por dhe po aq të suksesshëm…

Z. Maksi ju me profesion keni qenë ushtarak dhe sapo kini nxjerrë një libër për “Skëndërbegasit ndër vite”, një libër voluminoz me 700 faqe, së bashku me Kujtim Boriçin, si devijoi rruga juaj nga ushtarak në një president firme?

Ekonomia e tregut na vuri në start të gjithëve dhe ideja më lindi nga një domosdoshmëri e kohës. Pas ndryshimit të sistemit gjithsecili duhej të gjente veten me kushtet e reja që u krijuan. Kështu në vitin 1995, me vendim të gjykatës së Tiranës u regjistrua firma “Korsel”.

A mund të na flisni pak për fillimin tuaj?

Fillimi ishte i vështirë, pasi po shkelja në një rrugë të panjohur. Pas rregullimit të anës ligjore duhej të siguroje fronte pune, të merrje pjesë në tendera, të cilat organizoheshin nga institucionet shtetërore dhe nga fondacione të ndryshme me karakter ekonomik.

– A e mbani mend, se cili ka qenë tenderi juaj i parë?

Sigurisht që e mbaj mend, është si puna e dashurisë së parë, që nuk harrohet kurrë. Tenderi i parë që ka fituar firma “Korsel” ka qenë rruga “Shtikë – Butkë”, një rrugë e vështirë malore në rrethin e Kolonjës, e financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Më pas erdhi një tender tjetër për ujësjellësin e zonës së Liqenasit, më pas me kanalizimet e ujërave të zeza në Bilisht edhe këto ishin financime të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. 

Një kulminacion, ju e patët në shtator 1996 kur fituat tenderin për pastrimin e qytetit të Korçës dhe vazhdoni ta kini edhe sot dhe më pas, edhe pastrimin e një pjese të kryeqytetit?

Korçën, qytetin tim, e dua si i thonë asaj fjalës “me mish e me shpirt”. Që në momentin e parë, i vura detyrë vetes, detyrë që Korçën ta ktheja në një qytet model, të pastërtisë në gjithë vendin. Këtë lloj pune sistematike kam kryer edhe në Tiranë, pasi fitova tenderin edhe atje para disa vitesh… Më fal, desha të hap një parantezë: Unë kam një sentencë në jetën dhe punën time: “Më mirë të bësh një punë të mirë në jetë edhe pse ka raste që mund të humbasësh, se sa të bësh një punë të keqe që të sjell fitim”. Ky lloj fitimi është i përkohshëm dhe nuk ka vlerë, i del shpejt boja dhe të humbet krebilitetin, që e ke vënë me aq shumë djersë dhe mund. Për mua paraja nuk është qëllimi i jetës, por një mënyrë e ekzistencës. Nëse mësohemi për të parë gëzimin në çdo gjë rreth nesh, kemi gjetur kuptimin e jetës. Nëse ndaj jush do të ketë mirënjohje, atëherë kjo do të thotë se jeni një person i lumtur.

Një kupë e artë për të ardhmen. Në Londër ju keni hyrë në librin e nderit, si fitues i kësaj kupe të artë që fituesit në gjithë Europën numërohen me gishtat e dorës?

Ky trofe i artë është një përgjegjësi shumë e madhe. Drejtimi dhe menaxhimi i një firme është art, por dhe përkushtim. Asnjëherë nuk ka vend për vetëkënaqësi, vetëkënaqësia për një biznes është fatale… Pa dyshim unë do të theksoja ndihmën e madhe që më jep në firmën tonë bashkëshortja ime Diana, e cila është përkrah meje, në të gjitha drejtimet. 

A ndjeheni të lumtur për suksesin e kolegëve tuaj në biznes?

Sigurisht, ju shtrëngoj dorën, madje zilia tek unë është e huaj.

Ju vazhdimisht kërkoni përvoja të reja në punën tuaj?

Jam në kërkim të një ekuilibri mes punës dhe jetës private në familjen time, mundohem të jem racional, që edhe pjesëtarët e tjerë të familjes të ndjehen mirë.

Ju jeni gjithmonë në kërkim për të provuar veten dhe veprimtarinë tuaj?

Punë të ndershme dhe marrëdhënie korrekte me punonjësit e firmës… vetëm me punë arrihet suksesi.

Përse mendojnë për ju, se jeni të veçantë në kuptimin më të mirë të fjalës?

Dinjiteti dhe respekti do të zgjasë përgjithmonë në jetën dhe punën time.


Intervistoi: Bardhyl Berberi 
Sigal