“Made in Albania” fiton terren në Serbi, me Kosovën shifrat mbeten tradicionale

141

Gazeta Telegraf/

Merxhan Daci

 

Volumi i
eksporteve shqiptare gjatë vitit të shkuar drejt Kosovës shënoi shifrën e 152
milionë Euro, duke qëndruar si një nga partnerët kryesorë tregtarë. Eksportet
me Serbinë në vitin 2015 ishin jo pak, por 23 milionë Euro duke u bërë një nga
dhjetë tregjet kryesore për produktet “Made in Albania”. Rritja me 50 % në
krahasim me vitin 2014 e produkteve shqiptare drejt Serbisë duket se, po krijon
trendin e saj me tendencë gjithmonë për t’u përmirësuar. Eksportet me Kosovën
megjithatë janë ulur me nga rreth 6 % këto dy vitet e fundit pas rënies së
eksportit të materialeve të ndërtimit e metaleve si rrjedhojë e problematikave
doganore kryesisht nga ana e Kosovës. Dhe ky grup zë jo pak, por mbi 50 % të
totalit të shitjeve tona në tregun Kosovar. Ky grup-mall shënoi rënie edhe në
raport me Serbinë, pasi  kalimi i
mallrave shqiptare për në Serbi kalon nga Kosova dhe pikat e saj doganore me
Shqipërinë. Serbia ndërkohë është vendi i parë që eksporton më shumë në Kosovë,
ndryshe nga produktet shqiptare që destinacion më të preferuar kanë Italinë apo
vende të tjera të Bashkimit Evropian. Këtu duket se ekonomia shqiptare nuk i
bën dot ballë epërsisë që produktet serbe kanë në Kosovën me shumicë shqiptare.
Mineralet janë grup-malli nga i cili kanë nevojë më së shumti tregjet kosovare
dhe serbe prej Shqipërisë. Eksportet e tyre 
kaluan 62 milionë Euro si total në Republikën e Kosovës, ndërsa Serbia
për vitin 2015 sipas INSTAT bleu mbi 10 milionë Euro minerale nga Shqipëria,
grup-mall ky mjaft i kërkuar prej tyre. Serbia importoi prej Shqipërisë në
vitin e kaluar dy herë më shumë ushqime, pije e duhan ose 8 milionë Euro, prej
4 milionë nga viti 2014. Megjithatë duke parë potencialin, duket se tregu i
madh serb kërkon më shumë prej atij shqiptar, por  niveli i eksporteve shqiptare drejt Serbisë
krahasohet me ato drejt Malit të Zi, treg ky më i vogël e vend me të cilin kemi
më shumë partneritet ekonomik e politik. Serbia dhe Kosova duket se janë oazi i
eksporteve të frutave dhe perimeve shqiptare. Zarzavatet kryesojnë listën e
prodhimeve bujqësore shqiptare drejt tregjeve serbe kryesisht, por edhe
kosovare. Eksportet e perimeve me Serbinë u rritën me mbi 70 % në
gjashtë-mujorin e parë të vitit 2016 sipas INSTAT, ndërsa frutat shënuan rritje
me 90 %.  Plot 33 % e të gjitha
zarzavateve shqiptare në këtë periudhë u shit në tregun serb , duke u bërë
kështu një partner kryesor për këtë grup-mall ndërsa 21 % e prodhimit total të
zarzavateve  u eksportuan për në Kosovë. Tendenca
duket të shkojë drejt shtimit të kërkesave për prodhime bujqësore shqiptare në
Serbi , ndërsa në Kosovë rritja është e lehtë dhe e parëndësishme. Shtimi i
eksportit të perimeve në rajon është përkthyer me çmime më të larta për tregun
vendas dhe si rrjedhojë më të favorizuar janë tregtarët e fermerët sesa
blerësit. Eksportet drejt Serbisë janë ndihmuar edhe nga heqja e kufizimeve
doganore. Tashmë nuk ka më kuota për eksportet e prodhimeve bujqësore duke
shumëfishuar volumin e frutave dhe perimeve shqiptare në Serbi. Referuar të
dhënave të publikuara nga Instituti I Statistikave, në 5-vitet e fundit kohë
kur dy vendet kanë aplikuar marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA, eksportet
shqiptare drejt Serbisë janë deri 20 herë më të vogla në vlerë monetare se
importet. Kjo sepse eksportet tona drejt Serbisë janë kryesisht fruta dhe
perime ndërsa ne prej tyre importojmë kryesisht energji elektrike.