Ligji për kazinotë, Cani: Familja kërkesë që i afërmi të mos lejohet

789
TIRANE – Familja do të ketë në dorë që përmes një kërkese të bërë të mos lejojë që i afërmi i tyre të mund të lejohet të luajë në lojërat e fatit. Kjo është bërë e ditur nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani gjatë raportimit të tij në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese në lidhje me projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.
Në fjalën e tij, Ministri Cani tha se ligji në fjalë synon luftën ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal, luftën kundër efekteve sociale si dhe përmirësimin e kuadrit rregullativ. Duke treguar ndryshimet që pritet të sjellë ky ligj, Ministri Cani u shpreh se kaziontë do të vendosen jashtë qyteteve në pika turistike të caktuara, si dhe do të ketë një regjitër për lojtarët të cilët do të duan të luajnë në kazino.
Madje jo vetëm kaq, por siç u shpreh ai do të pranohet kërkesa nga familja e një lojtari që të mos lejohet të futet në kazinotë e cila do të shpërndahet në të gjitha pikat për t’u njoftuar. Ministri i Financave nënvizoi se do të ketë edhe një skemë të re taksimi ku tarifa për t’u licencuar do të variojë nga 40 mijë lekë në 1 miliardë lekë për kazinotë e mëdha. 
“Regjistër për lojtarët. Distanca e këtyre lojrave nga institucionet e arsimit dhe komuniteteve fetare. Është 10-fishuar distanca nga një pike basti në tjetrën, pra 200 metra për të gjitha. Kazinotë do të jenë vetëm nëpër pika turistike jashtë qyteteve. Lojërat e fatit online të palicensuara janë të ndaluara. Pranohet refuzimi lojtarëve ose familja kur kërkon që mos lejohet të futet. Kjo kërkesë do të shpërndahet në të gjitha pikat dhe ai nuk do të lejohet më. Do të ketë një skemë të re taksimi, lojërat e fatit përjashtohen nga TVSH, jo me pak se 40 mijë lekë do të paguhet për çdo nipt sekondar. Pra tarifa për t’u licensuar do të variojë nga 40 mijë lekë në 1miliardë lekë për kazinotë e mëdha” u shpreh Ministri Shkëlqim Cani
Duke u ndalur tek masat e marra nga qeveria në vitin 2013, Cani tha se ato kanë sjellë një ulje të informalitetit dhe evazion fiskal. Sipas Canit projektligji synon edhe një sistem monitorimi online në kohë reale, e cila do të nisë të funksionojë në vitin 2016.
“Luftë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, lufta kundër efekteve sociale, përmirësimi i kuadrit rregullativ. Nga masat e marra janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme lojërash fati në muajin tetor të vitit 2013. Janë kontrolluar 4 mijë subjekte ku janë marrë 118 masa administrative si dhe janë kallëzuar penalisht 35 raste për ushtrim aktiviteti pa licensë. Po ashtu janë rritur të ardhurat nga 47.8 përqind si rezultat i luftës ndaj informalitetit. Në këtë kuadër synohet kontrroll kohe real përmes sistemit të monitorimit online në 2016.” tha në fjalën e tij Ministri i Financave.
Nga ana e tyre edhe deputetët e mazhorancës mbështetën këtë nismë ligjore duke shtuar se në vitin 2016, Shqipëria do të mund të zgjohet pa lojëra fati. Deputetët gjithashtu kërkuan edhe rritjen e distancës ndërmjet pikave të basteve në më shumë se 200 metra, që është aktualisht.
Në mbledhjen e sotme munguan deputetët e opozitës të cilët nuk pranojnë të vijojë mbledhja në jetën parlamentare pa dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të deputetit Tom Doshi.
Sigal