Ligji i ri për akreditimin e spitaleve, klinikave dhe dentistëve

660
Sigal

Institucionet e kujdesit shëndetësor si; spitalet, klinikat mjekësorë private apo publike dhe klinikat stomatologjike do të duhet të akreditohen çdo 5 vjet për cilësinë dhe standardin që përfaqësojnë. Kjo gjë është përcaktuar në ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ligjit akreditimi është procesi i pavarur për vlerësimin e jashtëm të cilësisë, i cili përcakton nëse institucioni i kujdesit shëndetësor përmbush standardet e caktuara të cilësisë, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Përjashtim në këtë ligj do të bëjnë vetëm laboratorët mjekësore. “Vendimi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor jepet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, pas rekomandimit të Bordit të Akreditimit. Akreditimi i institucioneve të kujdesit shëndetësor është periodik, çdo 5 vjet, sipas përcaktimeve të bëra me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Mënyra e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, publik dhe jopublik, dhe afatet për procesin e akreditimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Procesi është një kërkesë të cilës çdo spital apo klinikë do t’i nënshtrohet menjëherë pas marrjes së licencës përkatëse. Nëse plotësohen standardet bazë të cilësisë për akreditim, institucioni i kujdesit shëndetësor fillon procesin e akreditimit. Në rast të mos përmbushjes së standardeve bazë të cilësisë për akreditim, institucionit të kujdesit shëndetësor i pezullohet licenca. Nëse edhe pas përfundimit të periudhës së pezullimit institucioni i kujdesit shëndetësor nuk ka përmbushur standardet bazë të cilësisë për akreditim, ministri përgjegjës për shëndetësinë vendos revokimin e licencës për ushtrimin e veprimtarisë. Procedura për pezullimin dhe revokimin e licencës së veprimtarisë, si dhe afatet përkatëse përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë”-përcaktohet në ndryshimin ligjor. Ministria e Shëndetësisë vitin e shkuar nënvizoi se procesi pritej që të mbyllej brenda 2018 por nuk ka një informacion të rifreskuar se deri në çfarë stadi është avancuar.