Legalizimet, Qeveria: Ja si do të kryhet pagesa e truallit

852
Sigal

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar  mënyrat se si do të kryhet pagesa e truallit të zënë nga persona që kanë ndërtuar pa leje, si do të përcaktohet çmimi i tokës në një zonë të caktuar dhe kush mund të përfitojë lehtësi në këtë drejtim.
Parcelat për banesa
Në VKM e miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë përcaktohet se çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje që shërbëjnë si shtëpi banimi do të llogaritet si përqindje mbi vlerën e truallit, që miratohet për çdo zonë të caktuar me VKM. Këtu përfshihen edhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje. Për banesat e ndërtuara pa leje çmimi për një metër katror është 50% e vlerës së truallit në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Brenda “vijës së verdhë” të komunave, kur çmimi për metër katror i përllogaritur është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1.500 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Ndërsa për bashkitë, kur çmimi për metër katror i përllogaritur është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2.000 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.
Për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, çmimi kufi për metër katror do të jetë 1.000 lekë minimum dhe 3.000 lekë maksimumi.
Objektet e përziera
Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme: sipërfaqja e parcelës, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social – ekonomik, shitet sipas vlerës së truallit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar më sipër për shtëpitë.
Kush përfiton falje
Nuk do të paguajnë për truallin ata që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik. Këta duhet të paraqitin dëshmi zyrtare përkatëse pranë drejtorisë së ALUIZNI-t. Ndërsa për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50%.
Personat që marrin ndihmë ekonomike përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës.
Mënyra e pagesës 
Shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes.
Pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare ose me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës.
Afatet
Për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë. Nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i ndërtimit pa leje. Kjo zbritje përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje. Nëse subjekti dëshmon se, brenda një viti nga data e njoftimit mbi pagesën e parcelës ndërtimore, ka kryer rregullisht shlyerjen e detyrimeve të furnizimit me energji elektrike, vlera e garancisë në masën 10% falet.