Lame: Qindra institucione publike kanë ndërtime pa leje, absurditet!

743
TIRANE – “Në vendin tonë ka qindra institucione publike të cilat kanë bërë shtesa apo ndërtime pa leje dhe kjo është absurde” Kështu është shprehur Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame në një dalje për mediat ku u ka “tërhequr veshin” të gjithë institucioneve publike që nga verifikimet e kryera kanë rezultuar se kanë ndërtuar pa leje.
Duke renditur të parin vetë institucionin që ai drejton për një shtesë kati në vitin 2008, Kreu i ALUIZBNI-t theksoi se në vendin tonë raste të tilla ku qindra institucione publike kanë bërë ndërtime pa leje, mes të cilave institucione të rendit arsimit por edhe vendore.
Sipas Lames kjo është absurde në një kohë kur shteti kërkon që të respektohet dhe zbatohet ligji, por është vetë që në radhë të parë e shkel atë. Por jo vetëm kaq, por Lame nënvizon se shumë prej këtyre institucioneve nuk i janë përgjigjur as thirrjes së ALUIZNI-t për vetë deklarim të tyre në mënyrë që të nisë procesi i legalizimit.
Në këtë kuadër Artan Lame u ka bërë thirrje të gjithë institucioneve publike që të nisin procesin e vetëdeklarimeve në mënyrë që të nisë legalizimi i tyre dhe të mos jetë e nevojshme marrja e masave ekstra ligjore.
“Që me 25 qershor 2014 i kërkuam në mënyrë kapilare të gjithë institucioneve publike të shpreheshin nëse kishin ndërtime pa leje. Pas përpunimit të të dhënave rezulton se janë disa qindra institucione publike që kanë ndërtuar pa leje. Në këtë listë do të rreshtoja të parin ALUIZNI-n që ka ndërtuar shtesë kati pa leje në vitin 2008. Është e palejueshme në një shtet ligjor. E keqja nuk mbaron këtu. Nëse kanë ndërtuar pa leje dhe u përfshinë në procesin e vetë deklarimeve, ekziston një numër i madh që përpos thirrjeve tona nuk e bënë vetë deklarimin. Në këtë listë ka institucione të rendit, të arsimit, duke vijuar me institucione vendore. Nuk e kuptoj si një bashki që lëshon leje ndertimi të ndërtojë vetë pa leje. Lista nuk është shteruese pasi ne po marrim të dhëna, por duam të tërheqim vëmendjen. E para askush nuk mund t’i kërkojë llogari të tjerëve duke mos qenë në rregull për vete. E dyta vetë deklarimi u bë për të shmangur arrogancën e shtetit. Përfshirja në procesin e legalizimeve do të mundësonte formalizimin dhe procesin e legalizimit. Pa këtë proces, ose këto prona mbeten të paregjistruara, që domethënë shteti nuk legalizon pronat e veta, ose do të përdorte masa ekstraligjore që do të ishte absurde. Bëhen investime pa leje ndërtimi. Duke qenë në këtë situatë i bëj thirrje jo më qytetarëve por institucioneve shtetërore që të respektojnë ligjin. Në do të bëjmë ndryshime ligjore, por është e domosdoshme që këto institucione të bëjnë zbatimin e ligjit.” tha në fjalën e tij kreu i ALUIZNI-t.
Sigal

Lame:Po, për Tiranën më hanë duart!

TIRANE – E ndërsa çështja e kandidatit të mazhorancës për Tiranën mbetet ende enigmë dhe mjaft e debatuar në opinionin publik, kreut të ALUIZNI-t Artan Lame “i hanë duart”.
Ka qenë vetë Lame i cili në një dalje për mediat, i pyetur nga gazetarët ripërsëriti edhe një herë dëshirën e tij për të qenë kandidat për kryetar bashkie i kryeqytetit, duke lënë të kuptohet se nëse kjo i ofrohet nuk do ta refuzonte.
Megjithatë ai tha se lidhur me kandidatin do të ketë një diskutim të gjerë brenda Partisë Socialiste për të zgjedhur kandidatin e duhur.
“Për Tiranën më hanë duart, e kam bërë publike se jam qytetar i këtij vendi, por jam në pritje dhe do të ketë një diskutim brenda partisë për të zgjedhur një kandidat të duhur.” tha Artan Lame