Lame: 1.3 miliardë për kompensimin e pronarëve, të cilëve u është zënë toka pa leje

679
Pronarët të cilëve u është zënë toka pa leje do të marrin 1.3 miliardë lekë për kompensimin e saj, para të cilat janë grumbulluar nga ALUIZNI pas pagesës së parcelave ndërtimore. Fondi në total i mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për periudhën 2014-2015 arrin në 1.9 miliardë lekë, nga të cilat 1.3 miliardë lekë shkojnë për pronarët. Procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kompensimit të pronarëve kryhen në përputhje me detyrimet e përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Për përfitimin e kompensimit duhet të plotësohen shtatë dokumente, të cilat dorëzohen në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila shqyrton dosjen dhe akordon kompensimin. Deri tani është kryer kthimi i së drejtës së pronësisë për 4.944 parcela ndërtimore, të zëna nga ndërtimet pa leje, dhe është dhënë shpërblimi financiar për 499 subjekte, pronarë të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet pa leje. Shifrat janë bërë të ditura nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.

Diskutimet
Kreu i ALIZNI-t, gjatë raportimit ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me tenderin për matjen e objekteve, duke theksuar se nuk ka konflikt interesi. Ndërsa, në lidhje me legalizimin e kateve shtesë në kate të pallateve të ndërtuara në zonat e mbrojtura, komisioni ra dakord që edhe këto ndërtime të përfshihen në procesin e legalizimit. I pyetur në lidhje me ndërtimet që po bëhen te Liqeni Artificial i Tiranës, Lame u shpreh se në këtë zonë po bëhet një krim.

Komisioni
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame, lidhur me raportimin e punës së këtij institucioni për periudhën janar-tetor 2015. Kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Artan Lame theksoi se legalizimi i ndërtimeve në zonat informale do të përfundojë brenda këtij mandati qeverisës. Lame vuri në dukje se deri në fund të vitit 2015 do të bëhen 20 mijë legalizime.
Sipas tij, aktualisht janë kryer rreth 446 mijë vetëdeklarime për ndërtime pa leje që prej vitit 2005, nga të cilat rezulton se 100 mijë janë rideklarime për të njëjtin objekt, ndërsa 200 mijë janë ndërtime që bëjnë pjesë në grupin e ndërtimeve në zonat informale dhe zonat urbane. Lame deklaroi “se në këto dy vite janë legalizuar rreth 40 mijë ndërtime dhe janë realizuar matjet për rreth 124 mijë objekte. Në një kohë që, nga viti 2006-2013 rezulton të jenë legalizuar 21 mijë ndërtime, gjysma prej të cilave duhet të rianalizohen, pasi janë në kundërshtim me ligjin”. Kreu i ALUIZNI-t theksoi se procesi i legalizimit po zhvillohet në transparencë të plotë dhe është një proces që i hap rrugë zhvillimit të vendit.

Kalimi i pronësisë
Procedurat e përditësimit në terren dhe hartimit të dokumentacionit. “Për të njëjtin hark kohor, janar-tetor 2015, është kryer evidentimi faktik në terren për 124.332 ndërtime pa leje. Kjo procedurë, përfshin përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe plotësimin e hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor (procesverbal, genplan, planimetri, hartë e përditësuar e zonës kadastrale etj.).
Sigal