Kuvendi ratifikon marrëveshjen me BERZH për by pass-et Vlorë e Fier

776
TIRANË – Kuvendi ratifikoi të enjten me 83 vota pro marrëveshjen e grantit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme nën fondin e veçantë të aksionarëve të BERZH-it, për by-pass-et rrugore të Fierit dhe Vlorës.
Qëllimi kryesor është arritja e një performance të lartë në menaxhimin e projekteve rrugore dhe sigurimi i këshillimit të asistencës të specializuar në zbatimin e projekteve dhe menaxhimin e kontratave që lidhen me projektin e investimit të rrugëve.
Sipas marrëveshjes, në funksion të zbatimit të projektit të ndërtimit të by-bass-it të Fierit dhe Vlorës, BERZH-i, me cilësinë e administratorit të fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme, nën fondin e veçantë të aksionarëve të BERZH-it, akordon këtë grant në shumën 250 mijë euro për mbështetjen teknike në formën e financimit të shërbimit të konsulencës. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në fjalën e tij gjatë senacës plenare u shpreh se janë 16 miliardë lekë që investohen këtë vit.
Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 83 vota edhe pr/ligjin “Për ratifikimin e akteve dhe dokumenteve të Kongresit të 25-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar DOHA 2012”. Në punimet e seancës së sotme Kuvendi ratifikoi me 83 vota edhe marrëveshjen e grantit me BERZH-in për investimin nga llogaria EU/IPA e by-pass-it Vlorë, për by-pass-in e Vlorës.
Me 86 vota pro Kuvendi miratoi edhe pr/rezolutën “Për vlerësimin e punës së institucionit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2014”, ndërsa me 83 vota pr/rezolutën “Për vlerësimin e punës së institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2014”.
Sigal