Kuvendi, Konkurrencës: Monitoroni kontratat koncesionare, kujdes me katër tregje

111

Autoriteti i Konkurrencës do të duhet të ndale fokusin e tij gjatë këtij viti tek monitorimi i kontratave koncesionare si dhe një sërë tregjesh të rëndësishme që kanë qenë pjesë e hetimeve apo monitorimeve edhe më herët.

Në rezolutën që vlerëson veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2018, Kuvendi i Shqipërisë ngarkon këtë institucion me një sërë detyrash të cilat duhet të mbahen parasysh. Kështu së pari Kuvendi rendit si më të rëndësishme për Konkurrencën monitorimin e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna në tregjet e hetuara gjatë vitit 2018 e veçanërisht për kontratat koncesionare në fuqi që sjellin deformime të konkurrencës në treg duke evidentuar   dhe   përllogaritur   dëmin   apo përfitimin real të konsumatorit publik. Së dyti është kërkuar që të mbikëqyret dhe të dilet me rekomandime konkrete për tregjet me sensitivitet të lartë publik e ndikim social si: tregu bankar, tregu i shërbimeve  spitalore dhe tregu  farmaceutik,  si  dhe sektori i arsimit të lartë publik dhe privat.

E njëjta rezolutë vlerëson se ka nevojë për rishikim të legjislacionit duke e përafruar atë me pjesën e Bashkimit Europian. “Të nisë rishikimin e ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, me fokus përputhshmërinë e plotë  me legjislacionin e BE-së në fushën e konkurrencës, ne kuadër  të përgatitjes për anëtarësim në  Bashkimin Europian, përshtatur me  kushtet  e  reja  të  zhvillimit  ekonomik  të  vendit tonë” thuhet në rezolutë.

Nga ana tjetër Konkurrencës i është kërkuar që të vijojnë zbatimin  e  detyrimeve  që  rrjedhin nga Plani Kombëtar i  Integrimit Evropian  (PKIE) në   drejtim   të   përafrimit   të   legjislacionit   me direktivat europiane në fushën e konkurrencës si dhe të përqendrohet në trajnimin e stafit të AK-së në lidhje me vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të    veçanta    dhe    sidomos    në    vlerësimin    e procedurave të prokurimit publik për marrëveshjet e ndaluara në oferta. Autoriteti i Konkurrencës raportoi se në vitin 2018 zhvilloi 23 (njëzet e tre) procedura monitorimi nga qiradhënia e ambienteve për magazinim tek sigurimet dhe shërbimet bankare. Po kështu zhvilloi tre studime dhe hapje hetimi në sektorin e arsimit, profesionet e lira dhe shërbimin spitalor. Të paktën 16 procedura hetimore si dhe u dhanë 87 vendime nga Komisioni i Konkurrencës.