Kuponi tatimor, survejim qytetarëve

Nis ndëshkimi i qytetarëve, gjoba nëse nuk marrin kuponin

Tatimet deklarojnë se do të penalizojnë me 1 mijë lekë të gjithë ata blerës që thyejnë ligjin. Ekipe të posaçme do të vigjilojnë në pikat e shitjes 

Qytetarët do të jenë objekt i tatimorëve, gjatë aksionit kundër informalitetit që nis ditën e sotme. Tashmë, jo vetëm bizneset, por edhe qytetarët e thjeshtë do të vihen në shënjestër të ekipeve të posaçme për të verifikuar nëse është tërhequr ose jo kuponi tatimor. Drejtues të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve u shprehën se kushdo që bën një blerje dhe nuk tërheq kuponin tatimor do të përballet me gjobë. “Qytetarët do kontrollohen, kanë detyrim ligjor të tërheqin kuponin. Në momentin që qytetarët nuk e tërheqin kuponin sigurisht që ka një penalitete që është 1 mijë lekë për ata që thyejnë ligjin”, u shprehën drejtues të tatimeve. Sipas burimeve nga Drejtoria e Tatimeve, grupet e kontrollit do të zgjedhin forma të ndryshme për të kontrolluar qytetarët. Një prej tyre do të jetë prania në pikat e shitjes, kryesisht markete apo dyqane. Megjithatë, qytetarët mund të kontrollohen për marrjen e kuponave edhe në dalje të dyqaneve apo në një zonë të afërt të tyre. Por qytetarët nuk do të jenë vetëm nën vëzhgimin e tatimorëve, por skema synon edhe angazhimin e strukturave të tjera të lidhura me tatimet. “Jo gjithmonë do hyhet direkt në ambientin e biznesit, por do të pyeten qytetarët që sapo kanë marrë një shërbim në atë njësi, të cili më tej mund të jenë dhe objekt i kontrollit. Janë skema që përdoren në gjithë botën, ka punonjës të administratës tatimore, por jo vetëm, që hyjnë në një aktivitet. Qëllimi është jo të penalizohet qytetari, por të jetë pjesë e aksionit dhe palë me administratën tatimore”, sqaruan drejtues të tatimeve. Një masë e ngjashme nisi të zbatohet edhe dy vjet më parë, por ndeshi në një reagim të forte dhe më pas u tatimorët hoqën dorë nga ndëshkimi i qytetarëve. 

Ndërkohë dje, një ditë para fillimit të aksionit kundër informalitetit, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i kërkoi administratës fiskale dhe inspektorëve në terren që të ndalin abuzimet. “Aksioni anti-informalitet, nuk është një aksion për të mbledhur para për buxhetin e shtetit, sepse mbledhja e taksave dhe të ardhurave ka në themel parimin e vetëdeklarimit dhe vullnetarizmit. Aksioni anti-informalitet ka në fokus kryesisht korsinë e komunikimit dhe të edukimit të tatimpaguesit dhe sigurisht, të sondimit të zbatueshmërisë së ligjit në sektorë të ndryshëm të cilët dalin në platformën tonë të menaxhimit të riskut, me risk më të lartë sesa dilnin më parë, për shumë arsye të cilat janë të kategorizuara dhe të standardizuara brenda asaj që ne e quajmë platforma e menaxhimit të riskut”, tha Ahmetaj. Ai shtoi se është detyrë e administratës fiskale, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Inspektoratit të Punës, që të reflektojnë në terren një zbatueshmëri shumë këmbëngulëse të ligjit dhe një modesti maksimale në përqasje me qytetarët dhe sipërmarrjen, për të reflektuar filozofinë e një qeverie të tërë, e Kryeministrit, që administrata të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të sipërmarrjes. “Ju garantoj që nuk do të tolerohet asnjë sjellje e padenjë, e jashtëligjshme, arrogante, e administratës tatimore, doganore apo inspektoratit kundrejt tatimpaguesve. Kjo është taksative”, tha ministri.

Grupe të përbashkëta pune do të bashkërendohen mes tatimeve, doganave dhe inspektoratit të punës, duke pasur kryesisht në fokus biznesin e madh, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe biznesin e vogël, duke realizuar kontroll të plotë në gjithë zinxhirin e transaksioneve deri tek konsumatori final. 

Emigrantët, kushtet për pensionin në Itali
Shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar në Itali kanë mundësinë të fitojnë pensione sipas kohës që kanë paguar edhe kontributet. Drejtuesja e zyrës së hapur nga shteti italian në Shqipëri thotë se e drejta vjen nga ligji italian i pensioneve. “Sistemi kontributiv fillon që nga data 1 janar 1996, ndërsa sistemi retributiv përfshin pensionistët që kanë filluar punë në vitet ‘90-‘91, kur ka qenë fluksi i emigrantëve të parë”, deklaron për TCH Beskida Aliaj, drejtuese e Patronato INAS CISL Albania. Por çfarë kushtesh duhet të përmbushin pensionistët shqiptarë për të marrë pension edhe nga Italia? “Kushti i parë është mosha 66 vjeç e 7 muaj dhe kushti i dytë është minimumi 5 vite kontribute”, sqaron Aliaj. Ajo thotë se për të aplikuar në IMS, ndryshe instituti i sigurimeve shoqërore italiane, që është ekuivalent me institutin shqiptar të sigurimeve, kandidatët për pension italian duhet të ndjekin këtë rrugë institucionale. “Duhet që këta persona të çregjistrohen nga komuna ku kanë jetuar më parë, mbledhja e të ardhurave të familjes, një kod fiskal dhe një kartë identiteti”, nënvizon Aliaj. Shqipëria ka firmosur marrëveshje me disa shtete për të mundësuar që emigrantët, të cilët kanë punuar jashtë vendit, të përfitojnë pagesat e pensioneve. Së fundmi një masë e tillë është firmosur edhe me Gjermaninë, ndërsa pritet ende zgjidhja e këtij problem Greqinë, ku kanë punuar e punojnë një numër shumë i madh shqiptarësh.