Kriza në Greqi, Sejko: Bankat në vendin tonë nuk janë të rrezikuara

687
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për “Top Channel” ka deklaruar se Shqipëria dhe bankat në vendin tonë nuk janë të rrezikuara nga një faliment i Greqisë. Sipas tij, mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, por këto fenomene kanë ekzistuar edhe më parë. Sipas tij, ndikimi kryesor është në aktivitetin e import-eksporteve dhe në rënien e mëtejshme të remitancave që do të ishte e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë.
“Sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend. Bankat shqiptare me kapital grek janë filiale, nuk janë degë të bankave greke. Kemi marrë masa që nga pikëpamja ligjore dhe organizimi i tyre, të kenë një pavarësi nga bankat greke. Bankat shqiptare me kapital grek në Shqipëri janë me tepricë likuiditeti dhe me tepricë kapitali. Pra, janë të mirëkapitalizuara. Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren. 
Është rreth 17%, kundrejt 12% që ne e kemi si kërkesë rregullatore. Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100% depozita të shqiptarëve. Ne kemi marrë masa që të jemi me tepricë likuiditeti dhe nuk parashikojmë asnjë problematikë. Mund të ketë dhe zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Kemi vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi”, u shpreh Sejko.
Sigal