Kriza ekonomike, mbeten pa punë gjysma e anijeve

792
Kriza ekonomike globale tashmë ka prekur edhe sektorin e transportit detar vendas pasi pjesa më e madhe e anijeve kanë disa javë që kanë mbetur pa punë. Ato po qëndrojnë të ankoruara nëpër kalata si dhe në radën e jashtme të portit pasi për to, nuk ka pasur oferta nga ana e grosistëve të cilët transportojnë mallra si nga importi ashtu dhe për eksport. Një pjesë e mirë e pronarëve të mjeteve lundruese kanë nisur të përgjysmojnë ekuipazhet e tyre dhe kanë mbajtur në punë vetëm një pjesë e cila është e domosdoshme për mirëmbajtjen e këtij arsenali, ndërsa disa të tjerë i kanë nxjerrë anijet në shitje. Më të lumtur kanë qenë ata të cilët kanë gjetur punë me kohë nëpër vende të tjera madje jashtë kontinentit duke punuar transit për subjektet e këtyre vendeve.
Që me nisjen e krizës ekonomike globale, duket se nuk ka mbetur pa prekur edhe sektori transportit detar i cili përballon 70 për qind të import-eksportit tek ne. Që nga muaji shtator dhe deri më sot 2/3 e anijeve kanë mbetur pothuajse pa punë dhe kanë hedhur spirancat si në port ashtu dhe në radën e jashtme të tij. Burime nga Drejtoria e Regjistrit Detar Shqiptar thane se “flota jonë e transportit detar përmban në arsenalin e saj 30 anije me një kapacitet total prej 150 mijë tonësh, ku prej tyre 20 anije i përkasin portit të Durrësit dhe 10 të tjera porteve të Vlorës dhe të Sarandës”. Këto mjete transportojnë kryesisht mallra të përdorimit të gjerë dhe industrial duke filluar që nga drithërat e bukës, orizi, sheqeri, lënda e parë për prodhimin e vajit,si dhe lëndë ndërtimi ku bëjnë pjesë çimento, hekuri, tullat, tjegullat e të tjera produkte të këtyre kategorive. Për shkak të bllokimit të mjaft prej bizneseve në plan ndërkombëtar, këto anije kanë mbetur pa punë. Një prej armatorëve, me 2 anije në pronësi, tha për “Telegraf” se “unë dhe shokët, kemi disa javë që kemi mbetur pa punë pasi biznesmenët të cilët kanë qenë të lidhur me ne për transporte mallrash e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre”. Një situatë e tillë ka nisur të ndjehet prej muajsh. Me sektorin e import-eksportit është i lidhur një zinxhir i gjatë subjektesh të cilët kanë mbetur pa punë. Të tillë janë kamionistët, grupet e ngarkim shkarkimit,agjencitë detare, pilotazhet e të tjera hallka më të imta. Kjo situatë i ka detyruar armatorët të reduktojnë ekuipazhet e anijeve të tyre dhe të mbajnë nga 3 apo 4 marinarë sa për ti mbajtur ato në gjendje pune në mënyrë që të mos amortizohen. Një pjesë e tyre tashmë i ka pasqyruar mjetet lundruese në rrjetin e internetit me të gjitha të dhënat dhe cilësitë e lundrimit dhe i ka shpallur ato në shitje. Këtë procedurë po e ndjekin sidomos ata armatorë që kanë në pronësi më shumë se 1 anije. Kjo situatë ka ndikuar natyrisht edhe në uljen e të ardhurave të portit të cilat akumulohen prej shërbimeve që ai ju ofron anijeve dhe trageteve. Në port u shprehën se “ kjo situatë nuk duhej të ishte arsyeja që të detyronte bordin drejtues që të vendosë rritjen e sistemit të taksave për shërbimet kundrejt anijeve, por të aplikonte uljen e tyre”. Porti Durrësit aktualisht ka rritur taksat, dhe është porti më i shtrenjtë në taksa se edhe portet greke dhe malazeze.
Sigal