Kriza ekonomike çon drejt falimentimit mbi 6100 biznese

894
Sigal

Aksioni anti-informalitet – Mbi 6100 biznese nën kontroll nga tatimet, ja më të rrezikuarat

Teksa aksioni i dytë madhor anti-informalitet ka nisur me urgjencë pas kritikave të bëra nga kryeministri, për nivelin e ulët të vjeljes së taksave dhe praninë e shumë bizneseve të padeklaruara, duket se kontrollet do të fokusohen në 6100 biznese, të cilat paraqiten me risk të lartë evazioni. Kështu është konfirmuar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila në një prononcim për mediat vuri theksin tek kontrollet që do të ushtrohen tek subjektet që operojnë në sektorin e turizmit, kryesisht bare, restorante dhe hotele. Sipas ministres është hartuar një plan punë lidhur me sektorët ku do të fokusohen kontrollet, ndërsa janë rishikuar edhe kriteret e riskut që paraqesin bizneset me qëllim luftën kundër informalitetit. “Janë 6100 biznese në një sektor, te cilët ne i evidentojmë dhe i kemi sot në vëmendje më të shtuar sesa disa muaj më parë, por kjo nuk do të thotë që ne eliminojmë dhe gjithë punën tonë rutinë. Ky numër nuk qëndron konstant. Unë shpresoj të ulet. Kjo luftë kundër informalitetit është një pjesë e ndërgjegjësimit, por është e rëndësishme për të thënë që koha ku hotele në “Booking” janë të regjistruara dhe nuk regjistrohen në QKB ka mbaruar. Ne fakt ne kemi evidentuar katër sektorë kryesor. Plani operacional filloi në muajin Prill me sektorin e hoteleri-turizmit dhe vijon tani me sektorin e ndërtimit, me sektorët të cilët janë brenda akcizës, karburantet, pijet dhe cigarja, ku ne mendojmë që ka një evidencë më të shtuar të riskut se sa në sektorët e tjetër.”- deklaroi Denaj, e cila mohoi që ky plan operacional ka lidhje me përfundimin e periudhës zgjedhore. Sipas saj ka mbaruar koha e ndërgjegjësimit të biznesit, ndaj ministrja u shpreh e prerë në ndëshkimin e subjekteve që nuk respektojnë ligjin. Plani operacional nënkupton që të gjithë bizneset të cilët në matricën e riskut kanë elemente të evidentuara për shkelje të ligjit, të shkohet dhe të kalohet në masa disiplinore. Ndërgjegjësimi nuk mund të jetë i vetmi instrument, këtë e kemi bërë. Evidencë u bë që në muajin Prill, ku menduam që pjesa e ndërgjegjësimit nuk ishte e vetmja mënyrë për të punuar, ishte edhe për të marrë masa. Kuptohet, riorganizuam punën për të parë sektorët me risk më të lartë dhe jemi sot duke ushtruar. Elementët politikë, le të themi, që kjo është post-zgjedhje, këto nuk mund të ekzistojnë. Kjo është pjesë e një pune operacionale, nuk ka të bëjë me zgjedhjet, ka të bëjë vetëm me procesin e administratës tatimore, e cila është duke ndjekur matricën e riskut, planin operacional për sektorët kryesorë. Situata në mbledhjen e të ardhurave nuk është optimiste. Në 6 muajt e parë në arkën e shtetit mungojnë plot 30 milion euro.