Krijohet Agjencia e Tenderëve, ja procedurat e blerjeve

1213
Qeveria vendos ngritjen e një strukture për blerjet e përqendruara të kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve për mallra e shërbime
Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë mënyrën e blerjes së mallrave dhe shërbimeve për institucionet shtetërore. Sipas një vendimi të qeverisë, tashmë do të funksionojë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në varësi të ministrit të Brendshëm. Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve. Agjencia e re do të drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri i Brendshëm. Gjithashtu, qeveria ngarkoi Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve. Ndërkohë, deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas vendimit të ri, Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara do të vazhdojë funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar.

Lidhur me blerjet e parashikuara, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë apo do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me ardhjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore. Do të jenë autoritetet kontraktore, që brenda 5 ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, duhet të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për mallrat e shërbimet përkatëse. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor të përcaktuar në këtë pikë. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, e të hartojë katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm. Ndër të tjera, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në raste përjashtimore, mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një autoritet a një grup autoritetesh kontraktore, mallra a shërbime, që nuk janë përcaktuar në vendimin e djeshëm të qeverisë. Agjencia, në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, verifikon arsyet e vonesës dhe shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa. Ajo duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton vonesa në paraqitjen e kërkesave nga autoritetet kontraktore, pas publikimit të njoftimit të kontratës. Sipas vendimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka të drejtë të monitorojë në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik. Vetëm për këtë vit, autoritetet kontraktore detyrohen të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat dhe shërbimet përkatëse, brenda datës 28 shkurt 2018.
Detyrat e Agjencisë:
Në rastin kur kryen procedura prokurimi për të nënshkruar marrëveshje kuadër:
a) zhvillon procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
b) përllogarit fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen;
c) unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
d) në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
dh) monitoron, në çdo kohë, zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore dhe për këtë qëllim harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
Në rastin kur Agjencia kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë:
a) Zhvillon procedurat e prokurimit të përqendruar të mallrave dhe të shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;
b) Bashkërendon punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) Verifikon përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
d) Përllogarit fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, dhe vë në dijeni autoritetet kontraktore;
dh) Shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit;
e) Në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
ë) Monitoron në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
Mallrat dhe shërbimet që do të blihen: 
1 – Blerje automjetesh;
2 – Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;
3 – Blerje materialesh kancelarie;
4 – Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
5 – Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
6 – Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
7 – Blerje këpucësh;
8 – Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
9 – Blerje tonerash;
10 – Sigurim automjetesh;
11 – Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
12 – Shërbim pastrimi;
13 – Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;
14 – Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
15 – Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;
16 – Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;
17 – Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;
18 – Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
19 – Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;
20 – Shërbime dezinfektimi;
21 – Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;
22 – Blerje artikujsh ushqimorë;
23 – Blerje pajisjesh kondicionimi;
24 – Shërbim gjelbërimi;
25 – Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.
Përjashtimet
Lejohet:
1 – Ministria e Mbrojtjes t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:
a) blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
b) blerje këpucësh.
2 – Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë të realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekt “Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh”.
3 – Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.
Blerjet e vazhdueshme dhe të unifikuara
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të prokurojë, nëpërmjet marrëveshjes kuadër, mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme dhe të unifikuara. Kategoritë konkrete të mallrave dhe shërbimeve, të cilat do të prokurohen nëpërmjet marrëveshjes kuadër, përcaktohen sipas udhëzimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik. Në këtë rast, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të zhvillojë procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
b) Të përllogaritë fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen. Në rastin kur si kriter vlerësimi i ofertës/ofertave fituese është çmimi për njësi, fondi limit do të jetë çmimi i përllogaritur për çdo artikull apo shërbim.
c) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të operatorëve të suksesshëm.
Lidhja e kontratës
Në rastin kur Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë dhe jo marrëveshje kuadër, ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të këtyre mallrave dhe shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;
b) Të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
ç) Të përllogaritë fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore;
d) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.
Procedurat nga 1 janari 2019
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara planifikon dhe kryen procedurat e prokurimit për mallrat dhe shërbimet e mëposhtme, duke filluar nga data 1 janar 2019:
a) Riparim, mirëmbajtje e sistemit ngrohje-ftohje;
b) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
c) Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
ç) Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike;
d) Blerje artikujsh ushqimorë;
dh) Blerje pajisjesh kondicionimi;
e) Shërbim gjelbërimi;
ë) Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.
Sigal