Kreditimi i ekonomisë u rrit gjatë muajit janar, arriti në 537 miliardë lekë

488
Sigal

Viti 2019 ka nisur i mbarë për kreditimin e ekonomisë, ndryshe nga 2018-a, që u mbyll me rënie. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë në fund të muajit janar arriti në rreth 537 miliardë lekë, me një rritje prej 0.72% në raport me fundin e muajit dhjetor. Rritja ka ardhur në pjesën më të madhe si rrjedhojë e zgjerimit të huadhënies në valutë për korporatat e tjera jo financiare, pra për bizneset. Kredia në valutë për sipërmarrjet u rrit me gati 2% në janar, në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndërsa huaja për të njëjtën kategori në lekë ra me 0.7% për të njëjtën periudhë. Kjo tendencë është në linjë të kundërt me atë që këshillon Banka e Shqipërisë, e cila një vit më parë nisi një strategji për de-euroizimin e ekonomisë, me synim uljen e përdorimit të euros në ekonomi, si në drejtim të depozitave ashtu dhe të kredive. Sipërmarrjet private mbajnë rreth 60% të stokut të totalit të huasë që është dhënë në vend, raporton Monitor. Huaja për individët shënoi një rritje më të lehtë, me rreth 0.4%, e nxitur si nga monedha vendase ashtu dhe nga valuta. Në krahasim me një vit më parë, huaja për ekonominë ka shënuar një rënie prej 2.4%. kjo rënie është ndikuar dhe nga faktorë si nënçmimi i euros për kredinë në valutë (e cila raportohet në lekë), konvertimi i një kredie për KESH, që u ristrukturua pas një huaje që u mor nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe fshirja nga bilancet e huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Gjithsesi, kreditimi i ekonomisë mbetet i dobët, bankat mbajnë të shtrënguara standardet e huadhënies, sidomos për bizneset, ndërsa ankohen se sipërmarrjeve u mungojnë projektet e mira që do të mund të kreditoheshin. Në janar, kredia në lekë përbënte 50% të totalit, nga 49.4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje fare të lehtë.