Kreditë me probleme, Shqipëria mes 25 vendeve me nivelin me të lartë

662
Me mbi 20 për qind të kredive të pakthyera në banka, Shqipëria renditet ne mesin e 25 vendeve me nivelin më të lartë të kredive me probleme në botë.
Në Raportin e Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mësohet se, fenomeni i kredive të pakthyera është përqendruar kryesisht në Europë dhe sidomos në vendet në zhvillim.
Nga 25 shtetet problematike në botë me kthimin e huave, 16 prej tyre janë nga Europa dhe Rajoni i Ballkanit.
Por siç shpjegohet nga grafiku që ka dhënë BERZH, Shqipëria hyn ne mesin e vendeve me nivel të lartë të NPL-ve. Gjithsesi problemi ka hyre ne një trajektore pozitive pasi, në 12 muajt e fundit, niveli i NPL-ve ka pësuar ulje me të paktën 3 pikë përqindjeje.
Kazakistani shihet të jetë shembulli më i mirë në reduktimin e NPL-ve pasi në 12 muajt e fundit ka arritur të tkurrë kreditë me probleme nga më shumë se 30 % në 10 për qind. Ulje të NPL –ve gjatë këtij viti kanë shësuar edhe Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika Sllovake.
Por për disa vende të tjera të rajonit fenomemi i moskthimit të kredive ka vijuar të përkeqësohet. Huatë me probleme u rritën vitin e fundit me 5 pikë përqindjeje në Serbi duke shkuar në mbi 30 për qind nga 25 për qind që ishin. Rritja të madhe vjetore ne mbi 6 për qind shënuan edhe huate me probleme ne Ukrainë . Ndërsa rritje deri në tre për qind pësuan huatë e këqija në Armeni, Rusi, Azerbagjan, Moldavi dhe Turqi.
Shqipëria aktualisht po zbaton një plan për uljen e NPL-ve që synon që në periudhë afatmesme të çojë treguesin në nivelin e 16%.
Sipas të dhënave të tjera krahasuese të Bankës Botërore, dy shtetet me nivelin më të lartë të kredive në problem në botë janë Qipro dhe San Marino, që e kanë këtë tregues mbi 40%.
Sigal