Kreditë me problem, 560 milionë euro nuk kthehen në afat në banka

1547
Viti 2018 nuk ka nisur mbarë për sistemin bankar, teksa klientët kanë filluar sërish që të vonojnë këstet e huave. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme shënoi rritje në shkurt, për të dytin muaj radhazi, duke arritur në 13.65%, nga 13.45% që kishte qenë një muaj më parë dhe duke iu larguar nivelit më të ulët në 7 vite, të arritur në dhjetor prej 13.23%. Përgjithësisht, muajt e fundit të vitit karakterizohen nga një rënie e treguesit të huave problematike, pasi bankat fshijnë nga bilancet kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen. Në vlerë absolute, në muajin shkurt, huatë që nuk kthehen në afat në banka prej më shumë se tre muajsh, ishin në total rreth 75 miliardë lekë (rreth 560 milionë euro), me një rritje prej 17 milionë eurosh në krahasim me fundin e 2017-s. Negativisht në përkeqësimin e treguesit të huasë me probleme ka ndikuar edhe fakti që stoku i kredisë nuk shënoi rritje në muajin shkurt. Viti 2017 ishte shumë pozitiv në drejtim të kthimit të kredive me probleme. Huatë problematike në dhjetor arritën në 13.23% të totalit të kredisë, me një rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%. Ky ishte niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj. Një tjetër faktor që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të bankave ishte dhe përqendrimi i huave në pak kompani të mëdha, ku 35 sipërmarrje kishin mbi 60% të totalit të huave me probleme. Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një proces ristrukturimi të huasë me probleme, një kombinim i fshirjes nga bilanci të kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, por edhe ristrukturimit të kompanive. Sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, pothuajse gjysma e 35 kompanive kanë ristrukturuar huatë dhe po i kthejnë gradualisht. Rreth 7 kompani vlerësohet se janë të falimentuara dhe nuk ka mundësi rikuperimi. Bankat nga ana e tyre kanë bërë dhe shkurtim të kredive për disa biznese (fshirje e një pjesë, kur kthehet një përqindje e caktuar).
Sigal