Kreditë e buta për shtëpi, përfitues të thirrjes së dytë janë 400 qytetarë

Në thirrjen e dytë të kredive të buta që pritet të hapet në muajin prill, do të përfitojnë rreth 400 qytetarë ose familje. Bashkia e Tiranës thotë se ka lehtësim të dokumentacionit në këtë fazë dhe përjashtohen nga mundësia e marrjes së kredisë personat që nuk aplikuan më dhe nuk vazhduan procedurat me bankën. Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, tha se këta qytetarë përjashtohen nga mundësia për të riaplikuar. “Shkojmë në Këshill Bashkiak për miratimin e thirrjes së dytë për 400 familje të tjera të cilat do të duhet të aplikojnë pranë njësive administrative ku ata janë banorë. Mund të aplikojë çdo njeri, i cili nuk ka qenë fitues tek lista e 1000 familjeve tek thirrja e parë. Nëse një person ka qenë fitues tek thirrja e parë dhe nuk ka shkuar për të aplikuar ai nuk ka më të drejtë që të vijë të aplikojë tek Bashkia e Tiranës”, thotë zyrtarja e bashkisë. Në këtë thirrje të dytë, ka dhe ndryshim kriteresh. Kredia nuk do te jetë më poshtë se 20 vjet afati, pasi u analizua fakti se me 15 vite këstet e kredive ishin të larta dhe të papërballueshme. “Në këtë thirrje të dytë kemi lënë afatin 20 vjet sepse duke e shtrirë më gjatë në kohë ul kredinë që do të duhet të paguajë në muaj por edhe sepse është pak më fleksibël në raport me nevojat që ka familja. Nëse herën e parë kishim edhe kredi me 15 vjet, edhe kredi me 20 vjet dhe kjo mbetej në dëshirën e personave, tashmë e kemi bërë këtë ushtrim dhe kuptojmë se në të gjitha rastet familjet kishin tendencën të kishin afatin kohor të kredisë prej 20 vjet”, tha Ruseti. Ndërkohë ka lehtësira edhe në dokumentacion. “Kemi zgjedhur që personi ti drejtohet njësisë administrative vetëm me kartën e identitetit dhe një certifikatë familjare për plotësimin e formularit të strehimit dhe pasi ai të jetë i shpallur i vlefshëm për fazën e dytë do të duhet t’i drejtohet bashkisë së Tiranës për plotësimin e dokumentacionit”, nënvizon Ruseti. Prioritet do t’i jepet çifteve të reja, ndërsa kufiri i të ardhurave është ai minimal prej 43 mijë lekë dhe maksimal 79 mijë lekë/muaj.