Korçë / Numri i grave të veja, pesë herë më i madh se ai i meshkujve

1013
Sigal

Femrat e divorcuara e kanë më të vështirë martesën se burrat

Qarku i Korçës ka një popullsi prej 220.357 banorë, nga të cilët 111.325 janë meshkuj dhe
109.032 femra. Gjithsej 60.171 familje. Numri i femrave është më i vogël se ai i meshkujve, gjë që i bën femrat të ndihen më me fat në zgjedhjen e partnerit, pasi kandidatët janë më të shumtë Gjithashtu numri i beqarëve meshkuj është 47.334, ndërsa numri i beqareve femra 35. 995; dukshëm më i ulët se ai i meshkujve.

Por edhe pse është kështu, vihet re se numri i femrave të divorcuara është më i madh se ai meshkujve, ashtu sikurse numri i grave të veja është disa herë më i madh nga ai i meshkujve. Megjithatë, për të krijuar një ide më të plotë mbi popullsinë e qarkut Korçë, po ofrojmë edhe një fakt tjetër. Nga popullsia gjithsej, 87.811 jetojnë në qytet, kurse 132.546 në fshat. Këto të dhëna ofrohen nga censusi i fundit i popullsisë, ai i vitit 2011, por e vërteta është se ky trend vijon të jetë pothuajse i qëndrueshëm, pa lëkundje të mëdha.

Martesa e femrave, me e vështirë se e meshkujve

Kërkesat për zgjidhje martese në qarkun e Korçës, janë të larta. Të tilla kanë qenë prej vitesh. Po u referohemi shifrave. Gjatë vitit 2018, për rrethet Korçë, Devoll dhe Kolonjë, numri i kërkesë-padive me objekt zgjidhje martese shkoi në 309; bashkë me rrethin e Pogradecit mbërrin në rreth 400, që do do të thotë një numër i madh shkurorëzimesh, familje të tronditura dhe fëmijë me prindër të ndarë.

Të shkurorëzuarve u duhet të bëjnë një martesë të dytë, dhe t’ia nisin sërish nga e para. Por ajo që vihet re ka të bëjë me faktin se femrat e divorcuara e kanë më të vështirë se meshkujt për të gjetur një partner tjetër. Numri gjithsej i të divorcuarve është 1.993, nga të cilët 792 janë meshkuj dhe 1.201 janë femra. Realisht numri i meshkujve të divorcuar me femrat e divorcuara duhej të mbetej pothuajse i barabartë nëse do të kishim të njëjtin trend martese, por çuditërisht nuk ndodh kështu.

Në rastin konkret, numri i femrave që nuk ka gjetur dot një bashkëshort pas divorcit, është 409 më tepër se ai i meshkujve. Kjo do të thotë se femrat e divorcuara e kanë shumë më të vështirë martesën e dytë, në krahasim me meshkujt.

Numri i grave të veja pesë herë më i madh se ai i meshkujve

Gjithashtu bie në sy edhe një fakt tjetër, numri i grave të veja është pesë herë më i madh se i burrave të ve. Më konkretisht, sipas censusit në fjalë, numri gjithsej i personave të ve është 13.031, nga të cilët 2.475 janë meshkuj, ndërsa 10.556 femra. Shpjegimi i kësaj diference kaq të dukshme, duket i vështirë, por gjithsesi e ka një shpjegim.

Ndoshta ngaqë një pjesë e grave të divorcuara nuk arrijnë të martohen për herë të dytë. Gjithashtu numri i grave të moshuara, është gjithnjë më i madh se numri i burrave të moshuar, sepse femrat kanë një moshë më të vogël se bashkëshorti, dhe veç kësaj jetojnë më gjatë se burrat, gjë që bën të mundur që numri i plakave të jetë më i madh nga ai i pleqve.

Gjithashtu, mund të themi se emigracioni, nuk luan asnjë rol në krijimin e diferencave të përmendura më sipër, pasi lindjet në emigracion në krahasim me ato në Qarkun e Korçës janë të pandjeshme. Të dhënat statistikore, sipas censusit të vitit 2011 janë këto: Gjithsej të lindur në qarku e Korçës 216.623, kurse jashtë vendit 3.734. Meshkuj 109.469 të lindur në qarkun e Korçës dhe 1.856 jashtë vendit, kurse femra 107.154 të lindura në qarkun e Korçës dhe 1.878 jashtë vendit.