Kontrolli i Lartë i Shtetit, prej një viti e gjysmë kërkon auditimin e llogarive të tij

136

 Duke u nisur nga disa njoftime në shtyp, KLSH i bën me dije publikut se, sipas standardeve profesionale të fushës INTOSAI dhe, mbështetur në Ligjin nr. 8270 date 23.12.1997(i ndryshuar), Neni 3, paragrafi i tretë, i cili thekson se : “KLSH duhet çdo vit të përgatisë llogaritë e tij në përputhje me Ligjin për Buxhetin. Llogaritë e tij kontrollohen nga një organ i pavarur, i caktuar nga Kuvendi dhe që raporton tek Kuvendi”. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, ka kërkuar auditimin e llogarive të KLSH-së (të cilat për fat të keq kanë 10 vjet që nuk kontrollohen), nëpërmjet komunikimeve zyrtare me zj. Jozefina Topalli, ish-Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr.208 prot, datë 02/02/2012; z. Edmond Spaho, ish-Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, me shkresën nr.208/1 prot,datë 03/02/2012, z.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Erion Braçe, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,  z.Fatmir Xhafa, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me shkresën nr.928 prot,datë 11/11/2013. Kryerja e auditimit të jashtëm të pavarur në Institucionet Supreme të Auditimit (SAI), sikurse është KLSH, cilësohet si e domosdoshme edhe në standardet ndërkombëtare të INTOSAI (ISSAI 20, parimi 6). Në vijim, KLSH vlerëson faktin që kërkesa e tij për auditimin financiar 2002-2012, është marrë në konsideratë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit ishte parashikuar të kalonte dhe projektvendimi “Për fillimin e procedurave parlamentare për kontrollin e veprimtarisë ekonomike të KLSH-së”. Auditimi i KLSH nga një strukturë profesionale e pavarur, do të shtojë vlerat e institucionit, duke garantuar, sikurse e kërkojnë standardet INTOSAI dhe ligji i KLSH, transparencën dhe integritetin e plotë të tij.

KLSH në Konferencën e Institucioneve të Auditimit dhe Parlamenteve në Budva

 Qëllimi, ruajtja e pavarësisë së institucioneve audituese

 Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në Konferencën mbi Marrëdhëniet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve Kombëtare të vendeve të rajonit, e cila u zhvillua në Budva, Mal të Zi, në datat 18-19 nëntor 2013. Në këtë konferencë, përveç Malit të Zi që ishte vendi mikpritës, morën pjesë shumë vende të rajonit, si Shqipëria, Turqia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia, si edhe Kosova, e cila mori pjesë si vëzhguese. Objektivi i kësaj konference ishte ndarja e përvojave, ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive ndërmjet SAI-ve dhe parlamenteve, ku u diskutuan faktorët që ndikojnë në këto marrëdhënie, si dhe u hodh ideja e ndërtimit të një pakete me instrumente që mund të përdoren nga SAI-t dhe parlamentet kombëtare për të forcuar bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë. Gjatë konferencës u trajtuan katër tema:

1 – Rolet dhe përgjegjësitë e parlamenteve, SAI-ve dhe qeverive në sistemin e llogaridhënies.

2 – Bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve, SAI-ve të rrjetit: situata.

3 – Praktikat në Shtetet Anëtare të BE-së.

4 – Drejt një qasje proaktive.

Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë pjesëmarrës aktiv në tre nga aktivitetet që do të zhvillohen gjatë vitit 2014-2015 dhe  në një prej tyre, në vvorkshop-in me temë “Përcaktimi i pragut të materialitetit dhe qasja e kampionimit” do të jetë vendi organizator. Në këtë vvorkshop do të marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit. KLSH do të jetë gjithashtu, anëtar aktiv në grupet përgatitore të punës në vvorkshop-et me tema: “Raportet e auditimit dhe dhënia e opinionit” si edhe “Roli i SAI-t në luftën kundër korrupsionit”, të cilat do të organizohen respektivisht në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në fund të Konferencës u miratua Rezoluta e Konferencës së Budvës mbi “Marrëdhëniet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve”, në të cilën u theksua rëndësia e Marrëveshjes së Stambollit (e marsit 2011) dhe në veçanti:

– Angazhimi për të vazhduar zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve pozitive mes SAI-ve dhe parlamenteve kombëtare, bazuar në respektin e përbashkët për rolin dhe pavarësinë  e palëve;

– Vendimin për të organizuar një Konferencë mbi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve konstruktive mes SAI-ve, parlamenteve, si dhe organeve të tjera të administratës publike.

Gjithashtu, në këtë Rezolutë përmenden parimet e Dokumentit Nr.33 te SIGMA-s (Paris 2002) për marrëdhëniet mes SAI-ve dhe Parlamenteve, si edhe theksohet rëndësia e Rezolutës së OKB-së, A-66-209, në të cilën OKB-ja inkurajon të gjitha vendet anëtare të përdorin parimet e Deklaratës së Limës dhe Meksikos, si dhe theksohet rëndësia e pavarësisë së SAI-ve. Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, znj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme dhe zj.Dalina Demi, Specialiste. Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe tre përfaqësues të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të  Ekonomisë dhe Financave, z.Igli Cara, deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit të  Ekonomisë dhe Financave, si dhe znj. Rudina Kici, sekretare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Ndër personalitetet e huaja pjesëmarrëse në këtë aktivitet mund të përmendim figura të tilla si z.Vitor Caldeira, President i Gjykatës Europiane të Llogarive, z. Recai Akyel, President i Gjykatës Turke të Llogarive, z. Milan Daboviç, Presidenti i SAI-t të Malit të Zi, z. Aleksandar Damianoviç, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Financave dhe të Buxhetit, në Parlamentin e Malit të Zi, z.Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, znj. Karen Hill, Drejtuese e Programit të SIGMA-s, etj..