Kontratat koncesionare, Qeveria mbron kostot e Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara

626
Sigal

Komisioni i Ekonomisë miratoi dy kontratat me partneritet publik privat të rrugëve: Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, vetëm me votat e mazhorancës. Numri dy i Ministrisë së Transporteve, Artan Shkreli hodhi poshtë zërat mbi kostot e larta të ndërtimit Te këtyre dy rrugëve, duke argumentuar se ato janë bazuar në manualin e ndërtimit. Sipas tij nuk mund të bësh krahasime për kostot e një kilometri rrugë pasi kemi të bëjmë me vepra më komplekse. Sa i përket kompanisë që do të merret me ndërtimin e rrugës Milot –Balldren, ndonëse pikëpyetjet që e shoqërojnë atë lidhen me kapacitet financiare, Shkreli tha se kapitali i firmës i përmbush kriteret për financim. Rruga Milot-Balldren do të jetë një rrugë e kategorisë A, ndërsa rruga tjetër Orikum-Llogara do të jetë e kategorisë C. Edhe kostot e kësaj kontrate Shkreli i argumentoi me terrenin malor në të cilin do të shtrihet gjurma. Rruga Milot-Balldren ka një kosto prej 217 milionë euro pa TVSH, ndërsa Orikum-Llogara arrin në 70 milionë. Të dy kontratat pritet të miratohen në seancën plenare të së enjtes, ndonëse opozita i ka cilësuar ato si marrëveshje korruptive që do i shërbejnë investitorëve më shumë se interesit publik e që do të anulohen.