Kontabiliteti në 100 vjet pavarësi shqiptare

769
Sigal

Ish-Ministri i Financave dhe i Ekonomisë z. Arben Malaj flet për historikun e “Kontabiliteti në 100-vjetor”

Ky 100 vjetor i pavarësisë së vendit është momenti më i mirë, për të analizuar të  shkuarën në funksion të së ardhmes, për të analizuar arritjet, mos arritjet duke i vënë këto analiza në shërbim të sfidave. Personalishtkam qenë me fat që kam mundur të njihem me shkencën e kontabilitetit që në hapat e para të arsimimit tim, duke studiuar në shkollën e mesme Ekonomike në Vlorë, me një staf pedagogësh të talentuar. Kam qenë me fat që në fillim kam punuar me ekspert të kontabilitetit. Profesorët e Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë, Departamenti i Kontabilitetit kishte shumë nga personalitetet që nderoheshin jo vetëm nga studentët por edhe nga vetë kolegët e tyre. Si Ministër i Financave shumë shpejtë do të kuptoja se në kontabilitet kishte profesorë të nderuar nga Universiteti Bujqësor i Kamzës. Këtë e kuptova jo nga një luftë midis tyre por nga një respekt reciprok i ndërsjellët midis tyre.   Sa herë që më duhej të këshillohesha për reformat në fushën e kontabilitetit, sa herë që duhet të krijoja ndonjë grup pune, sa herë duhet të  emëroja  në mandate të ndryshme publike  ekspert nga fusha e kontabilitetit, do të duhesha të përfshija dhe respektoja mendimin e kolegëve dhe studentëve të tyre nga të dy departamentet e kontabilitetit të Tiranës dhe Kamzës. Në themelimin e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, në fillim të vitit 2005, u përzgjodhën disa nga kolegët më të mirë nga dy këto 2 fakultetet e respektuara.   Miratimi i ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe krijimi i Këshillit Kombëtarë të Kontabilitetit janë dy momente të  rëndësishme në historinë dhe zhvillimin e kontabilietit, pas viteve 90. Sa herë që një vend ka një përvjetor historik aq herë është mundësia që të mësojmë nga e kaluara dhe të inspirohemi nga e ardhmja.  Në qoftë se këtë angazhim pozitiv e bëjmë çdo ditë të gjithë dhe në çdo angazhim familjar, mandat publik dhe privat aq më të mëdha janë sinergjitë pozitive që krijohen, aq më të mundshme dhe solide bëhen arritjet, aq më të qarta por edhe të arritshme bëhen sfidat e 100 vjetorëve të tjerë.    Sot më shume se kurrë po diskutohet për sfidat e së ardhmes, ekonomia globale është bërë më e hapur, më e ndërlidhur dhe më konkurruese. Sot më shumë se kurrë është rritur fatkeqësisht dëshira për pasurim të shpejtë. Sot konkurrenca abuzive është rritur. Sot mundësia për t’u zhvilluar kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga cilësia e kapitalit njerëzor. Vlerat humane, virtytet njerëzore, cilësitë njerëzore dhe profesionale përcaktojnë fatin e çdo familje, fatin e çdo kompanie, fatin e çdo vendi dhe çdo  kombi.  Është e vërtetë që tani në të qindrat e sekondës dhe pas çdo veprimi kontabël, çdo menaxher mund ta ketë këtë informacion në çdo vend të botës, në çdo kohë të ditës dhe me koston  më të ulët të mundshme të informimit të tij. Por të gjitha këto avantazhe teknologjike kanë rezultuar të pamjaftueshme për të parandaluar dhe eliminuar krizat e rënda të ndodhura në disa kompani të mëdha pse jo edhe në kontabilitetin e shteteve të veçanta, ku një rast i novacioneve të deformuara të kontabilitetit publik, që e fshehu përkohësisht krizën e saj është Greqia. Kjo analizë rithekson faktin se edukimi publik, se vlerat individuale të çdo të diplomuari për shkencat ekonomike janë përcaktuese për suksesin e tyre dhe të kompanive që zotërojnë apo punojnë. Kontabilistet duhet të ndihmojnë mirëmanxhimin e kompanive duke paralajmëruar në kohë, duke parandaluar menjëherë manipulimin dhe falsifikimin e të dhënave financiare.  Ju jeni të parët që i shikoni simptomat e problemeve dhe krizave të kompanive. Detyra juaj, përgjegjësia juaj profesionale dhe penale është që të mos i fshihni problemet, të mos i manipuloni të dhënat, të mos bëheni pjesë e sëmundjes për përfitime dhe pasurim abuziv. Kur iformaliteti rritet, kur kompanitë dhe vendi keq menaxhohen, pasojat prekin të gjithë. Unë ndjehem jashtëzakonisht i nderuar të jem sot këtu bashkë me ju, ndjehem shumë  i  nderuar që kam pasur fatin të jem studenti juaj, të jem kolegu juaj.  Ndjehem i privilegjuar dhe me fat që në mandatet e mia publike e politike sfidat më janë bërë më të lehta sepse kam bashkëpunuar me profesorë të nderuar, se kam bashkëpunuar me ekspert të përkushtuar, se kam bashkëpunuar me njerëz të mrekullueshëm, njerëz plotë inspirim dhe përkushtim për profesionin e tyre dhe për vendin e tyre. Në këtë konferencë të 100 vjetorit të vendit tonë, një mirënjohje e veçantë për të gjithë ata ekonomistë që me përkushtim dhe vizion i kanë shërbyer me modesti dhe përkushtim maksimal sfidave të vendit të tyre. Jam shumë i bindur që  ju do të jeni gjithnjë e më të dobishëm për suksesin e studenteve tuaj, për suksesin e ekonomisë sonë, për një të ardhme me të mirë  të vendit tonë dhe të familjeve e  fëmijëve tuaj.Më falni që nuk përmenda ndonjë emër konkretë, por në historinë 100-vjeçare të kombit tonë, në çdo moment historik të krijimit dhe konsolidimit të tij, në bashkësinë e grave dhe burrave të mençur që e themeluan shtetin shqiptarë, në sfidat e 100 viteve të tij, në çdo moment të vështirë kanë spikatur ekonomistë të talentuar, kanë kontribuar ekonomistë të nderuar që jo vetëm nuk kanë vënë pasuri për vete gjatë mandateve të tyre fisnike, por janë sot pjesë e  pasurisë më të mirë të historisë së kombit tonë. Një mirënjohje e veçantë për të gjithë ekonomistët e talentuar që i janë përkushtuar fatit të vendit të tyre shumë më tepër se fatit personal të cilin mund ta kishin vetëm materialisht më të mirë, në qoftë se do të kishin manipuluar “kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” të historisë apo të ardhmes së vendit të tyre.