Konkurrenca kryqëzon Bankën e Shqipërisë/ Gent Sejko bllokon monitorimin ndaj Tirana Bank mbi cënimin dhe ndryshimin e rregullave të tregut

927
Sigal

Banka e Shqipërisë refuzon monitorimin e “Tirana Bank”

 

Biznesmeni Samir Mane po vështron nga larg se si dy institucione të rëndësishme financiare nuk bien dakord, nëse investimi i fundit i tij, “Tirana Bank”, duhet mbajtur ose jo nën monitorim. Autoriteti i Konkurrencës ka dyshime se “Tirana Bank”, e cila kontrollohet në pjesën absolute te aksioneve nga grupi “Balfin”, mund të cenojë rregullat e tregut, duke injektuar kredi favorizuese për kompanitë e tjera të Samir Manes shkruan Boldnews.al. Për këto dyshime, Konkurrenca kërkon nga Banka e Shqipërisë që të kryejë monitorimin periodik të “Tirana Bank”. Por, kjo kërkesë e Autoritetit të Konkurrencës nuk mirëpritet nga Guvernatori, Gent Sejko dhe bordi drejtues i Bankës së Shqipërisë. Pas një komunikimi të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, Autoriteti i Konkurrencës, me vendimin e datës 19 prill 2019, ka rrëzuar përfundimisht pretendimet e Bankës së Shqipërisë, e cila argumenton, se ajo nuk ka kompetencë për të monitoruar aktivitetet tregtare që operojnë jashtë tregut bankar. Debati tekniko-ligjor mes dy institucioneve duket se favorizon biznesmenin Samir Mane, i cili vijon i pa shqetësuar aktivitetin e tij bankar dhe tregtar.

Konkurrenca e cenuar
Në Gusht të vitit 2018, “Tirana Bank” njoftoi marrëveshjen – në parim, për shitjen e aksioneve të saj drejt grupit të biznesit “Balfin” (joint-venture me Komercalnija Bank, Maqedoni). Në janar të 2019-s, Autoriteti i Konkurrencës miratoi shitjen, duke vendosur detyrimin e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën monitorim “Tirana Bank”, me dyshimin se ajo mund të shfrytëzojë likuiditetet e saj për të ndihmuar kompanitë e tjera të grupit “Balfin” në dëm të konkurrentëve të tyre në treg. Pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, kalimi i “‘Tirana Bank” nga “Banka e Pireut” tek “Grupi Balfin” u bë efektive, në 6 Shkurt 2019, me miratimin përfundimtar nga ana e Bankës së Shqipërisë.