Konkurrenca i rekomandon ERE-s rishikimin e procedurave të prokurimit të energjisë

356

Vendimi/ Rregullorja për blerjen e energjisë përjashton prodhuesit e vegjël dhe të pavarur

Autoriteti i Konkurrencës në vendimin e zbardhur dje për tregun e prokurimit të energjisë elektrike i rekomandon Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE) që të rishikojë procedurat e blerjes së energjisë elektrike mujore dhe vjetore për OSHEE për nxitjen e pjesëmarrjeve dhe të konkurrencës ndërmjet blerësve, trajtimin jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë, si dhe transparencë në procedurat e blerjes dhe kosto sa më të ulët në këto transaksione. Konkurrenca pas shqyrtimit të raportit të monitorimit të tregut të importit të energjisë elektrike nga CEZ Shpërndarje dhe relacionit të Sekretarit të Përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës vëren se:

1. Tregu i importit të energjisë elektrike funksionon në zbatim të VKM nr 338, datë 19.03.2008 “Për miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike” dhe në pikën 4.5 të Deklaratës Rregullatore të miratuar nga ERE me Vendimin Nr. 12, datë 03.03.2009, OSSH-ja do të blejë energji elektrike për të mbuluar humbjet në përputhje me procedurat e parashikuara në këtë rregullore, të cilat do të jenë në fuqi deri përfundimin e afatit të Deklaratës Rregullatore.

2. Lidhur me procedurat e tenderimit të OSSH-së, ERE me anë të Vendimin nr. 42, datë 25.05.2009, ka miratuar “Rregullat dhe Procedurat Standarde të Prokurimit të Energjisë Elektrike nga OSSH sh.a (Kompania)”. Në bazë të kësaj rregulloreje CEZ shpërndarje ka kryer importin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve për periudhën deri në muajin shkurt 2014.

3. Me VKM nr. 897, datë 12.12.2012 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 338, datë 19.03.2008, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike” të ndryshuar, është vendosur të ndryshojë paragrafi 4.4 “…me çmime tregu ose me furnizuesit publik me shumicë të rregulluar dhe kontratë të miratuar nga ERE-ja…” zëvendësohet “… apo furnizuesi publik me shumicë dhe/ose Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, me çmime të vendosura në kontratën e shitblerjes dhe të rënë dakord ndërmjet palëve”. Pra, PPE dhe FPSH dhe/ose Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, mund të lidhin kontrata shitblerje të negociuara dhe të rëna dakord ndërmjet palëve.

 

Ankesa nga shoqëria GEN dhe problemet e rregullores për blerjen e energjisë

1. Gjatë periudhës gusht 2013 dhe 2014, pranë Autoritetit të konkurrencës, ka ardhur ne mënyrë të vazhdueshme një ankesë nga shoqëria GEN-i, e cila operon në tregun e importit të energjisë elektrike. Pas shqyrtimit të ankesës dhe raportit përkatës, Autoriteti i Konkurrencës me shkresën nr. 308/15 të datës 03.12.2013 i rekomandoi ERE-s, “… të hartojë një rregullore të veçantë mujore për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve mbështetur në parimet e transparencës, mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë të konkurrentëve…” dhe “qartësimin e procedurës së negocimit midis CEZ Shpërndarje dhe ofertuesve pas shpalljes së ofertave fillestare për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve”. Ky rekomandim i Komisionit të Konkurrencës, është marrë në konsideratë nga ERE. Kështu, ERE me anë të vendimit Nr. 9, datë 06.02.2014, pika 2 përcakton se “…CEZ Shpërndarje sh.a në administrim të përkohshëm, për nevoja të mbulimit të plotë të humbjeve në sistemin e shpërndarjes, të realizojë blerjet e energjisë elektrike mbi baza mujore për sasinë e energjisë elektrike që nuk mbulohet nga prokurimi vjetor. Për prokurimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve ne sistemin e shpërndarjes mbi baza mujore, Administratori zbaton Vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s me Nr. 30, datë 23.03.2011, “Për miratimin e Rregullave dhe Procedurave të Blerjes së Energjisë Elektrike nga KESH sh.a”. Por, pavarësisht këtij vendimi, kjo rregullore nuk i zgjidh problemet e këtij segmenti tregu, për më tepër nuk e vendos në kushte konkurrence këtë treg.

2. Por, kompania GEN – i, me shkresën nr.308/17, datë 31.03.2014 paraqiti përsëri një ankesë pranë Autoritetit të Konkurrencës, sipas së cilës ERE nuk ka marrë asnjë veprim me qëllim adresimin në mënyrë të plotë dhe profesionale të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, pasi miratimi i aplikimit të rregullave të prokurimit mujor për CEZ Shpërndarje SH.A si të KESH Sh.A tregon mungesën e interesit apo dëshirës nga ana e ERE-s për të adresuar profesionalisht rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, pasi këto rregulla jo vetëm që janë miratuar në vitin 2011 dhe nuk i përgjigjen zhvillimeve të kohës janë miratuar në një kontekst tjetër dhe për një operator tjetër si KESH Sh.A me aktivitet, veçori dhe karakteristika të ndryshme nga ato të CEZ Shpërndarje sh.A.

3. Nga ana tjetër, CEZ Sh.a e ka kundërshtuar zbatimin e kësaj rregulloreje, pasi sipas CEZ Shpërndarje vihet re një situatë në të cilën ky segment tregu nuk mund të veprojë në kushte konkurrence, pasi rregullorja kufizon/përjashton pjesëmarrësit në tender, siç janë prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë elektrike. Pra, rregullorja

përjashton prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë, për shkak se ata kanë kontrata shitje me çmim të rregulluar me FPSH. Kështu janë përjashtuar nga pjesëmarrja në tender e disa HEC-eve të privatizuar, siç janë HEC-et Bistrica 1 dhe 2, Ulëz Shkopet.

4. Do të ishte në favor dhe interes të tregut dhe konkurrencës që në këtë segment tregu, këta lojtarë tregu të futeshin në procesin e tenderimit/konkurrimit, pasi do të ekzistonte mundësia e konkurrimit me kosto më të ulëta për shkak të shmangies së kostove të interkonjeksionit. Në këto kushte do të çlirohej sado pak KESH sh.a/FPSH nga detyrimet për të paguar apo likuiduar këtë kategori prodhuesit të cilët prodhojnë dhe shesin energji me çmime të rregulluara.

5. Duke ditur se përcaktimi i tarifës së shpërndarjes është i lidhur me vlerësimin e komponentëve të tillë si niveli i humbjeve, të pranuara në tarifë si kosto e arsyeshme, sasia e energjisë së lëvruar në rrjetin e shpërndarjes, investimet e kryera, çmimi dhe sasia e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve të cilat janë të lidhur me treguesit e performancës së kompanisë së shpërndarjes dhe që janë të fiksuara në Deklaratën Regullatore, mendojmë se pasojat e aplikimit të këtyre rregulloreve në blerjen e energjisë elektrike të importuar do të kenë ndikim negativ të drejtpërdrejtë në tarifat e reja që kompanitë do të propozojnë për miratim në fund të vitit 2014, për periudhën në vazhdim.

6. Nga Raporti rezulton se ERE nuk ka marrë në konsideratë rekomandimet e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr 159, datë 19.11.2010, për ndarjen funksionale dhe financiare reale të “Furnizuesit Publik me Shumicë” nga KESH-Gen dhe ndarjen financiare reale të “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” dhe Furnizuesi Publik me Pakicë, duke mos krijuar hapësirën e nevojshme për transaksione konkurruese dhe rritjen e konkurrencës në këto segment të tregut. Po kështu në ligjin 138/2013 ”Për burimet e energjisë së rinovueshme” të miratuar më datë 2/05/2013, nuk janë marrë në konsideratë propozimet e Autoriteti të Konkurrencës. Neni 15 i këtij ligji garanton tregun e shitjes midis ndërmarrjes/ve gjeneruese dhe Furnizuesit Publik për një periudhë 15 vjeçare si dhe përcakton se tarifa e shitjes se energjisë do të jetë e miratuar nga ERE. Pra, sipas këtij ligji, operatorët që do të prodhojnë energji të rinovueshme nuk do të konkurrojnë në treg të lirë, po nëpërmjet kontratave 15-vjeçare do të shesin energjinë e prodhuar, me çmim të garantuar në një blerës që është KESH sha (FPSH).

7. Të dhënat e pasqyruara në Raport mbi sasinë e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, të siguruara nga ERE, kanë ndryshime të konsiderueshme, nga ato të prezantuara nga INSTAT. Po kështu të dhënat mbi sasinë e humbjeve në rrjet dhe në shpërndarje dhe për rrjedhojë dhe sasia e energjisë të përdorur nga konsumatorët, të prezantuara nga INSTAT, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, gjatë vitit të kaluar dhe të axhustuara në vitin në vazhdim kanë ndryshime shumë të mëdha me vlerë prej miliarda lekë. Kjo mund të jetë një pasojë tjetër e mosndarjes reale financiare të Furnizuesit Publik me Pakicë, nga OSSH, dhe të Furnizuesit me Shumicë nga KESH-sha, me pasojë burim abuzimi dhe shpërdorimi

box

Rekomandimet e Konkurrencës

Komisioni i Konkurrencës, me qëllim mirëfunksionimin e tregut të energjisë elektrike, për rritjen e konkurrencës në tregun përkatës së blerjes së energjisë elektrik, t’i rekomandojë Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike, si vijon:

1. Në kushtet e ndryshuara, të rishikojnë procedurat e blerjes së energjisë elektrike mujore dhe vjetore për OSHEE sipas parimeve:

a) Nxitjen e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë,

b) Nxitja e konkurrencës ndërmjet blerësve;

c) Sigurimi i trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë;

d) Sigurimi i integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa më të ulëta për këto lloj transaksionesh.

2. Për periudhën afatshkurtër (meqenëse tenderët janë në periodicitet mujor) deri në miratimin e një rregulloreje të re për blerjen e energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes të Energjisë Elektrike, të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të blerjes nga KESh sh.a….”:

-Duke ndryshuar nenin 13, pika 4, në mënyrë që pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve, duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve.

– Duke ndryshuar neni 7 i rregullores i cili aktualisht përjashton nga procedurat e tenderimit prodhuesit vendas të licencuar, duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktorët e tregut të marrin pjesë në procedurat e tenderit duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin.

3. Në draftimin e rregullave për blerjen e energjisë për operatorin e shpërndarjes të mbahen parasysh edhe parashikimet e vendimit nr. 30, datë 23.3.2011 “Për rregullat dhe procedurat e blerjes së energjisë elektrike nga KESH Sh.A” në mënyrë të veçantë: të nenit 9/2 (Publikimi ftesës), nenit 11 (kriteret e vlerësimit të ofertave sipas çmimit/njësi më të ulët, nenit 19 (publikimi në faqen zyrtare të internetit i procedurës së blerjes).

Gjithashtu mënyra e përcaktimit të ofertës fituese të përshtatet sipas rregullores së Ministrisë së Financave nr. 31, datë 27.12.2013 “Për emetimin e obligacioneve”, neni 13, pika 6, “kërkesat konkurruese pranohen si fituese, duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar”.

4. Duke marrë në konsideratë faktin që aktualisht në Shqipëri të gjitha procedurat e prokurimit publik janë në formë elektronike dhe realizohen nëpërmjet platformave përkatëse elektronike, kjo procedurë të parashikohet, edhe në rregullat e blerjes së energjisë elektrike.

5. Për rritjen e transparencës dhe uljen e mundësive të abuzimeve, të bëhet publikimi mujor dhe vjetor i sasisë dhe çmimit mesatar të energjisë elektrike të importuar, nga Enti Rregullator (ERE).