Konfindustria: Të mos ndryshojë TVSH-ja për prodhimet e përpunuara!

724
Sigal

 Konfindustria i kërkon ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike shqiptare në përgjithësi, që të vazhdojnë politikën e derisotme të politikës fiskale të heqjes së TVSH për investimet, makineritë dhe pajisjet, që i shërbejnë prodhimit, por detyrimisht duhet të mbajnë të pandryshuar nivelin e maksimal të TVSH për prodhimet e përpunuara dhe përfundimtare për treg. Konfindustria vlerëson, se kërkesa e mësipërme e saj për zbatimin e politikave se ndryshme të TVSH-së ndërmjet prodhimeve përfundimtare me atë të TVSH-së së makinerive dhe pajisjeve, arsyetohet nga domosdoshmëria e përballimit të konkurrencës në rritje ndërmjet prodhimeve vendore dhe prodhimeve të ngjashme të huaja. Veçanërisht e prekshme është përballja e mësipërme në sektorin bujqësor, blegtoral dhe agro-industrial. Konfindustria vlerëson, se prodhimi shqiptar në tërësi dhe prodhimi bujqësor dhe agro-industrial në veçanti, është goditur mjaft rëndë nga konkurrenca e padrejtë me shenja të qarta deri të politikave dumping të vendeve të tjera. Theksojmë, se vetë zbatimi i marrëveshjeve të MSA dhe sidomos CEFTA kanë qenë në tërësi të pasuksesshme dhe me pasoja të rënda për fermerët dhe industritë shqiptare sidomos të atyre të fushës së agro-industrisë. Mbështetur në të dhënat zyrtare del, se kemi vazhdimësi të pandërprerë të financimeve/subvencioneve prej dhjetëra miliardë euro të sektorit bujqësor të BE nga Brukseli pa përmendur këtu financimet në veçanti të secilit vend anëtar të BE për fermerët e tyre. Në këtë mënyrë prodhimet e fermerëve europiane të subvencionuara konkurrojnë padrejtësisht në çmim prodhimet e ngjashme të fermerëve tanë si edhe godasin rëndë në treg prodhimet e përpunuara nga industritë shqiptare. Çdo ulje e nivelit të TVSH-së për prodhimet për treg do të godiste rëndë fermerët dhe industritë shqiptare në tërësi.