Konfindustria Shqiptare/ Ngrirja e koncesioneve të HEC, vendim i nxituar e i paqartë i ministres Balluku. Rrezikohen pasoja financiare për shtetin

469
Sigal

Buxhuku: Ngrirja e koncesioneve të HEC, vendim i nxituar e i paqartë i ministres Balluku, rrezikohen pasoja financiare për shtetin

Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka reaguar pas vendimit të Ministres Belinda Balluku për ngrirjen e të gjitha kontratave koncesionare jo operative të HEC-ve. Sipas tij ky veprim I ministres është i shpejtuar dhe i pabazuar, gjë që rrezikon pasoja të mëdha, si për biznesin, ashtu edhe për buxhetin shtetëror.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë

Konfindustria vlerëson, se vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës & Energjisë (MIE) për të ngrirë në “grup” dhe në mënyrë të njëanshme të gjitha kontratat koncesionare të ashtuquajtura “jo operative” të HEC rrezikon, jo vetëm të mos japë asnjë zgjidhje problematikës së rëndë së tashme, por gjithashtu edhe të prodhojë pasoja të rënda financiare për biznesin, buxhetin e shtetit, të shërbejë si shkak për subjektivizëm, korrupsion dhe rritje të pasigurisë së investitorëve në afatgjatë. Gjithashtu, duhet të sqarohet sa më shpejt, se çfarë përfshin koncepti ligjor i kontratave “jo operative” dhe çfarë do të ndodhë me operatorët e tjerë të ndërtimit të HEC-ve në pritje të “skanimit” të paralajmëruar nga MIE.

Konfindustria vlerëson me shqetësim, se deklaratat dhe vendimet e shpejtuara, të paqarta dhe të ngjashme të përfaqësuesve të ekzekutivit në prekjen në ”grup” të kontratave të dyanshme të HEC-ve, mund të shërbejnë si arsyetim ligjor në ndihmë pikërisht për bizneset abuzuese, duke cenuar drejtpërdrejt edhe qëllimin e mirë të nismës në fjalë nga MIE. Bizneset, që janë në shkelje të kushteve të kontratave koncesionare, u jepet mundësia të shfrytëzojnë veprimet e nxituara të agjencive ekzekutuese për t’i përdorur si arsye ligjore në përfitim të tyre dhe në dëm të interesit publik në përballjet e mundshme në gjykata të vendit dhe ndërkombëtare. Rastet e ngjashme të ndëshkimeve të rënda financiare prej dhjetëra milionë euro ndaj shtetit shqiptar në arbitrazhe ndërkombëtare si ÇEZ, projekti i trenit Durrës-Tiranë i General Electric, etj. flasin qartë për rrezikun e mësipërm. Konfindustria vlerëson, se MIE dhe gjithë agjencitë shtetërore duhet të ushtrojnë të gjithë përgjegjësinë institucionale në zbatim të plotë të ligjit për të vëzhguar dhe nxjerrë përmbushjen ose jo të detyrimeve të çdo koncesionari në mënyrë të veçantë. Në rast të shkeljeve ligjore të kontratave, MIE është e detyruar të ndjekë procedurat përkatëse për të zgjidhur vetëm më rrugë gjyqësore mosmarrëveshjet me secilin biznes koncesionar në mënyrë individuale dhe në asnjë mënyrë duke i trajtuar në ”grup”.