Konfindustria: “Banka e Shqipërisë e vonuar me masat lehtësuese për nxitjen e kreditimit”

862
Sigal

Konfindustria shpreh rezervat e saj lidhur me kohën dhe ndikimin në ekonomi të vendimit të fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit për lekun. Konfindustria vlerëson se Banka e Shqipërisë ka qenë e vonuar në kohë në marrjen e masave lehtësuese për nxitjen e kreditimit nga sistemi bankar në kushtet e krizës globale.

“Konfindustria vlerëson, se sikurse në vazhdimësi në gjithë periudhën kohore, që përkon me krizën globale dhe përcjelljen e pasojave të saj në ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka qenë e vonuar në kohë në marrjen e masave lehtësuese për nxitjen e kreditimit nga sistemi bankar. Vonesat e ndërhyrjeve nga ana e Bankës së Shqipërisë shoqëruar dhe me mundësitë e kufizuara objektivisht për arsye se portofoli i kredive vetëm në 1/4 e masës së përgjithshme është në monedhën kombëtare Lek si dhe me gjendjen e pakënaqshme të shkallës së konkurrencës në sistemin bankar të nivelit të dyte me shenja të dukshme oligopoli, kanë rënduar gjendjen e biznesit dhe ekonomisë reale shqiptare”, thuhet në deklaratë. Sipas Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, “Pasoja të qarta të politikave të mësipërme janë rritja në shkallë të lartë dhe prej 25% të kredive me probleme në masën e përgjithshme të portofolit të kredive si dhe përhapjen e dukurisë së rrezikshme të marrjes së parave me fajde nga bizneset si mënyrë plotësuese e kreditimit të munguar nga sistemi banker”. Konfindustria vlerëson më tej se, “sa më sipër jo vetëm nuk ka lehtësuar ndikimin e krizës globale në ekonominë reale të vendit, por e ka rënduar më tej duke ndalur në mënyrë skajore kreditimin për biznesin dhe qytetarët edhe pse në raport me vendet e rajonit depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar dhe në mungesë të tregut të kapitaleve kanë qenë në shkallë të kënaqshme. Për më shumë pothuajse gjatë gjithë periudhës kohore të krizës globale 2008-2013 inflacioni ka qëndruar në skajet fundore të shënjestrimit të parashikuar, duke e bërë të pashpjegueshëm mosndërhyrjen në kohë të Bankës së Shqipërisë”, përfundon deklarata.