Koncesioni i Rinasit – Shtyhet për të dytën herë vlerësimi i kontratës për balancat ekonomike

689
Sigal

Rishikimi i pavarur ekonomik i kontratës koncesionare me Aeroportin Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, në bazë të të cilit qeveria shqiptare shpreson uljen e tarifave aeroportuale është shtyrë për të dytën herë. Pas shpalljes së procedurës së prokurimit publik, në datën 29 qershor 2018, me një vlerë prej 29.5 milion lekësh, në përfundim të afatit të dorëzimit të ofertave Autoriteti i Aviacionit Civili njoftoi anulimin e saj “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit”. E njëjta garë rifilloi në datën 23 korrik, duke shtyrë afatin e dorëzimit të ofertave nga kompanitë e interesuara deri në datën 3 gusht. Por, edhe kjo procedurë duket se ka qenë e pasuksesshme, pasi në datën 27 gusht është rihapur sërish gara, ndërkohë që Autoriteti i Aviacionit Civil ka shtuar edhe fondin limit të vënë në dispozicion, duke e çuar vlerën në 31.66 milion lekë apo rreth 2 milion më tepër se procedurat e mëparshme. Pika 19.4 e kontratës, ku edhe bazohet kërkesa e AAC-së parashikon faktin që çdo palë ka te drejtën te kërkojë një rishikim te pavarur të pozicionit ekonomik të Koncesionit, i cili do të përfshijë, nëse ka lindur një disekuiliber dhe rekomandimet për të rikthyer ekuilibrin ekonomik të Koncesionit. Për të pasur një vlerësim të saktë, nëse gjatë kësaj periudhe 14-vjeçare ka lindur një disbalancë, kompania fituese do të ketë në dispozicion 40 ditë kohë nga nënshkrimi i kontratës. Ndërkohë që, më pas palët do të duhet të ulen në negociata për të vendosur balancën e re, që sipas AAC-së do të jetë në favor të qeverisë shqiptare për shkak të shifrave aktuale që paraqet transporti ajror.