Kompanitë dhe bankat e huaja fituan 380 milionë euro në 2018-n dhe i transferuan paratë jashtë vendit

517
Sigal

Nga koncesionarët tek bankat, ja cilat janë bizneset e huaja me fitimet më të larta

Kompanitë e huaja që operojnë në vendin tonë kanë pësuar përmirësime për sa i përket ecurisë ekonomike gjatë periudhës së fundit, teksa fitimet e tyre kanë pësuar rritje. Bizneset jo-shqiptare po pasurohen në Shqipëri dhe të ardhurat e fituara po i transferojnë në shtetet e tyre. Statistikat e Bankës së Shqipërisë raportojnë se në vitin 2018 kompanitë e huaja transferuan gati 380 milionë euro fitime tek vendet e tyre të origjinës, duke shënuar nivelin më të lartë të 10 viteve të fundit.

Në krahasim me vitin 2017, fitimet e transferuara u rritën me 6%. Këto shifra aktuale disa herë më të larta sesa niveli minimal që u arrit në 2013-n prej 73 milionë eurosh. Një dekadë më parë, kompanitë kryesore për sa i përket normës së lartë të fitimeve ishin operatorë celularë si AMC dhe Vodafone, me fitime që arrinin deri në 50%. Ndërsa sot stafeta e kompanive me më shumë fitime ka kaluar tek bankat dhe ato që kanë përfituar koncesione.

Kompanitë e huaja me fitimet më të larta

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit, në 2017-n, nga kompanitë e huaja me fitime më të larta kryesojnë bankat. “BKT” raportoi 66 milionë euro fitime para taksave, e ndjekur nga “Raiffeisen” me 35 milionë euro dhe “Intesa Sanpaolo” me 15 milionë euro fitime. Përveç bankave, një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri është koncesionari i Aeroportit të Rinasit, Tirana International Airport, me fitime prej 22 milionë euro, duke qenë njëkohësisht dhe ndër sipërmarrjet me normën më të lartë të fitimit në vend prej 47%. Me fitim të larta në 2017-n, prej përkatësisht 24 dhe 14 milionë eurosh, kanë rezultuar SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG – Transadriatica, dy prej nënkontraktorëve që po punojnë për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Në total, nga 10 kompanitë me fitimet më të larta në vlerë absolute në Shqipëri, gjashtë prej tyre janë të huaja.