Komisioni rrëzon qeverinë, lë në fuqi akcizën për pijet energjike

666
Sigal

Buxheti dhe Paketa Fiskale 2015 gati për votim në seancë plenare

Komisioni i Ekonomisë, sikurse njoftoi, u mblodh dje sërish për të shqyrtuar nen për nen buxhetin dhe paketa fiskale 2015. Një ndër vendimet që u mor menjëherë në këtë mbledhje ishte taksimi me akcizë i pijeve energjike. “Vende te ndryshme kanë taksa të ndryshme, mes tyre dhe akcizë. Ne do t’i vendosim akcizë pijeve energjike. Ne do e ridimensionojmë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, deklaroi kreu i Komisionit, Braçe. Braçe theksoi se akciza do të jetë 30 lekë për litër.

 Komisioni i Ekonomisë:

Komisioni i Ekonomisë, në mbledhjen e djeshme diskutoi për raportet e komisioneve të tjera kuvendore për projektligjin “Për buxhetin e 2015” dhe kërkesat e tyre lidhur me buxhetin. Të pranishmit në komision kërkuan ndryshime të mundshme në buxhetin e alokuar institucioneve të tyre apo edhe lehtësira. Z. Angjeli deklaroi në hyrje se Buxheti 2015 është buxhet ambicioz, ai është realizuar me një realizëm, më tepër se vitet e mëparshme. “Duhet të kemi parasysh se qeveria është ajo që përcakton prioritetet dhe drejtimet e shpenzimeve, nuk mund të themi se mundësia e ndërhyrjes është e plotë apo jo, por sigurisht ka të drejta propozimesh, të gjitha ndryshimet e kërkuara do të konsultohen me përfaqësuesit e qeverisë dhe do të rishikohen.”, deklaroi Angjeli.

Gjatë seancës u diskutua për kërkesat e mëparshme nga Kuvendi, që ka kërkuar rritje numri punonjësish në angazhim të funksionimit të insitucionit.

Kërkesat për rritje fondësh

Më tej, Komisioni i ligjeve ka shqyrtuar kërkesat e Presidencës, Ministrisë së drejtësisë , Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë, shkollës së Magjistraturës etj, sic u bë e ditur edhe më parë, për kërkesat e tyre për rritje fondesh. Ndërkaq, nga pushteti vendor ka patur kërkesa për rishpërndarje fondesh për zbatimin e reformës së re territoriale, e cila do t’i vijë në ndihmë gjatë zgjedhjeve. Të pranishëm në komision, përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, kërkuan 10 mln lekë shtesë, nga ku 3 mln lekë duan për rikonstruksion ambientesh.Përfaqësuesi nga Komisioni i Çështjeve Sociale ritheksoi rëndësinë e projektit të mbulimit të kostove për sëmundjet kardiovaskulare dhe projekti i urgjencave në Shqipëri, që i nevojitet një rritje fondesh. Kreu i Komisionit Brace sakaq deklaroi se shëndeti dhe bujqësia do të ketë vëmendjen e duhur. Nga Ministria e Mjedisit rikërkuan mbështetje për projektin e krijimit të një administrate për manaxhimin e parqeve kombëtare, duke e argumentuar se ka interes donatorësh për rivitalizimin dhe rehabilitimin e 8 parqeve shqiptare.

LSI kërkon në komision fondin e biznesit

LSI edhe një herë kërkoi t’i qëndrohet premtimit për biznesin fason dhe që për kryetarin e komisionit do të shihet mundësia për t’u bërë rregullime. “Është parashikuar gjysma e shumës së miratuar më pare, në këto kushte kërkoj që për biznesin fason të ngelemi në kuadër të shumës së premtuar 5 milion lekë. Ky është një premtim i qeverisë dhe shpresoj të jetë premtim i mbajtur” u shpreh Gjovalin Kadeli. “E kemi bërë disktumin lidhur me këtë çështje. Megjithatë meqë insistoni në këtë kërkesë do e shqyrtojmë në përputhje me angazhimet reale që qeveria ka marrë. Por duhet të kemi parasysh se në këtë vend lehtësira fiskale apo mbështetje buxhetore kërkojnë të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe fokusi vetëm në një aspekt të caktuar natyrisht që na krijon problem në pjesën tjetër të industrisë. Megjithatë ne do e shikojmë” tha Braçe.

Buxheti dhe paketa fiskale 2015 kalojnë për votim në seancë plenare

Pas pasqyrimit të ndryshimeve të propozuara, në praninë edhe të ministrit të Financave z. Shkëlqim Cani, deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat votuan pro buxhetit dhe paketës fiskale duke i kaluar këto dy projektligje për votim në seancë plenare.