Komisioni i Ekonomisë kërkon rishikim të nenit për shpronësimet që lidhen me investimet strategjike

690
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë i kërkuan qeverisë të rishikojë nenin në bazë të cilit i del garant investitorëve strategjikë për shpronësime të truallit.
Deputeti Demokrat Ridvan Bode deklaroi se ky nen prek ligjin specifik duke i dhënë të drejtë qytetarëve që të ankohen në Gjykatë.
Ridvan Bode: “Janë dy ligje, njëri e lejon tjetri e ndalon. Po nuk u bë consistent kuadri ligjor që të jetë rigoroz, pastaj hapësirat gjejini vetë”.
Më pas kreu i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, vuri si kusht gjetjen e një zgjidhjeje për këtë nen para kalimit në seancën parlamentare.
Erjon Braçe: “Do bëjmë përpjekje deri mbasdite lidhur me këtë gjë dhe nesër në seancë ose themi se cili është propozimi konkret që kemi nga të dyja komisionet ose votojmë variantin e qeverisë me detyrim që të ndryshoni ligjin për shpronësimin për interesin publik. Kështu dhe ne tejkalojmë këtë ngërç që kemi këtu në komision”.
Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe huanë prej 45 milion dollarësh të dhënë nga BERZH për sistemin shëndetësor si dhe marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane për grantin e asistencës financiare për projektin “Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II” me një shumë prej 6.6 milion eurosh.
Sigal