Komisioni i Ekonomisë, Kadeli-Gjiknurit: Qytetarëve t’u përgjigjesh, siç u kërkon të paguajnë

800
Sigal

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka deklaruar dje në Komisionin e Ekonomisë se lufta ndaj informalitetit do të vijojë, në mënyrë që sektori energjitik të shndërrohet në një sektor që të mbajë veten dhe të dalë me fitim, jo që qeveria ta mbështesë atë. Ndërsa duke folur për kamtvonesat e akumuluara në vite, Gjiknuri tha se ato nuk do të falen, porse për qytetarët do krijohen lehtësira, siç është zgjatja e kohës së pagesës së kësteve.

I pranishëm në Komisioni e Ekonomisë ishte edhe deputeti i LSI-së Gjovalin Kadeli, i cili i kujtoi ministrit se ashtu siç kërkon me rigorozitet që qytetarët të paguajnë energjinë, ashtu duhet edhe t’u përgjigjesh. Sipas tij, një lagje në Lezhë vuan prej 9 ditësh mungesën e energjisë dhe ky nuk është shërbimi që presin qytetarët që e paguajnë energjinë. Ndërsa për të problem mbetet edhe fakti që qytetarët nuk kanë ku të ankohen për faturat e energjisë.

Invalidët kërkojnë 780 mln lekë shtesë

Ndërkaq Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se qeveria ka patur disa kërkesa për të realizuar ndaj kësaj shtrese, të cilat nuk janë bërë ende realitet. Ai ka kërkuar një rritje të buxhetit të akorduar për to, me 780 milionë lekë. “Kujtojmë se mosha mesatare e jona është 49 vjeç, kemi familje për të mbajtur dhe fëmije për të arsimuar. Buxheti i planifikuar për ne për vitin 2015 është 3 miliardë e 24 milionë lekë. Nuk është i mjaftueshëm. Kërkojmë edhe 780 milionë lekë të tjera.”, deklaroi ai. Omuri i rikujtoi Komisionit se në total janë 65 mijë invalidë punë dhe të gjithë janë në minimumin jetik të varfërisë.