Komisioneri i administratës: Në shtet punësohesh vetëm me mik

562
Sigal

Komisioneri i shërbimit civil denoncon shkarkimet jo-ligjore të nëpunësve, vende që janë zënë nga “miqtë” e qeverisë dhe militantët e fushatave elektorale. Emërimet pa garë, pa shkollë dhe jashtë kritereve i kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 100 milionë euro, me vlerën e të cilave pensionet do të rriteshin 25%. Ja abuzimet e “Tepsisë-Shtet”

Shkarkimet jo-ligjore të punonjësve, vendet e të cilëve janë zënë nga “miqtë” e qeveritarëve që janë emëruar pa garë, që janë pa shkollë e nuk plotësojnë kriteret e punës, i kanë shkaktuar dëm 100 milionë euro shtetit

Emërimet e paligjshme në institucionet shtetërore dhe spastrimet politike nga puna, barrë e rëndë për buxhetin e shtetit dhe administratën publike

Komisioneri i Mbikëqyrjes: 22% e emërimeve në administratë, në kundërshtim me ligjin

Emërimet në administratë përgjatë vitit të kaluar nuk duket se kanë respektuar në të gjithë rastet kuadrin ligjor. Institucionet kanë preferuar në një pjesë të mirë t’i lenë vendet vakante ndërkohë që në 22 % të rasteve nga monitorimet e bëra nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është vënë re se janë bërë në kundërshtim me ligjin.

“Janë mbikëqyrur 1592 pozicione pune, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; janë evidentuar 357 raste, të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihen emërime të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, si dhe raste të nëpunësve ekzistues të cilët nuk plotësojnë kriterin e nivelit të diplomës së arsimit të lartë, ose nuk plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar; si dhe 275 pozicione janë evidentuar të pa plotësuara” thuhet në raport.

Lidhur me këto raste nga ana e Komisionerit është urdhëruar që personat përgjegjës të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira dhe zhvillimin e rekrutimit, në përputhje me ligjin.

Raporti i Komisionerit ndalet edhe në largimet nga shërbimi civil të cilat kanë përfunduar nëpër gjykata. Referuar shifrave një pjesë e mirë e atyre që janë shkarkuar duket se kanë rifituar të drejtën për t’u rikthyer në pozicionin që kanë pasur. “Në institucionet e administratës shtetërore qendrore dhe ato të varësisë 32% (100 raste) e nëpunësve që kanë fituar gjyqin, janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ndërsa 68% (209 raste) e tyre janë ende në pritje për t’u rikthyer në pozicione pune në shërbimin civil. Ndërkohë, në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në kategorinë e bashkive, në 61 institucione dhe 12 Këshillat e qarqeve janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 41% (62 raste) nëpunësit që kanë fituar gjyqin, ndërsa 59% (90 raste) e tyre janë ende në pritje për ekzekutimin e vendimit. Në kategorinë e institucioneve që përfshijnë Këshillat e Qarqeve, gjendja paraqitet më mirë, pasi janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 60% (38 raste) e nëpunësve që kanë fituar gjyqin, ndërsa 40% e tyre janë ende në pritje të ekzekutimit të vendimit (25 raste)” thuhet në raport.

Largimet nga puna për motive partiake, shteti shqiptar paguan për 3 administrata

Një nga kushtet e BE-së për dhënien e statusit Kandidat Shqipërisë ishte edhe miratimi dhe zbatimi i ligjit për Nëpunësin Civil dhe Administratën Publike. Qeveria e Rilindjes Socialiste, edhe pse e miratoi në Parlament, filloi me njëherë, spastrimin e Administratës Publike nga ata nëpunës që nuk kanë teserën e partisë, apo nuk janë njerëz të mirëbesuar të zyrtarëve të lartë të shtetit, duke shpërfillur ligjet. Edhe kur nëpunësit që zbohen në kundërshtim ligjin, dhe e fitojnë këtë të drejtë në gjykatë, ligji për Administratën publike ka boshllëqe ligjore, sepse nuk e detyron dot zyrtarin e lartë të Shtetit, të institucionit, që ta rimarrë prapë në punë nëpunësin, por detyron shtetin ta dëmshpërblejë, duke rënduar ekonomikisht buxhetin e shtetit, ngaqë njëkohësisht, paguan edhe nëpunësin që ka marrë në punë, edhe nëpunësin, që është zbuar në kundërshtim me ligji.

Tepsia është shteti

Shkarkimet nga puna të pambështetura në ligj vazhdojnë të rëndojnë buxhetin e shtetit duke prekur shifra marramendëse. Vetëm në 5 vitet e fundit, shteti ka paguar mbi 100 mln euro për këtë kategori. Ndërkaq proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar pritet të rëndojnë edhe më shumë situatën. Për të stabilizuar situatën, ekspertët sugjerojnë ndryshime në ligj, ku titullari do të mbajë përgjegjësi për firmën që vendos për pushimin e punonjësve. Taksapaguesit shqiptarë janë të detyruar që të paguajnë dy administrata paralele për shkak të largimit të punonjësve në mënyrë të paligjshme.

Në 5 vitet e fundit, shteti ka paguar mbi 100 milionë euro, me këtë fond, pensionet do ishin rritur 25%

Nga të dhënat zyrtare në 4 vite numërohen 13.475 transaksione nga thesari i shtetit si shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna.

Mes Ministrive, ajo që ka numrin më të lartë të transaksioneve është Ministria e Mjedisit dhe Turizmit me rreth 466 të tilla, e ndjekur nga Ministria e Bujqësisë me 79, Ministria e Energjetikës dhe Transporteve me 66 transaksione, e Mbrojtjes me 61 dhe Shëndetësia me 56.

PAGESAT PËR LARGIMET NGA ADMINISTRATA

TOTAL 13.475

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit 466 348 mln

Ministria e Bujqësisë 79 58.2 mln

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës 66 90.4 mln

Ministria e Mbrojtjes 61 72.3 mln

Ministria e Shëndetësisë 56 40.1 mln

Ministria e Brendshme 48 81.3 mln

Ministria e Financave 47 31.4 mlnB

Eksperti Zef Preçi: Abuzimi i rëndë me paratë e qytetarëve

Eksperti i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, e konsideron këtë fakt shumë abuziv pasi janë mbi 100 milion euro të cilat shkojnë pagesa për këto largime në një kohë që mund të transformoheshin në investime për ndërtimin e spitaleve dhe shkollave.

Zef Preçi: Është një shkelje e të drejtave kushtetuese të individit, është një cenim i familjeve, njëkohësisht është një kosto tërësisht e panevojshme mbi taksapaguesit shqiptarë. Vijmë te një situatë absurde në të cilën janë tre administrata paralele, dy efektive dhe një tjetër në pritje.

Ndërkaq në Gjykatën Administrative në proces është dhe një numër i lartë dosjesh, duke rrezikuar që buxheti të përballojë 3 administrata. 

Për të zgjidhur këtë problematikë, e cila përsëritet sa herë ndryshon pushteti politik, ekspertët kërkojnë që titullarët që firmosin largimin e punonjësve të mbajnë përgjegjësi për çdo punonjës.

Zef Preçi: Të detyrohet të dëmshpërblejë titullari, qoftë ky dhe Ministër kur ndërmerr veprime të paligjshme. Ndërkohë do të ishte që të hiqet dorë nga praktika e unifikimit të pagesave duke injoruar përvojën, duke injoruar rangun apo pozitën që zënë në administratën publike.