Kodi i ri Doganor, një sportel i vetëm për biznesin

577
Sigal

Kodi i ri Doganor, i hartuar dhe prezantuar para Këshillit Kombëtar Ekonomik, tashmë është gati dhe pritet që të nisë prezantimin te komuniteti i biznesit. Sipas një relacioni nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Kodi i ri Doganor synon përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ajo që është thelbësore në këtë projekt, është vendosja e një sporteli të vetëm doganor. Aktualisht, biznesit i duhet të bëjë një sërë ecejakesh për të kryer veprimet apo procedurat standard doganore. Sporteli i vetëm doganor do të sjellë lehtësime të rrënjësishme për biznesin. Subjekti do të paraqitet në një sportel të vetëm, ku do të dorëzojë kërkesën një herë të vetme. Sporteli do të mundësojë komunikimin midis institucioneve dhe agjencive pa përdorur subjektin si ndërmjetës. Administratat doganore në pjesën më të madhe të tyre përdorin sisteme të automatizuara deklarimi e kontrolli, të cilat mundësojnë gjenerimet e raportimeve deklarimeve doganore në forma elektronike.

Operatorët Ekonomik të Autorizuar

Kodi i Ri Doganor fut konceptin e Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (AEO). AEO-të, kanë disa avantazhe si për shembull: aksesi në procedurën e zhdoganimit të “centralizuar” “Centralized Clearance”, duke i lejuar ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet në të shumtën e rasteve nga zyra e tyre e regjistruar.

AEO-të gjithashtu mundet të lejohen të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm. Përveç të tjerave, AEO-të do të kenë mundësi të përfitojnë nga shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar (në krahasim me operatorët e tjerë që nuk janë AEO, të cilët duhet të sigurojnë një garanci të plotë).

Lehtësim tjetër për AEO-të ka të bëjë me kohën kur mallrat konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur AEO paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja të bëjë paraqitjen e mallrave. Megjithatë autoritetet doganore kanë gjithmonë të drejtën të kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të kryejnë inspektime në ambientet ku mbahen mallrat apo dokumentacioni.

Vendimet e autoriteteve doganore

Kodi i Ri Doganor përcakton rregullat e harmonizuara për marrjen e vendimeve nga Autoritetet Doganore kompetente dhe të drejtën për t’u dëgjuar para marrjes së vendimeve të disfavorshme (duke patur në vëmendje vlen vetëm për disa lloje vendimesh, p.sh. Vendimet për Informacionin Detyrues Tarifor etj).

Magazinimi

Nga pikëpamja procedurale, Kodi i ri Doganor parashikon gjithashtu ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura tranziti.

Shkeljet

Pjesa e shkeljeve përcakton një shkallë efektive, proporcionale dhe dekurajuese të sanksioneve që do të zbatohen, në varësi të shkeljes. Kur aplikohen sanksionet, është përcaktuar se autoritetet doganore duhet të marrin në konsideratë natyrën dhe rrethanat e shkeljes, duke përfshirë shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen, nëse një ” tregtar i besuar ” është i përfshirë, dhe shumën e detyrimit të shmangur.

Janë vendosur afate kohore për të ndjekur shkeljet, dhe procedurat administrative do të duhet të pezullohet në qoftë se një procedurë penale është e hapur për të njëjtën çështje.

Në 20 Mars, testimi për Agjent Doganor dhe Personel Ndihmës

 Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se testimi për Agjent Doganor dhe Personel Ndihmës do të zhvillohet me datën 20 Mars 2014, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në orën 10 :00. Testimi do të jetë me shkrim dhe do të përmbajë pyetje mbi njohuritë e përgjithshme dhe zbatimin praktik të Kodit Doganor dhe Dispozitave Zbatuese. Testimi do të përmbajë 20 pyetje teorike të cilat do të vlerësohen me 60 pikë si dhe një ushtrim për zbatimin praktik që do të konsistojë në plotësimin e një deklarate doganore (DAV), e cila do të vlerësohet me 40 pikë. Minimumi i pikëve për të fituar testimin do të jetë 51 pikë. Pyetjet e testimit do të jenë të njëjta si për agjentë doganorë ashtu edhe për personel ndihmës.