Koço Broka/ Monopolet shqiptare dhe përvoja amerikane

142
Takimi i pranverës për ligjin antitrust, është ngjarje kryesore e vitit për profesionistët e mbrojtjes së konkurrencës dhe konsumatorit, jo vetëm në SHBA, por edhe mbarë botën. Si një takim i hapur në të sivjet marrin pjesë mbi 3000 veta, duke përfshirëpjesëmarrës nga 55 vende të botës. Në forumin e pranverës takohen të gjithë segmentet e komunitetit global për mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorëve: juristë, gjyqtarë e avokatë, ekonomistë, akademikë, përfaqësues të biznesit, për të shkëmbyer idetë dhe përvojat rreth aspekteve të ndryshme të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit. Ai është mbresëlënës, jo për faktin se duke u mbajtur në Washington në fund të Marsit ose ditët e para të Prillit përkon me bukurinë e çeljes së qershive, që nuk mungojnë të tërheqin vëmendjen e qindra mijëra turistëve, por për idetë e njohuritë që përcjellin kontaktet e perceptimet e gjalla e të drejtpërdrejta.
Përvoja amerikane
Megjithëse ligji shqiptar për mbrojtjen e konkurrencës është i përputhur me atë të BE dhe synon të integrohet e të bëhet pjesë e këtij të fundit, marrja e përvojës amerikane në fushën e zbatimit të konkurrencës dhe rolit të shtetit për mbrojtjes e saj nuk është asnjëherë shteruese. Ndërsa pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në këtë forum është vetëm një aspekt i përfitimit të kësaj përvoje. Është e njohur se ligjet për mbrojtjen dhe nxitjen e konkurrencës kudo në botë e kanë zanafillën e vet në SHBA. Në veprën e mirënjohur “Pasuria e Kombeve” të botuar në 1776 Smithi ka qenë mjaft elokuent, lidhur me përftimet e mundshme që vijnë nga konkurrenca midis firmave që udhëhiqen nga fitimi dhe interesi i tyre personal e konkurrojnë në treg. Por ndërkohë ai shprehet qartë për rrezikun që vjen nga monopolet dhe se firmat mund të përpiqen t’i shmangen konkurrencës e ta shtrembërojnë atë. “Njerëzit që merren me të njëjtën tregti takohen rrallë me njëri – tjetrin, si për argëtim ashtu dhe për debat, bashkëbisedimi përfundon në një konspiracion kundër publikut, ose në ndonjë marrëveshje për të rritur çmimet”, nënvizon ai. Pra fitimi e konkurrenca ka karakter të dyfishtë, nga njëra anë ato nxitin rritjen e produktivitet, uljen e kostos, përmirësimin e cilësisë, diversifikimin e produkteve, etj, ndërsa nga ana tjetër i nxit firmat për të hyrë në marrëveshje midis tyre, për të ndarë tregjet, për të rritur çmimet, për të gënjyer për cilësinë, për të mashtruar konsumatorët për të ushqyer evazionin etj. Siç do evidentonte më vonë edhe Valfredo Pareto njerëzit përpiqen në dy mënyra, ose duke prodhuar e transformuar produktet ose duke përvetësuar produktet e prodhuara më parë prej të tjerëve.
Shtrembërimi i konkurrencës
Nëse një firmë përvetëson TVSH, që e paguajnë konsumatorët, ajo mund të sigurojë një fitim të padrejtë dhe ndërkohë të shtrembërojë konkurrencën. Këto nuk janë raste imagjinare, por edhe reale në ekonominë tonë të tregut. Por është diçka njohja e teorisë dhe diçka tjetër realizimi i saj në praktikë. Vetëm në fund të shekullit të 19-të, SHBA filloi të merrte masa për t’u vënë fre monopoleve dhe për të mbrojtur e nxitur konkurrencën. Ndërsa tani ky rol i shtetit kryhet thuajse në të gjithë vendet me ekonomi tregu. Nga vitet 1870-1914, në periudhën e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë amerikane morën hov monopolet figura legjendare si John D Rockefeller, Cornelius Vanderbild, J. P Morgan akaparuan e shtrinë kontrollin në tregje të tëra që nga hekurudhat, nafta, çeliku, sheqeri e deri tek kripa, e më pas nuk munguan të rritin çmimet. Ata sajuan ndërkohë një mënyrë mekanizëm të zgjuar për të ruajtur kontrollin, të ashtuquajturin trust me anë të të cilit u dhanë aksionet e tyre “trustees”-të besuarve, që të menaxhonin industritë për të maksimizuar më tej fitimin. Këto truste janë në thelb kartelet (karteli është një organizim i firmave të pavarura që prodhojnë një produkt të njëjtë, që punojnë së bashku për të rritur çmimet dhe ndarë tregjet) ose marrëveshjet e ndaluara. Por kjo veprimtari do të ngjallte zemërim të madh në popull e sidomos tek fermerët. Këta të fundit vareshin pothuajse krejtësisht nga hekurudhat për transportin e prodhimeve në treg. Meqenëse fermerët nuk kishin mundësi të zgjidhnin mënyra të tjera transporti, pronarët e hekurudhave që u shërbenin rajoneve bujqësore kishin mundësi të vendosnin çmime dhe tarifa tepër të larta. Kjo u lejonte menaxherëve t’u bënin zbritje firmave të mëdha industriale, si një mjet për të thithur një pjesë të aktivitetit të tyre.
Ligji anti-trust në SHBA
Zhbirimi i këtij mekanizmi-abuzimi, u bë shkak për miratimin nga Kongresi Amerikan të aktit (ligjit) të Tregtisë Ndërshtetërore në vitin 1887. Ky ligj ndalonte hekurudhat konkurruese që të binin në ujdi me njëra-tjetrën për ndarjen e tregut hekurudhor dhe të fitimeve. Ai kërkonte që të gjitha tarifat të botoheshin dhe të respektoheshin, duke kufizuar diskriminimin në tarifat. Për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji Kongresi ngriti Komisionin e Tregtisë Ndërshtetërore. Këto ishin dhe janë ligji dhe institucioni i parë antitrust, për mbrojtjen e konkurrencës nga shtrembërimet e deformimet e saj. Në kushtet kur hekurudhat nuk ishte i vetmi biznes që abuzonte me pozitën monopoliste dhe trust-et morën përhapje dhe në degë të tjera. Ligji për Tregtinë Ndërshtetërore u shoqërua nga një ligj tjetër ligjin Sherman. Akti Antitrust Sherman i miratuar më 1890 shpallte të paligjshëm të gjitha kontratat, marrëveshjet e fshehta që mendoheshin të ishin anti-konkurruese dhe i kërkonte qeverisë federale të hetonte e gjurmonte trustet. Më pas ky ligj është shoqëruar nga ligji antitrust Clayton i vitit 1914 i amenduar në vitin 1950. Ky akt ndalon përqendrimet dhe përfitimet e konkurrencës që kanë mundësi të kufizojnë konkurrencën. Në vend tjetër të rëndësishëm zë ‘Akti i Komisionit Federal të Konkurrencës’, i cili ndalon metodat e padrejta të konkurrencës në tregtinë ndërshtetërore, por nuk kryejnë akte penale. Këto tre aktet e fundit përbëjnë zemrën e legjislacionit amerikan për mbrojtjen e konkurrencës. Ndërkohë qeveria amerikane, nuk ka përjashtuar, por ka nxjerrë akte të posaçme ligjore që synojnë inkurajimin aktiv të bashkëpunimit dhe kooperimit ndërmjet firmave të disa industrive në fushën e kërkimit e zhvillimit duke i përjashtuar këto bashkime dhe marrëveshje nga sanksionet antitrust.
Paradigma: Strukturë e tregut, sjellje e tregut dhe performanca e tij
Veprimtaria për mbrojtjen e konkurrencës harmonizohet me atë të nxitjes dhe promovimit të saj. Në funksion të mbrojtjes së konkurrencës akademikët kanë artikuluar paradigmën: Strukturë e tregut, sjellje e tregut dhe performanca e tij. Sipas kësaj paradigme struktura e tregut përcakton sjelljen e tregut dhe sjellja e tregut nga ana e vet përcakton performancën e firmave. Struktura e tregut përbëhet nga tregjet me konkurrencë të plotë ose perfekte dhe nga tregjet me konkurrencë jo perfekte ku përfshihen monopolet, oligopolet dhe konkurrenca monopoliste. Sjellja e tregut mishëron strategjinë dhe taktikat e ndryshme për vendosjen e çmimeve dhe marketingun nga ana e firmave. Kjo sjellje nxit e ndikon në performancën e firmave dhe në atë se sa mirë apo keq përdoren burimet e shoqërisë. Dështimi i tregut, prania e tregjeve jo perfekte me konkurrencë jo të plotë, përbën bazën teorike mbi të cilën mbështetet ndërhyrja e shtetit në ekonomi dhe ekzistencën e një seri agjencish qeveritare si ‘Agjencia për Mbrojtjen e Ambientit’, ‘Instituti Kombëtar i Shëndetit’ dhe ‘Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA’. Aktualisht mbrojta dhe promovimi i konkurrencës në SHBA, mbikëqyret nga dy institucione: Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe Departamenti i Drejtësisë të SHBA që administron politikën antitrust. Tiparet e FTC janë mjaft të qarta. Ajo është një agjenci e pavarur, që raporton në Kongres, kryesohet nga 5 komisionerë, që nominohen nga Presidenti dhe zgjidhen nga Senati, për një periudhë 7-vjeçare. Jo më shumë se 3 mund të jenë nga një parti politike. Ndërsa Departamenti i Drejtësisë të SHBA ka një divizion të posaçëm që mbikëqyr politikën antitrust dhe përdor edhe ligje të tjera për të luftuar veprimtaritë e paligjshme, duke përfshirë ligjet që ndalojnë deklaratat e rreme ndaj agjencive federale. Njohja e integrimit dhe bashkëpunimit të Komisionit Federal të Tregtisë me Departamentin e Drejtësisë të SHBA është një premisë mjaft e mirë për rritjen e efikasitetit të mbrojtjes së konkurrencës edhe në vendin tonë. Pra eksperienca amerikane për mbrojtjen e nxitjen e konkurrencës nuk kufizohet vetëm në historikun e zhvillimit të politikës antitrust për mbrojtjen e konkurrencës, por dhe në institucionet e mënyrën se si realizohet ajo. Në takimet e pranverës shpalosen qartë sa aspekte të ndryshme teorike që pasurohet vazhdimisht nga praktika aq edhe elementë konkretë të zbatimit dhe realizimit të kësaj, ku mbrojtja e konkurrencës trajtohet krahas dhe bashkë me mbrojtjen e konsumatorit. Fryma e saj është tepër e qartë, të mbrohet dhe të nxitet njëkohësisht liria e ndërmarrjeve dhe të mbrohen konsumatorët.
Mbrojtja e konkurrencës në Shqipëri
Duke zbatuar ligjin antitrust FTC, ndihmon që tregjet të jenë të hapura dhe të lira, ku bizneset të konkurrojnë sipas meritës së tyre por ata konkurrojnë edhe me drejtësi e në mënyrë të ndershme. Kjo përvojë merr një rëndësi të posaçme sidomos për faktin se në vendin tonë ndërsa ligji për mbrojtjen e konkurrencës mbikëqyret nga Autoriteti i Konkurrencës, ai për mbrojtjen e konsumatorit, mbikëqyret nga institucione të tjera shtetërore. Në kushtet kur akademikët amerikanë e trajtojnë teorinë ekonomike të lidhur pazgjidhmërisht me praktikën, trajtesat e tyre marrin një vlerë praktike në punën për mbrojtjen e konkurrencës. P.sh dihet se një ndër fushat e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës kudo dhe në vendin tonë janë bashkimet, apo përfitimet e kontrollit. Akademikët amerikanë tërheqin vëmendjen se si mund të mbahen parasysh detyrimet kur trajtohet vlera e tregut dhe vlera kontable gjatë një përqendrimi apo përfitim kontrolli. Teoria kthehet në një instrument të dobishëm për trajtimin e problemeve që Autoritet e Konkurrencës ndeshen në praktikë. Po kështu është çështja e konkurrencës së padrejtë. Aktualisht ajo nuk është në objektiv të ligjit dhe Autoritetit për Mbrojtjen e Konkurrencës në vendin tonë. Siç dihet këto të fundit janë fokusuar në problemet e mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive, ndaj abuzimeve me pozitën dominuese, marrëveshjeve të ndaluara të tipit kartel apo nëse përfitimet e kontrollit dhe përqendrimet mund të çojnë në kufizim të konkurrencës. Por ndërkohë praktika ka shtruar hapur se si mund të zbulohen marrëveshjet e fshehta kartel, kur institucioni nuk posedon instrumentet e nevojshëm për të zbuluar gjithë spektrin me anë të të cilave realizohen marrëveshjet e fshehta dhe të ndaluara? Në këtë rrafsh njohja e eksperiencës amerikane nuk është kurrë e tepërt sidomos për sa i përket përcaktimit sa më të qartë të asaj se, kush bën çfarë? Natyrisht këtu nuk është vetëm çështja e njohjes por edhe e perceptimit dhe qëndrimit që mbahet. P.sh. ndër rekomandimet e UNCTAD, dhënë për përmirësimin e mbrojtjes së konkurrencës në vendin tonë është dhe ajo për krijimin e kapaciteteve institucionale për kontrollin efektiv të ndihmës shtetërore. Në Rekomandimin nr. 2 “Krijimi i kapaciteteve institucionale për kontrollin efektiv të ndihmës shtetërore” thuhet qartë: “Sipas legjislacionit të BE-së, kontrolli i ndihmës shtetërore është pjesë e politikës së konkurrencës”. Në Shqipëri, ka një ligj të veçantë i cili vihet në zbatim nga institucione të ndryshme nga Autoriteti i Konkurrencës –Komisioni i Ndihmës Shtetërore dhe Sektori i Ndihmës Shtetërore, strukturë brenda Ministrisë së Ekonomisë. Këto organe janë kompetente për të marrë, vlerësuar dhe autorizuar skemat e ndihmës shtetërore të njoftuara nga organet rajonale dhe lokale qeveritare në vend. Në fakt, numri i njoftimeve të ndihmës shtetërore nga qeveria është shumë i ulët dhe nuk ka pasur asnjë prej autoriteteve lokale. Megjithatë stafi i sektorit të ndihmës shtetërore përbëhet nga vetëm dy punonjës publikë. Në këtë këndvështrim, implementimi i ligjit kombëtar të ndihmës shtetërore është shumë i varfër kryesisht për shkak të mungesës së pavarësisë dhe kapaciteteve e duhura institucionale dhe administrative të organeve kompetente. Për këtë arsye rekomandohet për ndonjë rishikim të ardhshëm të sistemit kombëtar të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe përfshirjen e mundshme brenda kompetencave të autoritetit kombëtar të konkurrencës, të kryhet pas analizave të disponueshme në disa prej vendeve anëtare të BE, të cilat kanë kaluar nëpërmjet të njëjtave zhvillimeve ekonomike politike me këndvështrim për të forcuar përafrueshmërinë e politikës së ndihmës shtetërore drejt politikës së BE-së”. Megjithëse ligji për ndihmën shtetërore u rishikua, ky rekomandim nuk u pa i arsyeshëm të merrej parasysh.
*Komisioner në Autoritetin e Konkurrencës