Koço Broka: A mund të kemi një garë konstruktive alternativash?!

“Partia iu tha të mos i besonit syve dhe veshëve tuaj. Ky ishte urdhri i fundit dhe më i rëndësishëm i saj.”- Xhorxh Oruell shkëputur nga romani: “1984”

vijon

Por ka dhe arsye të tjera konkrete. Në shkrimin e botuar me 13 Dhjetor 2016, “Mirëqenia e shqiptarëve dhe borxhi publik”, kam ngritur shqetësimin, se në Relacionin e projektligjit të buxhetit 2017, ishte hequr sythi mbi analizën dhe pritshmërinë e borxhit publik për vitin 2016, duke tërhequr vëmendjen se - “Një situatë e tillë u kufizon deputetëve, por edhe publikut të gjerë hapësirat për të shpalosur si qëndrimin, por edhe vendimmarrjen e tyre për këto çështje kryesore e të rëndësishme të buxhetit, për të cilat kërkohet ngritja e dorës, si për buxhetin në tërësi, por dhe nen për nen, që ka për të trajtuar në të enjten që vjen.” Për fat të keq, se sa ishte borxhi i pritshëm për vitin 2016, nuk e mësova dot as gjatë diskutimeve të Ligjit për buxhetin e 2017, në Parlament, por nuk e mëson dot as në publikimin e fundit të Ministrisë së Financave të VKM Nr. 47, datë 25.01.2017 për miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2018 – 2020. 
Është pozitive që për vitin 2016, në këtë dokument evidentohet në mënyrë më realiste PBB nominal, në masën 1501 miliardë e 891 milionë lekë shifër e publikuar edhe më parë dhe jo sa në PBA 2017-2019 të publikuar me 9.1.2017. Por ndërkohë niveli i i tij në terma absolute për vitin 2016 ose Borxhi Publik Total (stok) nuk paraqitet i saktë. Për të dhënat e vitit 2016, është venë shënimi se ato, janë sipas A.N. ( aktit normativ), por duke u prezantuar 1 065 miliardë lekë 702 milionë lekë, ose në terma relative 71 % e PBB,, kur dihet se sipas Aktit Normativ Nr. 2 datë 16.12.2016, neni 6 “Stoku i borxhit shtetëror (pa përfshirjen e detyrimeve të prapambetura) vlerësohet të arrijë në 1 089 502 milionë lekë”që do të thotë 72.54% te PBB. Po të kemi parasysh se sipas buxhetit fillestar të vitit 2016, niveli i borxhit në terma relative ishte parashikuar 72.23 % e PBB, kjo do të thotë se në terma relative nuk ka ulje të borxhit publik por rritje të tij. Një tregues i tille natyrisht nuk le vend për mburrje se premtimi për uljen e borxhit publik por edhe as për shpresë e besim se ku angazhimi dhe detyrimi tashme ligjor do të mbahet gjatë këtij viti elektoral...Kuadri Makroekonomik Fiskal për periudhën 2018-2020. A hedh dritë në atë që tërheq vëmendjen Xhorxh Orwell në veprën të tij të mirënjohur të vitit 1949- 1984, bestseller për vitin 2016 në Amazonë “...çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumente se kishte qenë i saktë”, se premtimi për uljen e borxhit publik që e ka premtuar mazhoranca dhe kërkon dhe ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor qenka realizuar. Kjo e bën imperative publikimin stokut publik në fakt për vitin 2016 ashtu dhe publikimin zyrtar të buxhetit faktik për vitin 2016. Nuk mund të mos të bëjë përshtypje ndërkohë se stoku borxhit publik i prezantuar në publikimin e fundit KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2018 – 2020, për vitin 2016, paraqitet 1065.7 miliardë lekë, nga 1067.9 miliardë lekë që ishte ai në fund të Shtatorit 2016, po sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në një kohë kur buxheti i shtetit ishte me suficit dhe i gjithë deficiti u realizua në muajin Dhjetor 2016. Pra jemi para një fakti të tillë megjithëse gjatë tremujorit të katërt dhe posaçërisht gjatë muajit Dhjetor 2016 sipas të dhënave të medias deficiti buxhetor rezultoi -24 miliardë , e 367 milionë lekë, dhe janë paguar disa miliardë lekë si principal i borxhit të jashtëm, rezulton se tavani i borxhit publik, sipas këtij publikimi jo vetëm që nuk është rritur por qenka ulur?! Pra sipas publikimeve të deritanishme të Ministrisë së Financave rezulton se gjatë vitit 2016, është vënë re një rritje e borxhit publik në një periudhe kur buxheti është me suficit, dhe stanjacion ose rënie e lehtë të tij në kohën kur buxheti është me deficit?! (A nuk është kjo një nga çuditë e politikës shqiptare në ekonomi, e tipit se lopa e bëri bajgën në tavan?! Padyshim që po.) Kushdo mund t’u referohet të dhënave të publikuara zyrtare se borxhi publik për vitin 2015 ka qenë 1,043 miliardë e 212 milionë lekë, por dhe ai për tremujorin e parë paraqitet 1,060 miliardë e 358 milionë lekë (për hir të së vërtetës për të qenë korrekt, për këtë të dhënë të fundit është vënë shënimi paraprak) 
Por është njohur lidhja teorike midis deficit buxhetor dhe borxhit publik. Sipas koncepteve dhe përkufizimeve të gjithë pranuara, Deficiti buxhetor, në një vit buxhetor, është diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, kur shpenzimet janë më të mëdha se të ardhurat.“ Ndërsa -“Borxh” është shuma e huave të marra në tregun bankar, financiar dhe nga palë të treta, persona fizikë, juridikë ose individë, me kusht kthimi, me ose pa interes, për financimin e projekteve të caktuara të investimeve, mungesës së përkohshme të likuiditeteve dhe të deficitit fiskal buxhetor”. Të dy konceptet borxhi dhe deficiti, sipas teorisë ekonomike janë të lidhura ngushtë në një mënyrë të tillë ku qeveria (çdo qeveri në botë) akumulon borxh, kur ka buxhetin me deficit dhe e redukton borxhin kur rezulton me suficit. Rasti shqiptar që të mos rritet borxhi publik kur rritet dukshëm deficiti buxhetor dhe ka një pagesë jo të vogël të principalit te borxhit të jashtëm, siç ka ndodhur në Dhjetor 2016, e bën atë një dukuri shqiptare. Gjithsesi kjo hedh drite mbi atë së deri ku kodi etik i Qeverisë, duhet trajtuar si kod i heshtjes nga Ministrat, dhe se a do ‘ti kërkojnë deputetëve qoftë të mazhorancës –Ministrit të Financave, se sa rezultoi në fakt borxhi publik?!
Pa këtë mekanizmi i kontrollit të ekzekutimit të buxhetit në vitet elektorale, të deficit buxhetor dhe borxhit publik i parashikuar aq bukur në letër, në Ligjin PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR, mbetet një dëshirë e mirë që zor se realizohet pa vullnetin real të Mazhorancës dhe sidomos të Ministrit të Financave.
Analiza e nivelit të borxhit publik për vitin 2016, dëshmon, se ekonomia shqiptare është larg ecurisë me ritme normale rritjeje të PBB, pa mbështetjen në borxhin e jashtëm që ka ndodhur vitet e fundit, që vazhdon edhe në këtë vit elektoral. 
Gjithsesi stoku i borxhit publik 1 103 025 milionë lekë për vitin 2017, është një limit real që mazhoranca aktuale de jure i ka vënë vetes, me besimin se ekonomia shqiptare ka hyrë në një rrjedhë normale rritjeje. Si i tillë në vetvete ai nuk mund të mos vlerësohet e përshëndetet sinqerisht. 
Por kjo do të thotë, se krahasuar me Aktin Normativ nr 2, shtesa e borxhit publik për vitin 2017 në terma absolute është mjaft e kufizuar vetëm 14 miliardë lekë. Me një shtesë të borxhit publik vetëm prej 14 miliardë lekë, kur deficiti buxhetor për vitin 2017, është parashikuar 31 miliardë lekë, ndërsa pagimi i principalit të borxhit të jashtëm 29 miliardë lekë, kjo situatë do të thotë, se ligjërisht ekonomia shqiptare ka hyrë në ndjekjen e politikës, jo thjesht të konsolidimit fiskal, por dhe atë të njohur si politikë e osteritetit që ka vend tepër të kufizuar për premtime elektorale, për rritje pagash pensionesh, dividend zero. Çdo force politike që pretendon të marrë drejtimin e vendit i kërkohet de fakto alternativa ekonomike e sociale që mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm, programe mjaft sfiduese, ku kanë vend vargjet: “Këtu është Rodi /Këtu Kërce/ Këtu është trëndafili/ Këtu vallëzo.” Por gjatë viteve të tranzicionit e deri më sot, nuk kam parë ndonjë alternative serioze, për të rritur buxhetin e PBB-Produktit të Brendshëm Bruto, në mënyrë të qëndrueshme me këto limite të rritjes së borxhit, përveç premtimeve. 
Në këto rrethana hapat ligjore të ndërmarre nga maxhoranca përkojnë për të përpunuar alternativa të tjera të politikave ekonomike e sociale mbi bazën e situatës reale fiskale- financiare të vendit. Por t’u mundësuar këto alternative dhe programe gjatë fushatës zgjedhore, kërkohet të hidhet dhe hapi tjetër publikimi i borxhit publik faktit të vitit 2016. 
Kjo bëhet me imperativin kur ditët e fundit është hedhur karta e programit 1 Miliard dollarësh. Për hir të së vërtetës në ligjin për Menaxhimin e sistemit buxhetor në nenin -Minimizimi i riskut për veprime ekstra buxhetore është parashikuar së “Ministria e Financave vlerëson dhe miraton, paraprakisht, të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve, individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale. “ E reja dhe shqetësimi për këtë program të shpallur, është përmasa e programit në përputhje me nivelin e borxhit, transparenca dhe mekanizmi i kontrollit të PPP në këto përmasa. 
Dhe deri tani është folur për regjistër të koncesioneve dhe se ai do të publikohej brenda Dhjetorit 2016. Por ai ende nuk është i plotë dhe nuk janë regjistruar shumica e tyre. Nga ana tjetër kur ishte në opozite maxhoranca aktuale pretendoi, se do të mbante qëndrim tjetër ndaj koncesioneve, krahasuar me maxhorancën paraardhëse. Në thelb vazhdoi e njëjta praktikë duke u shtrirë dhe në PPP (Partneriteti Publik Privat), duke u shmangur kontrollin e institucioneve të pavarura në raste të tilla , në rastin e të drejtave ekskluzive.
Nga ana tjetër deri tani nuk është dëgjuar në publik, opinioni që ka mbajtur opozita aktuale kur është miratuar ky ligj dhe ky syth apo sythet e tjera të këtij ligji që lidhen me PPP. Në këto kushte shqetësimi i mjaft ekonomistëve që kanë ngritur këtë çështje besoj se është real. Le të supozojmë se opozita e sotme fiton zgjedhjet, realizon programin e PPP 1 miliard $ të propozuar nga kundërshtarët politikë dhe e çifton atë me dividend 0. Shumë natyrshëm ajo mund të pretendojë, se në kushtet kur në marrëveshje me FMN ishte parashikuar që stoku i borxhit publik total për vitin 2016 të reduktohej në 69.2% të PBB edhe në kushtet e mbështetjes dhe borxhit të jashtëm bujar të FMN-se dhe BB, nuk u realizua, s’ka perse t’i kërkohet asaj reduktimi e parashikuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal. 
Nga ana tjetër, deri në qershor të këtij viti, trajtimi i këtyre problemeve nuk mund të mbështet në mbikëqyrjen e kontrollin e faktorit të jashtëm ashtu siç është parashikuar realizimi i reformës në drejtësi. Çfarë ishte për të bërë, FMN e ka thanë fjalën e vet, ndërsa këto muaj për shkak të përfundimit të marrëveshjes kjo mbikëqyrje tani për tani pezullohet Zbatimi i ligjit për Menaxhimin e sistemit buxhetor do të varet drejtpërdrejt nga qëndrimi i maxhorancës, krerëve të saj por dhe nga ajo se si dhe sa deputet e saj do të ushtrojnë të drejtën për të kontrolluar Ministrin e Financave dhe Qeverinë, për të zbatuar ligjet që i kanë miratuar vetë. Është në dorën e tyre që të dëshmojnë se ajo kanë vullnetin real ta zbatojnë ligjet e sipërpërmendura, duke publikuar sa ka qenë stoku i borxhit publik real dhe deficitit buxhetor për vitin 2016, për të mundësuar kontrollin e buxhetit në këtë vit elektoral ashtu si ka qenë vullneti ligjor që tani është fakt.